Bashkimi LDK-VV “rrënon” PDK-në në zgjedhje

Politika

Bashkimi LDK-VV “rrënon” PDK-në në zgjedhje

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 4 tetor 2018 Në ora: 12:34
Foto ilustruese

“Ky koalicion i degradimit institucional duhet të shkoj në shtëpi, sa më shumë zgjatë kjo qeveri e skandaleve, e zhvatjes së buxhetit të Kosovës dhe të fraksionizmit absolut të institucioneve shtetërore duke i kthyer në interes grupor e klanor, është i dëmshëm për Kosovën dhe prosperitetin e saj”, thotë Zemaj për gazetën “Bota sot”.

Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kjo për faktin se, Qeveria aktuale është njëra prej më të dobëtave, e cila përveç interesave të saj klanore asnjëherë nuk është duke menduar për qytetarin e saj.

Qeveria e Kosovës, ka bërë shpenzime marramendëse gjatë kësaj kohe në rritjen e pagave të vartësve të saj, kurse Kosova po përballet në vazhdimësi me situata të vështira, ku qytetarët mezi po e përballojnë këtë kolaps të shtetit, i cili nuk ka shenja të përmirësimit.

Kosova, nuk po arrinë të këndellet nga politikanët të cilët si qëllim e kanë vetëm pushtetin e jo mirëqenien qytetare.

Madje, kjo situatë veçse e ka rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe sociale.

E zgjedhjet e reja parlamentare mund ta shembin PDK-në dhe aleatët e saj qeverisës.

AAK-ja, po të shkojë e vetme do ta ketë të vështirë të kaloj pragun e nevojshëm prej 5%, njëjtë që do të jetë edhe për Nismën Socialdemokrate.

Kosova pa partitë e “komandantëve”, natyrisht që do të ketë rrugën hapur për në BE.

Largimin e kërkuan edhe ndërkombëtarët  

Kujtojmë se, largimin e tyre nga skena politike e kanë kërkuar kohë më parë edhe miqtë ndërkombëtar, e për të ndodhur kjo është momenti i duhur që të rrëzohet qeveria dhe të bien komandantët e luftës, të cilët nuk arritën asnjëherë të bëhen heronj të paqes!

Politikanë dhe analistë politik deklarojnë se, kjo strukturë e cila po udhëheq me Kosovën është pa legjitimitet dhe e varur nga Lista Serbe, e cila punon me direktiva të Beogradit.

Për ta, zgjedhjet janë të domosdoshme në mënyrë që të rivendoset legjitimiteti dhe kredibiliteti i institucioneve.

Zemaj: Ky koalicion është i dëmshëm për Kosovën

Image
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj thotë se koalicioni i degradimit siç e quan ai duhet të shkoj në shtëpi.

“Ky koalicion i degradimit institucional duhet të shkoj në shtëpi, sa më shumë zgjatë kjo qeveri e skandaleve, e zhvatjes së buxhetit të Kosovës dhe të fraksionizmit absolut të institucioneve shtetërore duke i kthyer në interes grupor e klanor, është i dëmshëm për Kosovën dhe prosperitetin e saj”, thotë Zemaj për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thekson se kjo Qeveri është formuar me tradhti ndaj elektoratit dhe me deputetë të blerë dhe për këtë arsye, sipas saj duhet të shkohet urgjentisht në zgjedhje.

Image
Drita Millaku

“Të gjithë e dimë se si është formuar kjo Qeveri, pra me tradhti ndaj elektoratit dhe me deputet të blerë, andaj mendoj se kjo Qeveri është pa numra dhe është bërë në mënyrë klandestine andaj koha për zgjedhje ka qenë qysh në ditën e formimit te saj. Por duke i parë gabimet dhe dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie gjithashtu duke e parë se sovraniteti i shtetit është në rrezik duhet të shkohet në zgjedhje urgjentisht”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Millaku: Bashkëpunimi me LDK-në duhet të thellohet

Deputetja e LVV-së, shpreson se, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë lojëra çfarë ka bërë më herët, dhe në këtë mënyrë ajo është e bindur se Partia Demokratike e Kosovës do të shkoj në opozitë.

“Ne si LVV jemi të gatshëm për zgjedhje dhe ju them me shumë bindje se do të dalim partia e parë. Megjithatë, unë mendoj se, në këtë situatë që gjendet vendi bashkëpunimi me LDK-në duhet të thellohet. Dhe ky bashkëpunim do t’i dërgonte në pa-kthim PDK-në që për 10 vjet qeverisje ka shkatërruar çdo institucion të vendi dhe në përgjithësi ka shkatërruar shtetin”, potencon Millaku.

Image
Avni Zogiani

E se zgjedhjet duhet të mbahen, thotë edhe Avni Zogiani, i cili shton se, kjo Qeveri, madje as presidenti Hashim Thaçi nuk kanë legjitimitet.

“Zgjedhjet behën për arsye shumë më të vogla sesa kjo situata që e kemi ne, ku as qeveria e as presidenti nuk kanë legjitimitet. Zgjedhjet në Kosovë do duhej të mbaheshin që në momentin kur koalicioni nuk i kishte numrat dhe u vendos në varësi direkte të Beogradit nëpërmjet Listës Serbe. Mendoj se ekziston një shpresë dhe një pritje e gjerë e qytetarëve që PDK të largohet nga pushteti dhe është e besueshme se kjo do të ndodhë”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Zgjedhje para liberalizimit të vizave

Image
Faik Krasniqi

Opinionisti dhe analisti politik, Faik Krasniqi thekson se, në dhjetor të këtij viti Këshilli i Ministrave të BE-së pritet të votojë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. E pas votimit, sipas tij, dihet data e saktë se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen.

“Prandaj nuk do të ishte mirë që të shkohet në zgjedhje pa u mbyllur procesi i liberalizimit të vizave, sepse ky proces mund të shtyhet edhe për kohë akoma më të gjatë dhe nga kjo zvarritje pësojnë qytetarët e getoizuar, e jo politikanët që përveç se kanë pasaporta biometrikë posedojnë edhe pasaporta të shteteve të tjera”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë, dhe duhet të punojë shumë në këto muaj në mënyrë që t'i sigurojë votat e nevojshme, dhe pas Vitit të Ri vendi të shkojë në zgjedhje.

“Nëse LDK-ja dhe VV-ja krijojnë Qeverinë pas zgjedhjeve, padyshim që PDK-ja do të dal në opozitë. Por nëse ndonjë parti opozitare i bëhet bisht në qeverisje si në të kaluarën, atëherë PDK-në do ta kemi prapë në Qeveri”, përfundon Krasniqi.

Hertica: Rrëzimi i Haradinajt i panegociueshëm

Image
Ali Hertica

Se Kosova shpejt mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme e thotë edhe analisti politik, Ali Hertica.

Sipas tij, rrëzimi i Haradinajt është kusht i panegociueshëm pasi është një njeri që ka marrë përsipër, që 8 mijë hektar tokë të ia falë Malit të Zi kur u aprovua demarkacioni.

“Tani opozita e revoltuar duke pa situatën politike në vend dhe ikjen në emigracion, të qytetarëve të Kosovës jep sinjale se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, dhe kjo qeveri të shkoj në shtëpi duke dal në opozitë PDK-ja dhe satelitët e saj”, përfundon Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat