Qeveria Haradinaj po rrëshqet drejt fundit

Politika

Qeveria Haradinaj po rrëshqet drejt fundit

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 5 tetor 2018 Në ora: 07:59
Qeveria "Haradinaj"

“Nuk ka as kontinuitet e as forcë për të çuar më tutje mandatin e vet deri në fund dhe dita-ditës po jep sinjal se po i vjen fundi nga vet subjekti i cili është në koalicion sepse politika ishte e tillë që Haradinaj të bie viktimë e faljes së territorit me Malin e Zi. Kulla dhe Qakorri do jetë fundi i karrierës për Haradinajn nga tradhtia e miqësia e koalicionit”, ka përfunduar analiti politik, Ali Hertica për gazetën “Bota sot”.

Rezultatet e Qeverisë Haradinaj deri më tani janë të vogla dhe të pakënaqshme. Të tillë sipas të gjitha gjasave edhe do të përfundojnë, pasi që tashmë edhe zyrtarisht janë lajmëruar zërat e parë që tregojnë se kjo qeveri po i numëron ditët e fundit të saj.

Është ofrimi i dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahirit nga posti i tij, që ngjall pyetjen se çfarë eventualisht po ndodh me Qeverinë e Kosovës, a po i vije fundi saj?

Lidhur me ketë, nga LDK konsiderojnë se Qeveria Haradinaj është duke u mbajtur me paterica, dhe se zgjidhje të kësaj situate i shohin vetëm zgjedhjet e reja nacionale.

Ndërsa, njohësit e zhvillimeve politike janë të mendimit se këto zhvillime janë sinjalizues i qartë se Presidenti Hashim Thaçi dëshiron të shtrijë autoritetin e tij në PDK, për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”.

Pse Abelard Tahiri ofroi dorëheqje?

Ofrimi i dorëheqjes së Tahirit është mësuar tashmë se vjen si pasojë e problemeve të fundit në sistemin e drejtësisë dhe ndërhyrjeve politike në të. Mirëpo, një gjë e tillë nuk është konfirmuar edhe me tej.

Gjithashtu, deri te vendimi për të ofruar dorëheqjen,  ka ardhur edhe si pasojë, pasi ky i fundit, ka parë vështirësi në liberalizimin e vizave pikërisht për shkak të zhvillimeve të fundit në drejtësi.

Deputetja e LDK-së: Kjo qeveri është me paterica!

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, duke i komentuar ngjarjet e fundit që karakterizuan qeverinë aktuale, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Qeveria Haradinaj është me paterica dhe se nuk ka zgjidhje tjetër përpos zgjedhjeve të reja.

Bunjaku-Rexhpi është shprehur se menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme Kuvendi i Kosovës duhet të kërkoj edhe shkarkimin e kreut të vendit.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

“Kjo qeveri është me paterica. Nuk ka zgjidhje tjetër përpos zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndërsa, menjëherë pas zgjedhjeve duhet që Kuvendi i Kosovës me shkarku edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi”, është shprehur deputetja Bunjaku-Rexhepi.

E pyetur se kur pritet që LDK-ja të merr iniciativën për mocionin për rrëzimin e Haradinajt, deputetja nga Gjilani u përgjigj duke thënë se si parti janë gati, por kanë mungesë të votave.

“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës jemi gati, mirëpo , ju e dini që momentalisht nuk i kemi votat e mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë aktuale”, ka përfunduar deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi për gazetën “Bota sot”.

Çështja “Tahiri”, Krasniqi thotë se ka të bëjë me rivalitetin mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli

Situatën e krijuar e ka komentuar edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dorëheqja e Abelard Tahirit nga posti i ministrit të Drejtësisë, ka të bëjë me rivalitetin e krijuar mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Konsideroj që dorëheqja e Abelard Tahirit nga posti i ministrit të Drejtësisë , ka të bëjë me rivalitetin mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ish-ministri Tahiri është njeri i Thaçit, dhe Kadri Veseli dëshiron që ta pastrojë partinë nga njerëzit e tij. Një gjë të tillë edhe e paralajmëroi”.

Image
Faik Krasniqi

“Prandaj, nuk besoj që direkt kjo ka të bëjë me Ramush Haradinajn, sepse PDK-së në këto muaj nuk do t'i leverdisnin zgjedhjet e parakohshme. Ajo është e vetëdijshme që shkuarja në zgjedhje do të thoshte fundi i saj”, ka thënë analisti Krasniqi.

Ai ka bërë me dije se zgjedhjet e brendshme për PDK-në janë opsion në pranverën e vitit të ardhshëm, pasi qytetarët do të fillojnë të lëvizin lirshëm në zonën shengen.

“ Zgjedhjet për PDK-në janë opsion në pranverën e vitit të ardhshëm, pasi qytetarët do te fillojnë të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, por jo edhe para fundit të këtij viti”, ka përfunduar, Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Së fundi, mbi situatën e krijuar në këtë parti, ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka konfirmuar se ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri nuk do të japë dorëheqje.

“Thaçi do shtrijë autoritetin e tij në PDK për rrëzimin e Qeverisë ‘Haradinaj’”

Në anën tjetër, analisti tjetër politik, Ali Hertica, potencon se largimi i ministrit të Drejtësisë Abelard Tahiri sinjalizon se drejtësia e vendit është duke u drejtuar nga oligarkët dhe mafia

Hertica shton se kërkesa e Tahirit është tregues  se ish-kryetari i PDK-së tani president i vendit do të shtrijë autoritetin e tij në PDK për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”,

“Çështjet e sovranitetit nacional dhe jo individuale dhe territorit i takon sovranit, pra Kuvendit, asnjë organ i Kosovës, veç përfaqësueseve të sovranit nuk ka të drejtë të nënshkruaj apo të negocioj marrëveshje ndërkombëtare që prek çështjet nga neni 18.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Image
Ali Hertica

“Tani largimi i ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri sinjalizon se drejtësia e vendit është duke u drejtuar nga oligarkët dhe mafia e politika që është nën kontrollin e tyre ku ata janë mbi ligjin dhe shtetin edhe ministri i këtij dikasteri thuhet se nuk është i kënaqur me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, si dhe me ndërhyrjet politike në këtë sektor nga politika, por thuhet se arsyeja e dorëheqjes është vizita e tij e fundit në Liqenin e Ujmanit të shtunën e kaluar bashkë me presidentin Hashim Thaçi, si dhe me ministrin e Financave, Bedri Hamaza, ku kjo tregon se Presidenti Thaçi do të shtrijë autoritetin e tij në PDK për rrëzimin e Qeverisë ‘Haradinaj’”, ka thënë analisti Hertica.

Ai thotë se, dita-ditës kjo qeveri po jep sinjal se po i vjen fundi nga vet subjekti i cili është në koalicion, dhe sipas analistit, politika ishte e tillë që Haradinaj të bie viktimë e faljes së territorit me Malin e Zi.

“Nuk ka as kontinuitet e as forcë për të çuar më tutje mandatin e vet deri në fund dhe dita-ditës po jep sinjal se po i vjen fundi nga vet subjekti i cili është në koalicion sepse politika ishte e tillë që Haradinaj të bie viktimë e faljes së territorit me Malin e Zi. Kulla dhe Qakorri do jetë fundi i karrierës për Haradinajn nga tradhtia e miqësia e koalicionit”, ka përfunduar analiti politik, Ali Hertica për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se, u raportua se edhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj ishte i treti që brenda pak ditëve, pas Bedri Hamzës, që ka ofruar dorëheqjen nga Qeveria Haradinaj, por një gjë e tillë u demantua nga vet Beqaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat