Thaçi nga varka në Ujman, e fundosi Veselin në Kuvend

Politika

Thaçi nga varka në Ujman, e fundosi Veselin në Kuvend

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 4 tetor 2018 Në ora: 14:39
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Më shumë se miq dhe kolegë politik, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, siç duket po i ndajnë rrugët. Një thyerje për shkak të politikës, mund t’i jap fund miqësisë së tyre, që me dekada ishte shumë aktive në çdo rrugëtim politik e më shumë!

Shokët e hershëm të ilegales, po përçahen për shkak të idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve, e këtë ide po e kundërshton Kadri Veseli, tash si i pari i PDK-së, e kur një kohë ishte vet Hashim Thaçi. Ky i fundit edhe pse zyrtarisht nuk është shef i PDK-së, ai e kontrollon atë në mënyrë të heshtur, përmes disa strukturave në PDK, që i qëndrojnë gjithmonë besnik atij.

Tre ministrat e PDK-së që janë në anën e presidentit, Abelard Tahiri, Bedri Hamza dhe Besim Beqaj, mund t’i japin fund qeverisë Haradinaj së bashku me krye parlamentarin Kadri Veseli, pasi që Tahiri ka paraqitur dorëheqjen e tij, e së bashku me të do shkojnë edhe Hamza e Beqaj.

Një shëtitje me varkë e presidentit Thaçi së bashku me ministrin Tahiri dhe Hamza, i pari mund t’ua ketë dhënë urdhrin që ta shqetësojnë Veselin me deklarimet për dorëheqje. Për të hedhur më shumë benzinë në zjarr, u përkujdes pikërisht Kadri Veseli, i cili nuk e pëlqeu vizitën e Thaçit së bashku me ministra në Liqenin e Ujmanit. Madje, ai dha kritika të forta për këtë, duke i bërë dy kundërshtime radhazi ndaj Thaçit.

Kjo prishje e marrëdhënieve mes dy personave që vetëm përmes shikimit e kuptonin dhe dërgonin mesazhe te njëri-tjetri, mund të jetë një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës.

PDK-ja si partia që ka qenë më së shumti në pozitë që nga koha kur vdiq presidenti historik Ibrahim Rugova, e ka lënë vendin gjithmonë mbrapa në proceset që do duhej ta dërgonin vendin para. Dhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë, ata asnjëherë nuk arritën që Kosovën ta ofrojnë buzë bregut të Bashkimit Evropian.

Ideja e tanishme e presidentit Thaçi për prekje kufijsh, nuk tregon më shumë se sa vazhdimësi e ideve të tij të rrezikshme që nga koha kur ishte kryeministër i Kosovës e kryetar i PDK-së. Ani pse kryetari aktual i kësaj partie po e kundërshton këtë ide të (ish) mikut të tij më të mirë, këtë nuk po bëjnë disa deputetë nga PDK-ja, që vërteton faktin se Thaçi ka rrënjosur thellë strukturat e tij brenda kësaj partie. Në bazë të kësaj, kurdo që Thaçi shpreh gatishmërinë e tij për kandidaturën si kryetar i PDK-së, ai sigurisht që do ta fundos Veselin dhe ndonjë piun të këtij të fundit.

Ky paralajmërim për dorëheqje nga tre ministrat që janë nën komandën e presidentit, mund të llogaritet si një mesazh nga ai për ata që po dalin kundër idesë së tij, veçanërisht kryeministrit Haradinaj dhe të parit të Kuvendit, Kadri Veseli. Paraqitjet për dorëheqje brenda 24 orësh dhe tërheqja e tyre, e vërtetojnë faktin se Thaçi vetëm sa u tregoi kryeministrit dhe kryeparlamentarit që të kenë kujdes me qëndrimet e tyre karshi idesë së tij, pasi një gjë e tillë mund ta shkatërroj të gjithë qeverinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat