Kërkohet ligji që ua ndalon personave me aktakuza të jenë pjesë e qeverisë

Politika

Kërkohet ligji që ua ndalon personave me aktakuza të jenë pjesë e qeverisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 tetor 2018 Në ora: 08:18
Mbledhja e Qeverisë, foto arkiv

“Do të duhej të nxirret një ligj që do të parandalonte këso situatash, që të ndalohet me ligj që ata që kanë akuza të ngritura për vepra serioze penale të mos emërohen në këto poste dhe atëherë do të ishte ndryshe situata. Sepse nëse kjo nuk është e ndaluar me ligj atëherë ku është arsyeja që Endrit Shala të mos emërohet ministër pasi ligji ja lejon dhe kjo mbetet çështje etike morale por nuk është aspak e kundërligjshme”, ka vlerësuar Tomë Gashi.

Nuk janë të paktë ministrat dhe deputetët që kanë aktakuza nga Prokuroria për vepra të ndryshme.

E së fundmi, postin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë e mori Endrit Shala nga Nisma për Kosova, këshilltar i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Shala ka aktakuzë nga prokuroria e Gjakovës, për posedim të paautorizuar të armëve dhe po ashtu gjuajtje me armë.

Të martën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke folur për emërimin e Endrit Shalës, tha se do të ishte më mirë të kishte një Qeveri pa njerëz që kanë aktakuza.

"Rasti i ministrit të Tregtisë, vlerësimi nuk ka qenë i imi. Ju siguroj se ministrat janë propozime politike. Rasti konkret i Abelardit mendoj se është ministër që e ka kryer shumë mirë punën e vet. Emërimi i z. Endrit Shala nuk është përzgjedhja ime. Ai e ka një aktakuzë për gjuajtje me armë, por unë nuk do të ndërhyj. Mirë është me e pas Qeverinë pa njerëz me aktakuza", ka thënë Haradinaj.

Gashi: Kjo është praktikë e të gjitha qeverive të Kosovës

Image
Tomë Gashi

Lidhur me këtë dhe rastet e ministrave me aktakuza, avokati Tomë Gashi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk është problem emërimi i tij pasi kjo është bërë praktikë që nga viti 2004 e deri më sot.

“Unë nuk e shoh problem aspak emërimin e Endrit Shala Ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe aspak nuk e shoh problem që ka edhe ministra të tjerë me akuza të ngritura nga prokuroria e Kosovës. Kjo është bërë praktikë e të gjitha qeverive të Kosovës që nga viti 2004 e deri më sot”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, problemi është tek partitë në koalicion që sa kanë qenë në opozitë kanë thënë se nuk do të emërojnë asnjë ministër apo zyrtar të lartë që ka aktakuzë.

“Problemi është se këto parti që janë në koalicion për të qeverisur vendin e kanë proklamuar sa kanë qenë në opozitë se nuk do të emërojnë asnjë ministër dhe zyrtar të lartë që të ketë këto funksione nëse kanë akuza të ngritura. Unë besoj se fare lehtë ka qenë dhe është që të parandalohet kjo dukuri e të gjitha qeverive të Kosovës së pas luftës”, ka theksuar ai.

Avokati thotë se duhet të nxirret një ligj që parandalon emërimin e personave që kanë aktakuza sepse derisa nuk është e ndaluar me ligj, mos emërimi i tyre është çështje etike dhe jo e kundërligjshme.

“Do të duhej të nxirret një ligj që do të parandalonte këso situatash, që të ndalohet me ligj që ata që kanë akuza të ngritura për vepra serioze penale të mos emërohen në këto poste dhe atëherë do të ishte ndryshe situata. Sepse nëse kjo nuk është e ndaluar me ligj atëherë ku është arsyeja që Endrit Shala të mos emërohet ministër pasi ligji ia lejon dhe kjo mbetet çështje etike morale por nuk është aspak e kundërligjshme”, ka vlerësuar Tomë Gashi.

Pushteti si qëllim

Sipas tij, në Kosovë ndodhë gjithçka me qëllim të marrjes së pushtetit por që qytetarët duhet të vetëdijesohen se kënd e votojnë.

“Kosova është shtet ku gjithçka lejohet dhe gjithçka ndodh me të vetmin qëllim që të merret pushteti dhe të mbahet pushteti. Deri sa qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen dhe të votojnë ato parti dhe ata individë që i mbajnë premtimet gjatë fushatave zgjedhore si opozitë edhe kur vijnë në pushtet. Atyre që pushtetin e kanë qëllim, në vete ju lejohet çdo gjë për të mbetur në pushtet”, ka deklaruar Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Gjoshi: Këto janë kërkesa që kanë bazë morale por jo edhe juridike

Image
Adrian Gjoshi

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi, duke folur për gazetën “Bota sot” për këtë temë, ka thënë se për publikun është e papranueshme që të emëruarit politik të kenë aktakuza por që në Kosovë veprohet sipas parimit të prezumimit të pafajësisë.

“E kuptoj se nuk është e pranueshme për publikun që mëson se të emëruarit politik janë duke kaluar nëpër procedura penale. Megjithatë, edhe në Kosovë operohet sipas parimit të prezumimit të pafajësisë. Derisa sa të përfundojë një procedim penal me vendim të gjykatës së formës së prerë, të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm dhe duhet të trajtohen si të tillë”, është shprehur ai.

Gjoshi vlerëson se, kërkesat që personat e tillë të mos bëhen pjesë e qeverisë janë morale dhe jo juridike pasi nuk ka ligj të veçantë që ndalon një gjë të tillë.

“Prandaj, kërkesa të tilla që të mos bëhen pjesë e qeverisë personat nën aktakuza, janë kërkesa që kanë bazë morale por jo edhe juridike, sepse nuk kemi ndonjë ligj të veçantë (siç mund të jetë në të ardhmen “Ligji për Qeverinë”) që ndalon një gjë të tillë”, ka deklaruar avokati Adrian Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Emrimet kanë kaluar cdo logjike

Image
Skënder Zogaj

Në anën tjetër, lidhur me aktakuzat që kanë ministrat e kësaj qeverie, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se emërimi i tillë i ministrave ka kaluar çdo logjike.

“Mënyra e emërimit të ministrave, zv/ ministrave, këshilltarëve dhe stafeve të ministrive, e ka tejkaluar çdo lloj logjike dhe, është për brengosje të thellë, sidomos kur marrim vesh se, ndër ta ka edhe persona me aktakuza për vepra penale”, është shprehur ai.

Sipas tij, kjo nuk do të duhej të ndodhte dhe udhëheqësit e shtetit duhet ta kuptojnë se me veprimet e tilla dëmtojnë edhe veten, duke humbur elektorat.

“Kjo nuk do të duhej të ndodhte sepse, në shoqëritë ku veprohet kështu, nuk mund të pretendohet për shtet ligjor! Prandaj, kur është fjala për kuadrot e larta shtetërore partitë politike duhet të ndërgjegjësohen dhe ta kuptojnë se me veprime të këtilla e dëmtojë rëndë edhe vetveten sepse e humbin respektin e elektoratit të tyre”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Krasniqi tregon pse u bë emërimi i Shalës

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, vlerëson se Qeveria Haradinaj është shndërruar në cirk, duke shtuar numrin e ministrave që kanë aktakuza nga prokuroria.

“Qeveria Haradinaj është shndërruar në një cirk. Në vend se të emërojnë ministra të pakompromentuar me aktakuza nga Prokuroria, ata emërojnë shtojnë numrin e ministrave me aktakuza. Edhe më qesharake është emërimi i zv-ministrave, numri i të cilëve ka kaluar mbi 100. Një vend i vogël si Kosova me gjithë këta ministra, zv-ministra e zv-kryeministra, sa është për të qeshur aq është për të qarë se çfarë njerëz po na udhëheqin”, është shprehur ai.

Krasniqi thotë se emërimi i Endrit Shalës në këtë ministri është bërë që Limaj ta shpallë fshatin e tij Zonë të Lirë Ekonomike, për çka ish ministri Bajram Hasani ishte kundër.

“Konsideroj që emërimi i Endrit Shalës ministër i Industrisë dhe Tregtisë është bërë me një qëllim të vetëm, në mënyrë që zv-kryeministri Limaj ta zbatojë planin e tij që fshatin e tij ta shpall Zonë të Lirë Ekonomike, gjë për të cilën ish ministri Bajram Hasani nuk ishte pajtuar dhe pasoi edhe shkarkimi apo detyrim dorëheqje”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat