Pasi Kadri Veseli dje tregoi se nuk do të ketë dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, sot ky i fundit ka shkruar se do ta vazhdojë punën e tij.
Ani pse e konfirmojë edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, ofrimin e dorëheqjes së ministrit Tahiri, kryesori dikasterit të drejtësisë u paraqit sikurse nuk ka ndodhur asgjë.
Tahiri ka thënë se do ta vazhdojë punën e tij në sundim të ligjit.
E, këto zhvillime i ka komentuar edhe deputeti i partisë më të madhe opozitare.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, duke i komentuar ngjarjet e fundit në Qeverinë “Haradinaj”, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se këto zhvillime janë qesharake.
“Kjo është qesharake. Dhënia e dorëheqjes është akt moral i personit, jo akt i vendimit të kryetarit”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Tutje, ai ka shtuar se veprimet e paditura tregojnë se çfarë koalicioni e qeverie kemi, ku siç thotë ai, askush nuk din kush vendos në ketë qeveri.
“Veprimet e paditura të kryetarit të partisë dhe kryeministrit dhe tërheqja e dorëheqjes tregon se çfarë koalicioni e qeverie kemi ku askush nuk din kush vendos në ketë qeverinë e shume kryeministrave”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli për gazetën “Bota sot”.