Liberalizimi i vizave për këtë vit në pikëpyetje

Politika

Liberalizimi i vizave për këtë vit në pikëpyetje

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 tetor 2018 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

“Deklaratat kontroverse në lidhje me liberalizimin e vizave tregojnë më së miri se qytetarët në vitin 2018 nuk do të udhëtojnë pa viza, dhe me këtë qeveri është rrezik që edhe në vitin 2019 të mos ketë liberalizim, por është e dhimbshme se si u dhanë 8200 hektar duke bërë presion deputetëve që po i leni të mbyllur qytetarët”, ka deklaruar deputetja e Vetëvendosjes Drita Millaku.

Liberalizimi i vizave para se të vije në pushtet kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë ndër premtimet kryesore të tij.  Lidhur me ketë çështje, shpesh Haradinaj është deklaruar se do të ndodh qysh në muajt e parë të qeverisjes së tij.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk po del të jetë kështu. Kjo qeveri po numëron më shumë se 365 ditë (një vit) që është në pozitën e dëshiruar dhe edhe me teje kjo “temë e madhe” po del të jetë e pa konkretizuar.

Përkundër premtimeve të vazhdueshme se liberalizimi i vizave është në fazën finale, opozita dhe shoqëria civile kanë mendim krejtësisht ndryshe. Këta të fundit janë skeptik se një gjë do mund të ndodh në vitin 2018, ashtu siç premton kryeministri Haradinaj.

Opozita konsideron se deklaratat kontraverse në lidhje me liberalizimin e vizave nga Haradinaj, tregojnë më së miri se qytetarët në vitin 2018 nuk do të udhëtojnë pa viza, dhe me ketë qeveri është rrezik që edhe në vitin 2019 të mos ketë liberalizim.

Ndërsa, shoqëria civile është e mendimit se qeveria aktuale çdo ditë e më tepër po dështon si rezultat i keqqeverisjes, si dhe kapjes së shtetit. Ndërsa, theksojnë se vizat  nuk hiqen as këtë vit, si dhe janë ne pikëpyetje edhe për vitin tjetër.

Deklarata e kryeministrit Hardinaj për vizat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë një afat rekord për liberalizimin e vizave. Edhe pse së fundmi janë shtuar zërat se vizat nuk liberalizohen para vitit 2020, Haradinaj ka thënë se ky proces do të mbyllet brenda 2 këtyre muajve.

Këtë deklaratë, kreu i Qeverisë e bëri gjatë një takimi me shkrimtaren Helena Kadare. Haradinaj pohoi se deri në fund të këtij viti qytetarët e Kosovës do të mundë të lëvizin pa viza.

Deputetja e VV-së: Rrezik që edhe në 2019 të mos ketë liberalizim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se deklaratat e kryeministrit Haradinaj për liberalizimin e vizave janë kontroverse dhe se me ketë qeveri është rrezik që edhe në vitin 2019 të mos ketë lëvizje të lirë për qytetarët.

Image
Drita Millaku

“Deklaratat kontroverse në lidhje me liberalizimin e vizave tregojnë më së miri se qytetarët në vitin 2018 nuk do të udhëtojnë pa viza, dhe me këtë qeveri është rrezik që edhe në vitin 2019 të mos ketë liberalizim, por është e dhimbshme se si u dhanë 8200 hektar duke bërë presion deputetëve që po i leni të mbyllur qytetarët”, ka deklaruar deputetja e Vetëvendosjes.

Me tej, ajo shton se Qeveria Haradinaj i ka ditët e numëruara, bazuar, siç thotë ajo, në zhvillimet dhe deklaratat e fundit të udhëheqësve të shtetit.

“Besoj se kjo qeveri i ka ditët e numëruara dhe brenda dy jave duhet të bie kjo qeveri kjo vjen duke u bazuar në zhvillimet dhe deklaratat e fundit të udhëheqësve të shtetit, dhe këto zgjedhje nuk duhet të cilësohen si të parakohshme, por të jashtëzakonshme dhe shumë urgjente”, ka shtuar ajo.

Ndërsa, në fund, deputetja e opozitës e konsideron si absurde të akuzohet opozita për ngecjet në liberalizim të vizave.

“Është absurde që në ketë kohe te akuzohet opozita se po e bllokon liberalizimin e vizave diçka absurde”, ka përfunduar ajo.

Politologu Tahiri: Kosovës dhe popullit të saj deri më tash i është bërë e padrejtë

Politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën ”Bota sot”, duke e komentuar deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj, shprehet se duhet t’i besohet kreut të qeverisë sepse, sipas tij, përveç dëshirës ai e shprehë qëndrimin zyrtar të mbështetur në informata të besueshme e të verifikuara që i ka në komunikimin institucional.

Image
Ramush Tahiri

“Duhet me i besue kryeministrit Haradinaj sepse përveç dëshirës ai e shprehë qëndrimin zyrtar të mbështetur në informata të besueshme e të verifikuara që i ka në komunikimin institucional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organeve të Bashkimit Evropian”, është shprehur politologu Tahiri.

Me tej, politologu thekson se Kosovës deri më tash i është bërë e padrejtë që u është munguar lëvizja e lirë, pra liberalizimi i vizave edhe pse Kosova pati misionet me të fuqishme ndërkombëtare.

“Përndryshe Kosovës dhe popullit të saj deri më tash i është bërë e padrejtë që u është munguar lëvizja e lirë pra liberalizimi i vizave edhe pse Kosova pati misionet me të fuqishme ndërkombëtare që ishin dashtë me i arrijtë standardet më të larta se vendet e rajonit”, ka përfunduar politologu i njohur në vend, Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

“Tërheqje e vëmendjes nga dështimet e qeverisë”

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se deklaratat e Haradinajt për liberalizim të vizave janë lojëra politike për të tërhequr vëmendjen nga dështimet e qeverisë.

Mehmeti potencon se qytetarët nuk duhet të besojnë në këso deklarata, e të cilat janë vetëm për t’iu hedhur sy qytetarëve.

Image
Faton Mehmeti

“Besoj se deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj për liberalizim të vizave brenda dy muajve, janë thjeshtë lojë politike për të tërhequr vëmendjen nga dështimet e qeverisë. Nuk ka as gjasa teorike, e lërë më praktike që të ndodh liberalizimi i vizave brenda dy muajve. Andaj qytetarët nuk duhet të besojnë në këso deklarata, e të cilat janë vetëm për t’iu hedhur sy qytetarëve”, ka thënë Mehmeti.

Analisti politik shton se qeveria aktuale çdo ditë e më tepër po dështon si rezultat i keqqeverisjes, si dhe kapjes së shteti. Ndërsa, thekson se vizat  nuk hiqen as këtë vit, si dhe janë ne pikëpyetje edhe vitin tjetër.

“Kjo qeveri me Haradinajn kryeministër çdo ditë e më tepër po dështon si rezultat i keqqeverisjes, si dhe kapjes së shteti. Ekonomia po falimenton çdo ditë, varfëria po shtohet dhe dëshpërimi i qytetarëve po rritet. Vizat nuk hiqen këtë vit, dhe janë ne pikëpyetje edhe vitin tjetër, kjo pasi ka disa vende me ndikim që janë kundër. Haradinaj është i papërgjegjshme në deklarata te tija, e të cilat me tepër janë gafë se sa deklarata serioze.

Krejt, në fund, Mehmeti ka thënë se deklaratat e kreut të qeverisë për liberalizim të vizave me tepër janë lojë për të tërhequr vëmendjen ose si një gafë e radhës.

“Andaj kjo deklarata e tij për liberalizim të vizave me tepër është lojë për të tërhequr vëmendjen nga ngjarjet politike, ose mund ta interpretojmë edhe si gafë tjetër të tij”, ka përfunduar analisti Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Ndërkohë, kujtojmë se në shtator, Parlamenti Evropian ka votuar pro lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës. Në dhjetor të këtij viti pritet që Këshilli i Ministrave të japë vlerësimin mbi liberalizimin e vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat