Vetëm zgjedhjet e shpëtojnë vendin nga Thaçi e Haradinaj - Bota Sot
Vetëm zgjedhjet e shpëtojnë vendin nga Thaçi e Haradinaj

Politika

E mërkurë, 17 tetor 2018

Vetëm zgjedhjet e shpëtojnë vendin nga Thaçi e Haradinaj

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 9 tetor 2018 Në ora: 18:11
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Përplasjet e fundit ndërmjet Ramush Haradinajt, njërit prej kryeministrave të koalicionit PDK-AAK-Nisma-AKR minoritetet, dhe Presidentit  Hashim Thaçi, pasqyrojnë gjendjen e mjerueshme në të cilën këta të dy e kanë katandisur Kosovën.

I pari me keqqeverisje deri në bashkëpunimin me njerëz të dyshuar për krime, ndërsa i dyti me idenë e tij që qon ujë në mullirin e Serbisë.

Që të dy janë fajtorë në mënyrën e tyre. Por, nëse mendohet më thellë kjo situatë, atëherë del se fajtori më i madh është Ramush Haradinaj, i cili nuk qe i zoti që të drejtojë dialogun me Serbinë, duke e lënë Thaçin që të vendosë për të ardhmen e vendit.

Jo se Haradinaj do të vepronte më mençur, por e pakta që mund të bëhej, do të ishte që frerët e dialogut t`i marrë kuvendi i Kosovës, nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Por, ëndrra e Haradinajt për pushtet, solli një realitet krejtësisht të hidhur për vendin. Tani Thaçi po do që të bëj korrigjimin e kufirit, për të marrë Kosovën Lindore dhe për të arritur njohjen e Serbisë.

E kjo nuk mund të quhet ndryshe, përpos një përpjekje për të hedhur pluhur në sytë e qytetarëve të Kosovës.

Mirëpo, qytetarët tashmë i kanë kuptuar hilet e presidentit Thaçi, ashtu sikurse edhe janë ngopur me keqqeverisjen e Ramush Haradinajt. Një gjë e tillë u vërtetua edhe në protestën e 29 shtatorit, ku mijëra qytetarë, protestuan me moton “Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”.

Në këtë mënyrë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, mori dritën e kuqe për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Konferencat klishe të Thaçit, tashmë nuk po  bëjnë punë. Së fundi ai ka zgjedhur sulmin ndaj Haradinajt, duke ia bërë me dije që të heshtë, në të kundërtën do të rrëzohet nga pozita.

Po pra, Thaçi ka në duar edhe  Qeverinë e Kosovës, të cilën mund ta rrëzojë vetëm me një telefonatë disa sekondëshe. Një pjesë e madhe e PDK-së, vazhdon t`i përgjigjet urdhrave të Thaçit, ani pse ai më nuk është pjesë e kësaj partie.

Kjo u vërtetua edhe me paralajmërimet për dorëheqje të disa ministrave nga kjo parti javën e kaluar, pasi ata shkuan deri në “Ujmani”, së bashku me Thaçin. Thënë të drejtën, kjo vizitë ishte më shumë një lloj “folklorizmi”, pasi Serbia ende e ka në tavolinë diskutimi çështjen e këtij gjiganti ekonomik të Kosovës.

E të hënën, Hashim Thaçi zgjodhi sulmin si mbrojtjen më të mirë ndaj deklaratave të Haradinajt se ideja për ”korrigjim kufijsh” ka vdekur.

E preku Haradinajn në pikën e tij të dobët duke ia përmendur takimin me bosin e veriut Milan Radojçiq,  e po ashtu edhe listat e fryra të veteranëve.

Çështjen e fundit, Thaçi e ndërlidhi me liberalizimin e vizave, duke thënë se presioni në organet e drejtësisë, mund të ndikojë që ky proces të mos realizohet së shpejti.

Gjithë kjo situatë ndërlidhet me biografinë jo të pastër të Haradinajt, i cili e ka të zënë “bishtin me derë”, për shkak të veprimeve të së kaluarës.

Epilogu i tërë kësaj, pritet të jenë zgjedhjet, për të cilat opozita ka një kohë të gjatë që ka shprehur interesim.

Pas zgjedhjeve të parakohshme që po duken në horizont, qytetarët e Kosovës do t`i tregojnë vendin edhe Thaçit edhe Haradinajt, të cilët e kanë dërguar vendin buzë greminës. Zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet janë shpëtimi...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test