Serbia në panik, ushtria e Kosovës shkon edhe në veri - Bota Sot
Serbia në panik, ushtria e Kosovës shkon edhe në veri

Politika

E premte, 19 tetor 2018

Serbia në panik, ushtria e Kosovës shkon edhe në veri

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 tetor 2018 Në ora: 22:05
FSK

“Çdo armatë e një shteti të pavarur lëvizë dhe operon lirshëm në tërë territorin e shtetit të vet, prandaj këtë të drejtë dhe mision do ta ketë edhe ushtria e Kosovës. Unë nuk dua të besoj që shteti i Kosovës do lejojë që presidentë të shteteve fqinje të na diktojnë se kah dhe si duhet të veprojë ushtria e një shteti sovran”, është shprehur deputeti i LDK-së Naser Rugova.

Forca e Sigurisë së Kosovës më nuk do të ketë kufizime për lëvizje të lirë brenda territorit të Kosovës dhe do të mund të lëvizë lirshëm edhe në veri të vendit.

Kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se këtë përkrahje e ka marrë edhe nga Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis.

Kjo sipas Haradinaj do të bëhet me miratimin e pakos së projektligjit të ri për Forcën e Armatosur të Kosovës, të cilën Qeveria ia ka dërguar Kuvendit.

Ai ka thënë se nuk do të nguten për miratimin e tri projektligjeve për FSK-në në Kuvend, por këtë do ta bëjnë në një afat të caktuar.

Rugova: Çdo armatë e një shteti të pavarur lëvizë dhe operon lirshëm në tërë territorin e shtetit të vet

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se FSK-ja nuk do të mund të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it.

Për këtë, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se çdo ushtri e një shteti të pavarur duhet të lëviz lirshëm në tërë territorin e vendit dhe nuk duhet të na diktojnë presidentët e vendeve fqinje se si të veprohet me ushtrinë tonë.

Image
Naser Rugova

“Çdo armatë e një shteti të pavarur lëvizë dhe operon lirshëm në tërë territorin e shtetit të vet, prandaj këtë të drejtë dhe mision do ta ketë edhe ushtria e Kosovës. Unë nuk dua të besoj që shteti i Kosovës do lejojë që presidentë të shteteve fqinje të na diktojnë se kah dhe si duhet të veprojë ushtria e një shteti sovran”, është shprehur ai.

Deputeti Rugova ka thënë se LDK do të mbështes të gjitha procedurat për shndërrimin e FSK-në në ushtri.

“Po, LDK do të mbështes të gjitha procedurat ligjore për shndërrimin e FSK në ushtri”, ka deklaruar Naser Rugova për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Vuçiq nuk është kurrfarë garanti në raportet ndërmjet NATO-s e Kosovës

Ndërsa lidhur me këtë, se a do të mund të lëvizë lirshëm FSK-ja edhe në veri dhe deklaratën e Vuçiq, politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën ”Bota sot”, ka thënë se çdo ligj i Republikës së Kosovës ka shtrirje në gjithë territorin e Kosovës.

Image
Ramush Tahiri

“Është plotësisht në të drejtë Kryeministri i Kosovës për ndryshimet në ligjin për FSK dhe për kompetencat e saj dhe për aftësinë operative dhe për angazhimin e sajë. Secili ligj i Republikës së Kosovës që rregullon cilëndo fushë të jetës dhe të punës, ka shtrirje në të gjithë territorin e saj pa asnjë kufizim”, është shprehur ai.

Sipas tij, FSK është profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe çdo pengesë që i bëhet, është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën     

“Çfarëdo pengese që bëhet nga kushdo qoftë, afatshkurtër apo afatgjatë, është kundërligjore dhe kundër kushtetuese. FSK është forcë profesionale, shumë etnike e shumë fetare në përbërjen e saj në shërbim të shtetit të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim”, ka vlerësuar politologu. 

Sa i përket deklaratës së Vuçiqit se FSK nuk do të lëvizë në veri, Tahiri thotë se ajo është përzierje flagrante në punët e brendshme të Kosovës dhe se ai nuk ka garanti as ndërmjetësim në raportet e Kosovës dhe NATO-s.

“Deklarata e Vuçiqit është përzierje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Ai as si person e as si institucion nuk është kurrfarë garanti e as kurrfarë ndërmjetësi në raportet ndërmjet NATO-s e Kosovës”, ka deklaruar Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Shala: Trasnformimi i FSK-në në fazën finale

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se deklaratat nga Serbia janë dëshmi se FSK është në fazën finale të transformimit të saj në forcë të armatosur.

Image
Drizan Shala

“Sa i përket deklarimeve nga institucionet e shtetit të Serbisë janë dëshmi që institucioni i sigurisë se Kosovës (FSK-ja) është në fazën finale të kalimit nga një forcë emergjente konform pakos se Ahtisarit në atë të mbrojtjes siç janë: Bundersëeheri Gjerman, Israel Defenc Force IDF të Israelit apo Sëiss Coy -Zvicerane të cilët kanë mandat mbrojtjes të hapësirës territoriale dhe hapësinore Dhe në këtë rrugë është duke lëvizur FSK-ja, me miratimin e pakos së ligjeve të cilët e rregullojnë mandatin e saj”, është shprehur ai.

E për lëvizjen e FSK-në veri, Shala vlerëson se kjo ajo mund të lëvizë lirshëm dhe pa asnjë miratim nga NATO, pasi që nga viti 2013 ajo është e gatshme për misionin e ri.

“Ndërsa sa i përket lëvizjes së FSK-së me mandatin e ri në pjesën veriore të Kosovës mendoj që kjo gjë nuk është e ndaluar në asnjë formë apo nga ndonjë institucion ndërkombëtar sepse tërësia territoriale e Kosovës është që nga lindja deri në perëndim apo nga jugu në veri dhe në këto katër sfera hapësinore brenda RKS-së, Forca e Sigurisë se Kosovës mund të lëvizë pa asnjë problem dhe pa asnjë miratim nga NATO.  Sepse FSK-ja është e gatshme që nga nëntori i 2013 për misionin e ri dhe në atë kohë MFSK-ja ka planifikuar një plan të transionit 10 vjeçar për të bërë Kosovën (FSK-në) në FAK përmes ndryshimeve kushtetuese ndërsa me planin B siç është ndryshimeve të mandatit MFSK-ja duhet që këtë plan të modifikojë dhe të adaptojë me rrethana të reja të krijuar pas miratimit të mandatit të ri. E që baza kryesore duhet të jetë: Trajnimet me karakter ushtarak/mbrojtjes dhe furnizim me armatim të kualitetit të lartë të përcaktuar nga NATO dhe pjesën tjetër përcjellëse të infrastrukturës statike”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

Islami: Shndëdërrimi i FSK-së në FAK nëpërmjet ligjit, i pamundur

Kurse, profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, ka thënë për gazetën “Bota sot” se institucionet dështuan të transformojnë FSK-në në FAK përmes ndryshimeve kushtetuese dhe po i bëjnë ndryshimet në ligj, duke mos ja ndryshuar as emrin, por që me ndryshimet në ligj FSK-së i jepen autorizime shtesë.

Image
Avni Islami

“Tendenca e institucioneve të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, përmes ndryshimeve kushtetuese u pa se është e pamundur për shkak të qëllimeve të ngurta politike të minoritetit serb dhe si rrjedhojë e kësaj, pa pëlqimin apo pa miratimin e 2/3 të deputetëve nuk mund të bëheshin ndryshimet për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Për shkak të kësaj, institucionet e Republikës së Kosovës janë detyruar që të bëhen disa ndryshime në ligjin mbi FSK-në pa ja ndërruar emrin dhe përmes ndryshimit të ligjit, tu jepen autorizimeve shtesë që deri më tash nuk i kishte FSK-ja. Ato autorizime të cilat tashmë në draft-ligjin që qeveria i ka dërguar kuvendit, FSK-së i jepet mandat i plotë, që të armatosen sipas standardeve ligjore dhe të NATO-s dhe se me miratimin e këtyre 3 projektligjeve FSK-ja ka të drejtë që të shkelë apo ta mbrojë gjithë territorin e Kosovës”, ka theksuar Islami.

Ai krahason dhe vizitën e Thaçit në veri, duke thënë se kur të bëhen ndryshimet në ligjin për FSK-në, atëherë ajo do mund të lëvizë lirshëm në çdo cep të Kosovës dhe ta mbrojë vendin.

“Pra me këtë i jepet mandat apo autorizim shtesë të cilin e kishte deri më sot dhe rrjedhimisht duhet bërë një analogji me vizitën e presidentit Thaçi në veri të vendit së fundmi, ku kishte dhe deklarata kundërthënëse dhe zhgënjyese të presidentit serb duke thënë se Thaçi nuk mund të shkonte në veri pa pëlqimin edhe të Serbisë. Dhe KFOR-i ishte ai që tha se presidenti ka të drejtë që të lëvizë lirshëm në tërë territorin e Kosovës. E thashë këtë me analogji që në momentin kur FSK ka mandat ligjor, ajo ka të drejtë që në çdo cep të Kosovës ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, për shkak se është e vendosur me ligj. Me këto ndryshime ligjore, FSK-ja ka mandat të plotë që të kalojë edhe në veri edhe kudo në çdo cep të Kosovës”, ka deklaruar Avni Islami për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test