Jo amnisti për keqpërdoruesit e listave të veteranëve

Politika

Jo amnisti për keqpërdoruesit e listave të veteranëve

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 12 tetor 2018 Në ora: 14:20
Foto ilustruese

“Fillimi i një procesi të ri të verifikimit të listave të veteranëve, nga të njëjtit anëtar të këtij komisioni, dhe mos ndëshkimi i tyre për shkeljet që kanë bërë, do të ishte edhe një goditje tjetër për ne si luftëtar dhe si shoqëri, amnistimi i tyre veç sa do t’i forconte të njëjtit për të manipuluar edhe më shumë, e këtë kosto do ta paguanim ne si luftëtar të UÇK-së dhe si shoqëri, për arsye se ky numër veç sa do të rritej edhe më shumë”, ka thënë për “Bota sot”, Xhevdet Qeriqi përfaqësues i veteranëve të UÇK-së.

Debate të ashpra janë zhvilluar kohën e fundit për shkak të listave të fryra të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky debat ka ardhë pasi që, ish-prokurori Elez Blakaj kishte gjetur se, mbi 19 mijë veteranë marrin pensionin në mënyrë të jashtëligjshme.

Blakajn e kishte kundërshtuar ashpër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe disa personalitete të tjera si nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi dhe deputeti Shkumbin Demaliaj.

“Por pjesëmarrje në luftë me luftu prej shtëpisë, me dal në vijë në frontit mund të them që janë mbi 50-60 mijë në Dukagjin. Edhe këtë nëse dikush s’ më beson le të shkon e të pyes… Shiko, s’ka kush që e ndërron këtë.. Ka qenë tek ne edhe për shkak se kemi qenë afër kufirit por edhe për shkak që unë e kam leju secilin me u armatos dhe me luftu. Nuk kam thënë që t’i s’ke të drejtë me armë… I gjithë populli është armatos, të gjithë kanë luftuar kjo është e vërteta jonë”, kishte deklaruar kryeministri Haradinaj.

Thaçi: Procesi të kthehet në pikën zero

Por, njëjtë nuk mendon edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kërkon që ky proces i verifikimit të veteranëve të fillon nga pika zero.

Thaçi ka ripërsëritur disa herë që në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka pasur më shumë se 12-15 mijë luftëtarë.

Gjatë ditës së martë, presidenti Thaçi është takuar me përfaqësuesit e OVL-UÇK-së.

“Sot prita përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Migjen Shalën. Përfaqësuesit e OVL-së së UÇK-së shprehën shqetësimet e tyre lidhur me listat e veteranëve të UÇK-së dhe kërkuan që të ushtroj autoritetin tim, që i tërë procesi të kthehet në pikën zero, duke e konsideruar këtë si të vetmen mundësi për tejkalimin e parregullsive të shumta”, ka shkruar Thaçi.

E se nuk ka pasur mbi 15 mijë ushtarë UÇK-ja, e ka deklaruar edhe ish-komandanti i përgjithshëm, Sylejman Selimi, i cili ka pohuar se UÇK-ja kishte rreth 12 mijë e 700 ushtarë.

Megjithatë, për tu pastruar listat e veteranëve duhet që procesi i verifikimit të nis edhe njëherë që nga fillimi, në mënyrë që veteranët mashtrues të largohen, por edhe të dënohen për veprimet e tyre, për marrjen e mijëra eurove nga shteti i Kosovës, duke dëmtuar rënd imazhin e luftëtarit të vërtetë.

Brahimaj: Tani duhet të presim vendimin e Gjykatës

Image
Lahi Brahimaj

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Lahi Brahimaj thotë se procesi i verifikimit të veteranëve ka qenë shumë voluminoz, ndërsa sipas tij, nuk është faza për të u rikthyer në pikën zero, por duhet pritur vendimin e Gjykatës për të vazhduar tutje.

“Së pari, duhet të kemi parasysh se procesi i verifikimit të veteranëve, ka qenë shumë voluminoz dhe i ndjeshëm. Në secilin proces të madh, mund të ndodhin lëshime të vogla. E sa i përket kthimit në pikën zero, tani më nuk jemi më në atë fazë, sepse vetëm se është ngritur aktakuzë. Tani duhet të presim vendimin e Gjykatës. Pas këtij vendimi, mund të shohim se çka duhet të bëhet më tutje”, thotë Lahi Brahimaj për gazetën “Bota sot”.

Qeriqi: Amnistimi do të ishte edhe një goditje tjetër

Image
Xhevdet Qeriqi

Kurse, anëtari i Këshillit të veteranëve, Xhevdet Qeriqi thekson se, të gjithë jemi dëshmitar se procesi i verifikimit të veteranëve të UÇK-së ka filluar para 5 viteve, nga ana e Komisionit Qeveritar, por ky proces sipas tij, është ende i papërmbyllur.

“Ne jemi më të zëshmit që i kemi kundërshtuar këto lista sepse e kemi parë që ka pasur manipulime aq të mëdha saqë e ka degraduar dhe dëmtuar imazhin e luftëtarit të vërtet të UÇK-së, duke u futur në lista si veteran luftëtar njerëz pa meritë dhe duke i gëzuar benificionet e shtetit. Mos të harrojmë se ky Komision Qeveritar i ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme shtetit, miliona euro janë shpenzuar duke përfituar njerëz pa meritë, po ashtu e ka dëmtuar imazhin e ushtarit të vërtet, pra në një shtet normal dikush do të duhej të jap llogari për të gjitha këto dëme”, thotë Qeriqi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, janë për pastrimin e listave të veteranëve, por duhet të përgjigjën ata të cilët e keqpërdorën këtë proces.

“Fillimi i një procesi të ri të verifikimit të listave të veteranëve, nga të njëjtit anëtar të këtij komisioni, dhe mos ndëshkimi i tyre për shkeljet që kanë bërë, do të ishte edhe një goditje tjetër për ne si luftëtar dhe si shoqëri, amnistimi i tyre veç sa do t’i forconte të njëjtit për të manipuluar edhe më shumë, e këtë kosto do ta paguanim ne si luftëtar të UÇK-së dhe si shoqëri, për arsye se ky numër veç sa do të rritej edhe më shumë. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi për pastrimin e listave kjo gjithsesi duhet të ndodh, por fillimisht duhet të përgjigjen ata të cilët e keqpërdorën këtë proces për qëllimet e tyre”, përfundon Xhevdet Qeriqi.

Miftari: Pensionet duhet të ndalen për të gjithë

Ndërsa, ish eprori i lart i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se procesi i verifikimit të veteranëve është komprometuar që nga fillimi kur Agim Çeku me urdhër nga Hashim Thaçit qëllimisht aplikimin për veteranët e luftës e bëjnë cirk politik ku thuhet se çdo kush që e ka ndihmuar luftën  ka drejt me apliku për veteran të luftës këtu ishte hilja.

Image
Naim Miftari

“Pastaj premtimi i ashtuquajtura pensione për luftëtar i joshi edhe qytetarët por edhe disa komandantë të Zonave ta rrisnin numrin e luftëtarëve të UÇK-së duke e trefishuar numrin nëse llogaritet pjesëmarrja në luftë populli shqiptar shumica 90% ishin  pjesëmarrës në luftë, por si luftëtar të UÇK-së ishin të angazhuar diku me 1% jo më shumë dihet mirë se UÇK-ja nuk ka patur mbi 16.000 ushtar pushkatar të luftës por kurrë nuk ka pas sa janë sot mafia politike dhe mafia e disa komandantëve që për përfitime e kanë rrit numrin e 'luftëtarëve te rrem' duhet me u dënua por nga kush se pasi ne nuk kemi sot Prokurori të pavarur dhe nuk kemi as shtet serioz që e respekton ligjin dhe vetëm ligjin”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Sipas Miftarit, jo që duhet me u dënua veteranët e rrejshëm por edhe ata që i kanë bërë veteran duhet me jep llogari para ligjit llogari duhet me jep edhe ata që kanë aplikua për veteran pasi ata gënjeshtar e kanë ditur mirë se nuk janë luftëtar as nuk kanë qenë kurrë.

“Pensionet duhet mu ndalë krejt të gjitha pa dallim i rrem apo real, edhe vet jam veteran i UÇK-së, por pasi ju kemi lejuar ne veteranët e UÇK-së me manipulua komandantët politik duhet neve të parëve me na ndalë pensionet edhe pse mendoj se  çështja e veteranëve është problemi ma i vogël që ka Kosova sot”, pohon ai.

Ai thekson se, nuk kemi Prokurori e as gjyqësi të drejt e serioze se listat e IOM janë ato të cilat kanë treguar se sa është numri i veteranëve

“Por janë komandantët e brigadave edhe të Zonave që mundën brenda 24 orësh me jep përgjigje të sakët pasi si është e mundur një Brigadë X gjatë luftës ti ketë 23 ushtar, e sot e njëjta Brigadë i ka mbi 1700 veteran dhe për çudi i njëjti komandant, politikan sot më së shumti e sulmon pa kurrfarë arsye ish prokurorin special Elez Blakajn i cili nga presioni dhe kërcënimet nga nëntoka politike detyrohet ta braktisë vendin e vet, turp. Ndalni pensionet e veteranëve të luftës të gjitha dhe ato mjete jepjani dhuratë Bektel Enkes domethënë vetit ose jepjani Vuçiqit”, potencon Naim Miftari.

Muajin e kaluar Gjykata Speciale i ka dorëzuar Gjykatës Themelore listë me mbi 20 mijë persona si veteranë të dyshuar. Ndaj kësaj pati reagime të shumta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat