Abazi: Thaçi i frikësuar për të ardhmen e tij, përplasje me Haradinajn një konflikt i vjetër - Bota Sot
Abazi: Thaçi i frikësuar për të ardhmen e tij, përplasje me Haradinajn një konflikt i vjetër

Politika

E mërkurë, 17 tetor 2018

Abazi: Thaçi i frikësuar për të ardhmen e tij, përplasje me Haradinajn një konflikt i vjetër

Nga: G.B Më: 9 tetor 2018 Në ora: 13:22
Haki Abazi

Dje kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shpreh ngushëllime për idenë e korrigjimit të kufijve, për të cilën tha se ka vdekur.

E pas kësaj deklarate të tij, kreu i shtetit, Hashim Thaçi, thirri konferencë për media, në të cilën tha se kryeministri duhet të korrigjojë deklaratat e tij, pasi nëse nuk korrigjohet mund të ndërrohet.

Për përplasjen për kufijtë në mes të kryeministrit dhe presidentit, njohësi i çështjeve aktuale politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se akuzat në mes tyre shpërfaqin një konflikt të vjetër në mes të Thaçit e Haradinajt, duke shtuar se Thaçi tentoi të bëjë një shkarravitje të sedrës së kryeministrit.

“Akuzat e ndërsjella janë duke shpërfaqur një konflikt të vjetër ndërmjet Thaçit dhe Haradinajt. Konferencat e Thaçit janë indikator i devalvimit të plotë të funksionimit të institucioneve, mungesa e përgjegjësisë për fjalën publike dhe mungesën e plotë e llogaridhënies para qytetarëve. Ajo që tentoi të bëjë Thaçi  është një shkarravitje e sedrës së kryeministrit duke e kërcënuar dhe në të njëjtën kohe duke i thënë që ai është bosi i tij”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, është fatkeqësi se ku e kanë sjellë gjuhën dhe vendin.

“Është fatkeqësi ku e kanë sjellë gjuhën dhe vendin. Por nuk ka se si të jete ndryshe përplasja. Këta kane zgjedhur veteranët që t’i bëjnë mish për top dhe si duket po i numërojnë momentet e fundit”, ka vlerësuar ai.

Abazi shprehet se zgjedhjet janë të domosdoshme, derisa shton se Thaçi po ndihet i frikësuar për të ardhmen e tij, pasi e ka humbur mbështetjen e qytetarëve dhe të PDK-së. “Zgjedhjet janë të domosdoshme për të rivendosur funksionalitetin dhe legjitimitetin e institucioneve. Thaçi po duket qartë që është i frikësuar për të ardhmen e tij dhe po flet pa koncept në konferencat bajate për shtyp. Ai po e kupton se ka humbur mbështetjen nga qytetarët përfshirë edhe nga baza tradicionale e PDK-së të cilët e kanë kuptuar se janë material harxhues dhe tepricë teknologjike kur vije në pyetje interesi personal i tij”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test