Qeverisja e keqe po e pengon procesin e themelimit të ushtrisë

Politika

Qeverisja e keqe po e pengon procesin e themelimit të ushtrisë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 tetor 2018 Në ora: 10:42
FSK

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri e Mbikëqyrje të FSK-së ditë më parë ka votuar pakon me tre projektligje që lidhen me shndërrimin e FSK-së në ushtri, duke i proceduar ato në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Mirëpio, sikur edhe pritej, përfaqësuesi i Listës Serbe në këtë komision u shpreh kategorik kundër, duke paralajmëruar njëherësh se nuk do të votojnë pro shndërrimit FSK-së në ushtri të Kosovës.

Rugova: Askush nuk mund ta ndale këtë proces të natyrshëm

Deputeti i LDK-së Naser Rugova, në lidhje me këtë çështje ka thënë për “ Bota sot” se LDK do ti mbështes të gjitha angazhimet për FSK-në.

Image
Naser Rugova

“Ne si LDK do të mbështesim të gjitha iniciativat dhe angazhimet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, në këtë kontekst e kemi mbështetur edhe pakon ligjore në komisionin përgjegjës të Kuvendit të Kosovës. Me konsensus politik dhe akordim të plotë me SHBA dhe NATO askush nuk mund ta ndale këtë proces të natyrshëm për shtetet sovrane”, ka thënë deputeti Rugova.

Krasniqi: Vetëm presioni ndërkombëtar bindë serbët

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se, me Kushtetutën e Ahtisarit për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, nevojiten edhe votat e 2/3 të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, prandaj është vështir krijimi i Ushtrisë.

Image
Faik Krasniqi

“Nuk e di ky Komision në çfarë mënyre e ka paraparë votimin pro krijimit të Ushtrisë. Megjithatë unë besoj që vetëm ndonjë presion i madh ndërkombëtar do t’i detyronte deputetët serbë që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, përndryshe do të ngelemi pa krijimin e saj. Dhe ky presion edhe nëse bëhet, do t’i bëhet qeverisë së Serbisë, në mënyrë që ata t’i shtyjnë deputetët serbë të ”Listës Serbe” që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, sepse kjo Listë është e krijuar nga qeveria serbe dhe dirigjohet dhe bindet vetëm urdhrave të tyre”, ka thënë Krasniqi.

Kajtazi: Kjo logjike qeverisëse ka rrezik të degjenerojë edhe proceset e konsolidimit të ushtrisë

Eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi ka thënë se, me këto projektligj nuk parashikohet të bëhet shnëdërrimi i FSK-së në ushtri, por dhënia e kompetencave shtesë ndryshimi i misionit, që do të thotë se ajo do të merr kompetenca të një ushtrie dhe sipas tij, ky është lajm i mire.

Image
Fadil Kajtazi

Ai ka thënë për “ Bota sot” se lajmi më i mirë është fakti se SHBA po e përkrah këtë iniciativën rreth FSK-së.

“Ajo që ka rëndësi është fakti që strukturat shtetërore duhet të jenë të kujdesshme që mos të lejojnë që FSK gjatë marrjes së kompetencave mos të rrëshqet në nivelin e institucioneve tjera, sa i përket mënyrës së funksionimit. Ushtria është institucion serioz dhe ajo duhet ti ketë njerëzit e duhur në vendin e duhur. Dhe nëse edhe ky institucion përfshihet nga jo profesionalizmi, nepotizmi dhe aferat korruptive sikurse Policia e Kosovës dhe AKI, më mirë është që të mos konstatohet fare sepse në vend të sigurisë, ky institucion ka kapacitet që të prodhojë pasiguri më të madh”, ka thënë Kajtazi.

Eksperti i sigurisë ka shtuar se, problemi i Listës dhe listave serbska është më i vogli sa i përket funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ato janë vegla të aparatit shtetëror të Serbisë për të sabotuar Kosovën përmes aksioneve politike dhe subversivë. Problemi më tepër qëndron tek elitat e dobëta shtetërore të cilat kanë qasje primitive në ndërtimin e shtetit. Jemi dëshmitar që në këtë buxhet të varfër, qeveria nuk po e ndal emërimin e zëvendësministrave. Kjo logjike qeverisëse ka rrezik të degjenerojë edhe proceset e konsolidimit të ushtrisë dhe Kosovës nuk i duhet një ushtri veç sa për të thënë“, ka potencuar Kajtazi.

Burjani: I rëndësishëm konsensusi pozitë opozitë

Image
Blerim Burjani

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka thënë se, kjo është sërish një përpjekje për të themeluar ushtri pa kushtetutë.

“Në këtë rast pozitive është se partitë si pozita dhe opozita kanë konsensus, por mbetet problemi me kushtetutë , misioni nuk mund të ndryshohet i FSK-së mbi kushtetutën ose anashkalimin, pasi që kushtetuta është e qartë, ligjet nuk janë problem mund të marrin votat e duhura në Kuvend, por mbetet faktori ndërkombëtar, NATO e cila duhet të jap pëlqimin e saj. Pra pa dhënie të një pëlqimi nga NATO, mbetet në nivel vullneti dhe dëshira. Megjithatë duhet pasur parasysh se NATO është në KFOR dhe ka mandate në OKB. Dhe ndonëse e komplikuar kështu me ligj pa bazë kushtetuese dihet se pakica serbe në Kuvend po e pengon shtetin e Kosovës për të bërë ndryshime adekuate në kushtetutë. Nuk ka shumë shpresë por megjithatë duhet të shkohet përpara dhe duhet hapur debat me Bashkësinë Ndërkombëtare për të marr qëndrim ndërkombëtar”, është shprehur Burjani.

Haziri: FAK nuk do të përbëj rrezik për askënd  

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri, ka deklaruar se pa votat e Listës Serbe nuk mund të behën ndryshimet kushtetuese që kërkojnë 2/3 e votave në Kuvend dhe po ashtu shumicën e kualifikuar të votave të deputetëve minoritar, gjë që ka shkaktuar probleme deri më tani për këto ndryshime që natyrisht kanë ndikuar edhe në transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

“Bazuar në deklaratat e kryeministrit Haradinaj, i cili thotë të ketë marrë mbështetje nga SHBA-të dhe vendet tjera të BE-së dhe anëtarët e NATO-së për transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, atëherë Lista Serbe nuk do të mund ta pengoj këtë proces. Por, duhet pritur në ditët në vijim nëse kjo mbështetje është fituar nga aleatët tanë siç e ka proklamuar vet kryeministri Haradinaj që Kosova të shkoj drejtë formimit të ushtrisë së sajë, e cila siç është deklaruar edhe nga të tjerët nuk do të përbëj rrezik për askënd , përveç se do të kontribuoj në forcimin e sigurisë në vend por edhe në rajon”, ka thënë Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat