Përplasja Thaçi-Haradinaj paralajmëron zgjedhjet e parakohshme - Bota Sot
Përplasja Thaçi-Haradinaj paralajmëron zgjedhjet e parakohshme

Politika

E premte, 19 tetor 2018

Përplasja Thaçi-Haradinaj paralajmëron zgjedhjet e parakohshme

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 10 tetor 2018 Në ora: 10:24
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj

Liderët e shtetit kanë filluar përplasjet për “jetë a vdekje”, pra për jetë në pozitë apo për dalje në opozitë.

Liderët e dikurshëm të luftës, tashmë janë kthyer në rival politik edhe pse koalicionin qeverisës e udhëheqin së bashku.

PDK-ja, partia e presidentin Hashim Thaçi, dhe Ramush Haradinaj me AAK-në, ashtu siç kanë formuar koalicionin pa parime themelore të një legjitimiteti, tashmë kanë filluar të përçahen. Përçarje kjo e cila mund të na dërgon në zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Kur liderët e shtetit fillojnë luftën mes tyre, luftë kjo që kryekëput është për interesa personale të tyre, larg mbrojtjes së interesave nacionale të shtetit të Republikës së Kosovës.

Ramush Haradinaj, nuk po e përkrahë idenë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë, e kjo ka bërë që Thaçi të reagoj ashpër ndaj kryeministrit, madje e ka kërcënuar edhe me prishje të Qeverisë.

Por, një ndryshim i kryeministrit Haradinaj në qëndrimin e tij, sipas bashkëbiseduesve të gazetës “Bota sot” nuk do të ishte i befasishëm, ashtu siç e ndryshoi qëndrimin për Demarkacionin me Malin e Zi.

Për shkak të postit të kryeministrit, Haradinaj mund të lëshoj pe, dhe mund ta përkrah presidentin Thaçi në korrigjim të kufirit me Serbinë, të paktën Thaçi ka thënë se Haradinaj duhet të korrigjohet në fjalorin e tij.

Ish-deputeti i Republikës së Kosovës, Driton Tali thotë se, përplasja e dy liderëve aktual të Kosovës, pra presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, po e tregon natyrën e vërtet të kësaj Qeverie.

Tali: Kjo qeveri do të duhej të binte sa më parë

Image
Driton Tali

Sipas tij, këta e nisën punën mbrapshtë, koalicioni i tyre u krijua mbrapshtë dhe natyrisht se edhe këto fërkime janë të pritura.

“Unë mendoj se, shoqëria civile në përgjithësi, duhet të jetë më argjile ndaj këtyre dy udhëheqësve të Republikës së Kosovës, të cilët e dëmtuan aq shumë Kosovën, qoftë qëllimshëm, qoftë me mos dije, që të ju tregohet se ku e kanë vendin. Pra, nuk është në rregull që një president t`i kërcënohet një kryeministri, dhe një kryeministër të i kërcënohet një presidenti dhe ata të vazhdojnë të punojnë prapë bashkë”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.

Ish-deputeti thotë se, kryeministri Haradinaj po bënë skandale të vazhdueshme.

“Kjo Qeveri edhe hiç pa këtë krizën e ndarjes së Kosovës, të cilën e inskenoi dhe imponoi presidenti Thaçi, duhet të binte sa më parë, sepse është një koalicion me një kryeministër të paaftë, me skandale pothuajse të përditshme që Kosovës në këtë situatë me gjithë këto probleme që i kemi nuk i duhet një Qeveri e tillë dhe një kryeministër i tillë”, shprehet ai.

Haradinaj mund të ndryshon mendje si për demarkacionin me Malin e Zi?

Ndërsa, se a mundet Ramush Haradinaj të ndërroj qëndrim dhe ta përkrahë Thaçin në idenë e tij për korrigjim të kufirit, Tali thotë se nuk e habit një qëndrim i tillë.

“Ramush Haradinaj nuk më habitë, sepse e bëri njëherë me Demarkacionin, ju kujtohet për pak sa nuk e krisi luftën qytetare në Kosovë dhe po i njëjti u çua pa fije turpi dhe e imponoi edhe të kolegët e tij, te deputetët e vet, qofshin AAK, Nisma apo PDK që me glamur ta miratojë marrëveshjen të cilën e zhagitëm apo e kundërshtuam për sa vite. Prandaj unë nuk çuditëm çka do që bënë. Por, më mirë është që Haradinaj të jap dorëheqje dhe të largohet e t’i hapë rrugë zgjedhjeve, edhe ashtu protesta e 29 shtatorit tregoi se kjo Qeveri nuk e ka përkrahjen e qytetarëve”, përfundon Driton Tali.

Ndërsa, ish-kandidati i pavarur për president të Kosovës, Seremb Gjergji thekson se, sjellja e liderëve tanë është jo profesionale, pa synime e mbi të gjitha pa mbrojtje të interesave nacionale. “Veçmas ajo e Presidentit. Z. Thaçi. Në politikën e udhëheqjes dhe në synimet politike duhet të ketë synim afatgjatë. Përveç kësaj, Liderët duhet të kenë të qartë se si të sillen në etiken politike e profesionale”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Gjergji: Zgjedhje do të ketë në pranverën e vitit të ardhshëm

Image
Seremb Gjergji

Sipas tij, asnjëri nga liderët nuk mund t'i ndalë apo ndryshojë rrjedhat e zgjedhjeve. “Zgjedhje do të ketë në Pranverën e 2019-së”, thotë ai.

“Andaj, prespektiva e secilit lider duhet të shihet në fillim nga veta ata pastaj nga populli/qytetari i Kosovës. Është fakt i kryer që Presidenti Thaçi nuk i udhëheqë më bisedimet. Është z. Limaj. Nga momenti që z. Haredinaj e ka caktuar zv. Kryeministrin e vet udhëheqës të Ekipit të Bisedimeve, atë lirinë që ia ka dhënë në fillim të dialogut, tash ia ka marrë në mes të Dialogut. Ligjërisht, edhe nëse Qeveria ndryshohet, z. Limaj e udhëheqë Ekipin Negociator deri në propozimin e kryeministrit të ardhshëm”, thekson ai.

Gjergji tregon se, Kushtetuta e Kosovës ia ndalon çdo lideri, përfshirë edhe Presidentit të negocioi në 3 fusha thelbësore: 1. Ushtria; 2. Kufijtë - shkëmbim apo korrigjim, dhe 3. Tradhtinë Kombëtare.

“Këto kompetenca i takojnë vetëm Parlamentit dhe askujt tjetër. Me t'u kthyer nga Amerika, Presidenti Thaçi e di që z. Haradinaj është më i fuqishëm se çdo lider tjetër. Andaj çdo deklarim shkon drejt zbutjes së fuqisë së tij. Si një kurth duke pritur që të bie Kryeministri. Detyra e këshilltarëve të tij është që ta shohin synimin afat-gjatë, e jo grackën afatshkurtër - që do ta nxirrte nga binarët edhe gjatë fushatës së muajit prill-maj”, pohon ai.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës i ka detyrat e ndara: a. Kryeministri e udhëheqë shtetin; b. Presidenti e përfaqëson shtetin; c. Kryeparlamentari e mbron shtetin.

“Një incident ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit do të shtyj në një ndarje të rrezikshme regjionale dhe popullata nuk do të votonte më për interesa, por për inate. Kjo na sjell në një gjendje edhe më të keqe shpitërore si qytetarë, sepse personi që e përfaqëson popullatën, lidhet në leqen e interesave të ngushta personale. Si vend, Kosova do ta humbë edhe më shumë imazhin e lënduar që ka dhe me duart tona ua japim të drejtën armiqve tanë të na gjuajnë më shtiza dhe na lëndojnë më shumë. Në një debat televiziv, z. Limaj më pëlqeu shumë me qëndrimin e tij: "Pse ne nuk mund të jemi bashkë në interesat nacionale"? I them z. Limaj, sepse $24 miliard dollarë kanë hy në mes”, përfundon Seremb Gjergji.

Zogaj: Vendit i duhet fare pak që të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj thotë se, deklaratat ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj janë befasuese, pasi partitë e tyre e bëjnë pozitën aktuale.

Ai shprehet se pikëpamjet e tyre janë vështirë të shpjegohen, sepse dëmtojnë vet rolin e tyre.

“Mospajtimet dhe deklaratat kundërthënëse ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit, janë shumë befasuese sepse, partitë e tyre përbëjnë pozitën aktuale, e cila është shumë e brishtë dhe i duhet fare pak që të prishet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat është duke i kërkuar opozita! Në një kësi situate delikate pikëpamjet e dy krerëve të shtetit, është vështirë të shpjegohen, sepse dëmtojnë vet rolin e tyre, si krerë të shtetit që e kanë për obligim të tregohen të matur dhe të logjikshëm, sidomos ndaj publikut të gjerë, shtetasve të Kosovës që janë të hutuar nga mospajtimet e shumta që aktualisht e kanë kapërthyer shoqërinë e Kosovës!”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj nuk po e përkrahë idenë e presidentin Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë, duke e shkallur këtë ide të vdekur. Ndërsa, presidenti Thaçi duke e kundërshtuar Haradinajn,  ka thënë se ky i fundit ka nevojë për korrigjim të fjalëve, si dhe e ka akuzuar për rritjen e numrit të veteranëve dhe takimet e tij me Milan Radojçiqin në veri të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test