Veseli vs Thaçi, kush fiton?

Politika

Veseli vs Thaçi, kush fiton?

Nga: D.RR Më: 4 tetor 2018 Në ora: 17:59
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi ka komentuar për “Bota sot” mosmarrëveshjet brenda PDK-së, respektivisht në mes të Hashim Thaçit si ish kryetar i kësaj partie dhe Kadri Veselit si kryetar aktual i saj.

Bytyçi mendon se ideja e presidentit për korrigjim kufijsh, nxori në sipërfaqe një grindje të brendshme dhe të papublikuar midis Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ai thekson se mos përputhja e ideve mes paraardhësit dhe pasardhësit në parti, mund të sjellë përçarje aty, ani pse presidenti Thaçi nuk ka zyrtarisht akses në PDK.

Image
Enver Bytyçi

“Teza serbe e promovuar nga presidenti i Kosovës për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë vetëm sa e nxori në sipërfaqe një grindje të brendshme dhe të papublikuar midis Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Është krejt normale që kur një familje politike e drejton një pasardhës, qoftë ky edhe i nominuar nga paraardhësi, ai të ndjekë një kurs politik të ndryshëm nga i pari. Ndërkohë është aftësia e paraardhësit që të akceptojë kursin dhe stilin e ri politik të pasardhësit. Por, në Kosovë ka ndodhur që paraardhësi në krye të PDK-së, pra Hashim Thaçi, të mos pajtohet me një sharm të ri të pasardhësit të tij, pra Kadri Veselit. Mesa duket dhe pikëpamjet e tyre ndryshojnë. Duke qenë se zoti Thaçi është president i Republikës, të cilën dëshiron ta copëtojë, i ruan instrumentet e presionit ndaj zotit Veseli. Këto instrumente janë suport për të imponuar jo vetëm politikat personale të presidentit në parti e në grupin parlamentar, por edhe për të nominuar si deputetë e ministra njerëz besnikë të tij. Kjo ka ndodhur në mënyrë të dukshme në Partinë Demokratike të Kosovës pas ardhjes së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në krye të PDK-së”, ka theksuar ai.

Profesori Bytyçi këtë e quan luftë institucionale, ndërsa mendon se debati për kufijtë e ka dobësuar Thaçin në pozitat e tij, pasi që askush nga PDK-ja nuk po i del në krah. Për më tepër, ai shprehet se Thaçi ka në dorë një pjesë të njerëzve të kryeministrit, kurse deputetët që e kundërshtonin, u arrestuan me urdhër të tij.

“Po t'i shtojmë kësaj faktin se Thaçi është president dhe Veseli kryetar i Parlamentit, atëherë duhet thënë se konflikti midis tyre kthehet në një konflikt institucional. Por shtrohet çështja se kush e kontrollon dhe kush e dominon njëri-tjetrin? E vërteta është se deri në momentin e debatit për kufijtë, Hashim Thaçi ka kontrolluar gjithçka në partinë që ai ka themeluar, ndërkohë që terreni për zotin Veseli ka qenë shumë i kufizuar. Debati për kufijtë i ka dobësuar pozitat e presidentit, sepse ai mbeti i vetëm në luftën e tij krah Beogradit për të realizuar programin e Ilia Garashaninit për Serbinë e Madhe. Kadri Veseli u pozicionua kundër ish-shefit të tij. Kjo u përjetua si sfidë personale nga ana e zotit Thaçi, aq sa publikisht u shpreh se anëtarët e qeverisë së Haradinajt janë njerëz të tij, pra se ai kontrollon dhe imponon jo vetëm Veselin, por edhe kryeministrin. Ishte kjo një deklaratë presioni ndaj kryeministrit, por që adresohej edhe të kryetari i Parlamentit. Ndërkohë ngjarjet precipituan pas kësaj deklarate. Së paku dy ministra, të cilët thuhet se janë besnikë të Thaçit, u përpoqën të japin dorëheqjen. Dy deputetë anti Thaçi gjithashtu u burgosën me urdhër të presidentit. Lufta guerile midis palëve në konflikt ka dalë në sipërfaqe, çka do të thotë se në këtë konflikt nuk ka kthim prapa”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Një analizë mirë e thurur nga profesori Bytyçi, të bën të mendosh ndryshe për skenarin e presidentit që t’i jap fund qeverisë Haradinaj. Gjithashtu, gjatë kësaj analize, Enver Bytyçi mendon se në momentin kur presidenti humb autoritetin dhe largohet si prijës i bisedimeve, atëherë i hapen rrugët Gjykatës Speciale të fillojë me akuzat, duke nisur me presidentin Thaçi.

“Dështimi i tezës serbe për ndryshimin e kufijve të mbrojtur nga zoti Thaçi, do ta dobësojë në maksimum autoritetin e presidentit të Kosovës. Dobësimi i autoritetit të tij krijon kushte lehtësuese që ai të largohet nga drejtimi e kryesimi i bisedimeve me Serbinë. Prej këtej do të vijë edhe një lehtësi e tretë: Largimi nga dialogu me Serbinë do t'ia lehtësojë punën Gjykatës Speciale për ta marrë atë nën akuzë. Shkuarja e Thaçit në gjykim, lehtëson pozitën e Kadri Veselit, sepse akuzat ndaj tij janë të përmasave shumë më të vogla sesa për Thaçin e njëkohësisht ai bëhet njeriu dominant i Partisë Demokratike të Kosovës. Në këtë mënyrë ai do të jetë i dobishëm për ruajtjen e një ekuilibri politik në parti e në skenën politike të vendit. Prandaj zoti Veseli pak gjasa ka të përfundojë në Gjykatën Speciale, pavarësisht selamet që ia dërgon Edi Rama nga Tirana përmes Baton Haxhiut, me qëllim që t'i bëjë presion për ta mbështetur zotin Thaçi për ndarjen e Kosovës dhe plotësimin e ëndrrës serbe të Vuçiqit. Aktualisht zoti Thaçi përpiqet të shkaktojë krizë qeveritare dhe ta largojë Ramush Haradinajn nga posti i kryeministrit. Manovra e tij është e lexueshme. Prandaj dhe ka aktivizuar disa ministra kukulla që ai i kontrollon. Por dorëheqjet e ministrave nuk e shkaktojnë krizën. Krizën e shkakton tërheqja e PDK-së nga koalicioni. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë sa kohë që Kadri Veseli të jetë në një valë me idetë dhe qëndrimin e qeverisë dhe të kryeministrit Haradinaj. Mundet që Thaçi të urdhërojë disa deputetë të PDK-së të kërkojnë mocion votëbesimi kundër kryeministrit dhe në këtë mënyrë ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Nëse ndodh kjo, atëherë opozita duhet të mbështet kryeministrin edhe si qeveri të pakicës, me qëllim që t'i dëshmojë presidentit atë qëndrim që u mbajt në protestë, se ai nuk mund t'i imponohet as popullit, as institucioneve të vendit. Kur është fjala për mbrojtjen e Kosovës nga aventura e presidentit të saj për ta copëtuar atë, të gjithë duhet të bëhen bashkë, deputetë të pozitës e opozitës. Nëse opozita do të përpiqet ta shfrytëzojë konfliktin midis Thaçit, nga njëra anë dhe Veselit e Haradinajt nga ana tjetër, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, atëherë kjo opozitë kthehet në vegël e Hashim Thaçit kundër Kosovës. Edhe protestat e saj zhvleftësohen dhe shumëzohen me zero”, është shprehur Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat