Garnitura e vjetër e LDK-së pengesë për bashkëpunimin me Vetëvendosjen?

Politika

Garnitura e vjetër e LDK-së pengesë për bashkëpunimin me Vetëvendosjen?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 tetor 2018 Në ora: 18:23
Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje, e mbajtur me 30 shtator

Ende nuk dihet se kur  do të mbahet protesta e radhës e opozitës për rrëzimin e Qeverisë dhe kundërshtimin e kompromiseve që po paralajmërohen në bisedimet me Serbinë, përkatësisht me “korrigjimin e kufijve”. Ndryshe, kohët e fundit në publik është vërejtur edhe një përafrim i qëndrimeve LDK-VV karshi zhvillimeve të fundit.

Mbase, ky përafrim pritet që të dërgojë edhe në mbajtjen e protestës së radhës.

Millaku: Bashkëpunimi me LDK-në varet nga garnitura e vjetër e LDK-së

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku ka thënë për “ Bota sot” se, sa i përket protestës së radhës, VV është ende në konsultime, megjithatë sipas saj, duhet  parë edhe interesimin e qytetarëve që të vazhdohet më tutje me protesta.

Image
Drita Millaku

“Besoj se shumë shpejt do të vendoset edhe për protestën e radhës, por me rëndësi është se në takim me qytetar janë këmbëngulës që të vazhdohet me protesta dhe mendoj se ky është një lajm i mirë, sepse qytetarët e kanë parë lojën e ndytë të Thaçit. Kurse sa i përket përafrimit me LDK-në mendoj se kjo është e domosdoshme dhe duhet të ketë një bashkëpunim më të gjerë të dy subjekteve. Megjithatë, kjo varet nga organet e LDK-së e sidomos tek  kryesia e saj. Me shpresë se garnitura e vjetër e LDK-së nuk do të bëj lojëra siç din ajo. Duhet ta dimë të gjithë se sovraniteti i shtetit është në rrezik nga një njeri i shantazhuar siç është Hashim Thaçi, dhe ate kryekëput për interesa personale. Prandaj shumë sinqerisht mendoj  se LDK-ja e ka të domosdoshme bashkëngjitjen në protestën e radhës”, ka thënë Millaku për “Bota sot”.

Opinionisti Nexhat Haziri, duke folur rreth kësaj çështjeje  ka thënë se, të gjitha gjërat tashmë kanë dalë në shesh, të cilat tregojnë se këto institucione që udhëhiqen nga lider si Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, më nuk kanë asnjë legjitimitet politik, e as moral për të vazhduar me udhëheqjen e shtetit, e aq më pak për të na përfaqësuar në dialog me Serbinë në këtë fazë finale të këtij procesi.

Haziri: Zgjedhjet domosdoshmëri

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, lufta e hapur që i kanë shpallur njëri-tjetrit presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj rrezikojnë stabilitetin jo vetëm politik të vendit, por edhe mund të prodhojë pasoja të pariparueshme për Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike.

“Pikërisht për këtë mendoj se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë institucionale e politike dhe nga kjo ngecje në agjendën e integrimeve euro-atlantike. Natyrisht se për ti detyruar sot qeverinë aktuale dhe liderët tjerë të koalicionit PAN, duhet një koordinim dhe bashkëpunim i ngushtë, në mes partive të kampit opozitar dhe nuk duhet përjashtuar as protestat si mjet për rrëzimin e qeverisë së koalicionit PAN, e që po ashtu përfundimisht do ti bënin të parealizueshme dhe të pavlera idetë e Thaçi për korrigjim kufijsh me Serbinë gjatë procesit dialogues me këtë të fundit”, ka thënë Haziri.

Krasniqi: Nuk besoj që ka ndonjë përafrim mes LDK-së dhe VV-së

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi ka thënë se për ta parandaluar Presidentin Thaçi që t'i udhëheq bisedimet me Serbinë, për shkak të deklaratave të tij se temë e bisedimeve do të jetë edhe korrigjimi i kufijve, atëherë duhet të organizohen protesta gjithë popullorë.

Ai ka pohuar se, me protesta edhe mund të rrëzohet kjo Qeveri, sepse opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar Qeverinë, edhe pse është Qeveria Haradinaj është Qeveri e pakicës.

“Në protestat e fundit përveç deputetëve Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli, asnjë zyrtar i LDK-së apo deputet i LDK-së nuk ishte në protestë dhe nuk e mbështetën protestën. Edhe nëse do ketë protesta ato do organizohet prapë nga Vetëvendosje por jo edhe nga LDK-ja, sepse garda e vjetër e LDK-së mendon që nuk duhet të ketë protesta. Prandaj nuk besoj që ka ndonjë përafrim mes LDK-së dhe VV-së”, ka shtuar politologu Krasniqi.

Burjani: Thaçi shumë lehtë mund ta prishë koalicionin

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, konsideron se nuk do të duhej të ketë fare protesta për bisedimet dhe për çështjen e shkëmbimeve territoriale, pasi nuk ka asgjë prej kësaj çështje.

 Ai ka thënë se kjo temë është tejkaluar dhe konsumuar madje përveç kësaj edhe ka pësuar disfatë totale.

“E vërteta është se kjo ishte teme ishte shpikur për qëllime të Thaçit dhe faktorizimin e tij përmes një marketingu brenda dhe jashtë vendit. Kjo përpjekje e Thaçit ishte për tu bërë nobelist për paqe, përndryshe mënyra se si e kishte prezantuar këtë ide ishte jo serioze madje edhe më absurde kur thoshte se duhet të ketë referendum në Kosovë për ta kthyer Preshevën në sovranitet të Kosovës dhe pjesët tjera të territoreve shqiptare në brendi të Serbisë, dhe për këtë të mos këtë asnjë kërkesë Serbia për 35% të territorit që do të mund të kërkonte Serbia, çështja e referendumit të Thaçit për këtë temë është sikur të ketë kërkesë për të kërkuar Beogradin të bëhet pjesë e Kosovës. Do të ishte mirë që shteti të shkon në zgjedhje. Tash Thaçi shumë lehtë mund ta prish koalicion, madje ai mund ta rrëzojë nga posti edhe Kadri Veselin prej postit te Kryetarit te PDK-së dhe ti kthehet Thaçi prapë PDK-së”, ka thënë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat