Draft Rezoluta mashtruese - Bota Sot
Draft Rezoluta mashtruese

Politika

E mërkurë, 17 tetor 2018

Draft Rezoluta mashtruese

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 7 tetor 2018 Në ora: 14:16
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli

Kadri Veseli ka mbledhur të shtunën në kabinetin e tij liderët e koalicionit qeverisës, për ta diskutuar me ta mundësinë e harmonizimit të një Rezolute për Dialogun, në të cilën do të përfshiheshin pozita dhe opozita.

Veseli i ka ftuar sot në takim Kryeministrin Ramush Haradinaj, Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi, para të cilëve ka shtruar nevojën për arritjen e konsensusit mes partive politike parlamentare lidhur me Dialogun.

Kjo për shkak se, faza finale e Dialogut Kosovë-Serbi pritet të rifillojë së shpejti dhe institucionet e vendit janë mobilizuar për t’i bashkuar qëndrimet mes pozitës dhe opozitës lidhur me platformën dhe ekipin në këtë proces të rëndësishëm.

Por, kjo draft rezolutë ka mundësi të jetë bërë vetëm sa për t’ia zgjatur jetën koalicionit qeveritar, që assesi nuk po mundet të jetë efektiv në detyrat e tij. Ky hartim i kësaj draft rezolute nga Veseli, tregon se raportet e tij me Thaçin ende janë të ngrohta dhe kjo nëse miratohet, mund t’i zgjasë Thaçit pozitën e kreut të dialogut me Serbinë.

Nëse ata po mundohen të mashtrojnë qytetarët me këtë rezolutë, ata po harrojnë se një lloj rezolute si kjo ishte edhe për demarkacionin me Malin e Zi, e cila kurrë nuk u respektua. Draft-rezoluta e re është hartuar bashkë me anëtarët e tjerë të koalicionit qeveritar PDK-AAK-NISMA-AKR, duke “mandatuar” edhe një delgacion (pa kompetenca), me përfaqësues nga të gjitha partitë, si lodër e Hashim Thaçit në dialog. 

Me shumë mundësi, kjo rezolutë është e porositur nga vetë presidenti Thaçi, dhe nuk është asgjë më shumë sesa një tentim i tij i ri për një rrugë më të lehtë për dialogun. Nëse edhe kjo dështon, ta shohim Thaçin në aksion. Çdokush që është lehtë i tundueshëm prej të mirave materiale, a prej të mirave politike, duhet të qëndrojë larg nga Presidenca.

Është një gjë pozitive që menjëherë pas publikimit të kësaj draft rezolute, partitë më të mëdha opozitare në vend, LDK-ja dhe Vetëvendosja, u treguan të vëmendshme dhe refuzuan kategorikisht këtë, duke ua shuar shpresat koalicionit qeverisës që kontrollohet në mënyrë tendencioze nga Thaçi.

Mirëpo rreziku qëndron se, nga e kaluara kemi mësuar që presidenti Thaçi është në gjendje ta bëjë çdo kënd për vete nëse ia vë syrin. Për t’u shqetësuar është edhe deklarata e kryeministrit Haradinaj të shtunën mbrëma, i cili pas një kundërshtimi të ashpër për idenë e Thaçit, doli e tha se do ta pranojmë marrëveshjen nëse Kosova nuk humbet asgjë dhe fiton Kosovën Lindore.

Këto fjalë vazhdimisht i thotë edhe presidenti Thaçi, e përsëritja e tyre nga kryeministri Haradinaj pas një kundërshtimi strikt, mund të ngjallë dyshime se presidenti e ka bërë për vete kryeministrin në këtë lojë.

Madje, presidenti “rrëshqiti” në një deklaratë të tij para disa ditëve, ku tha se ai nuk po e shkel kushtetutën, pasi që ende nuk është nënshkruar marrëveshje. Pra, sipas Thaçit, ai do ta pranojë fajin se ka shkelur kushtetutën vetëm kur ta nënshkruaj atë. Mirëpo atëherë do të jetë shumë vonë.

Kjo krizë politike nuk ka zgjidhje tjetër përpos dorëheqje së presidentit Thaçi dhe shpërbërja e Kuvendit drejt zgjedhjeve të reja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test