Flluska e borës që po shndërrohet në akullnajë

Politika

Flluska e borës që po shndërrohet në akullnajë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 14 tetor 2018 Në ora: 21:54
Edita Tahiri

Ish krye-negociatorja e bisedimeve e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, e ka vlerësuar si të dobishëm përfaqësimin ndërkombëtar të shtetit, me anë të fusnotës, për shkak se ka mundësuar që Kosova të ndjekë agjendën evropiane. Fajin për mos heqjen e deritashme të saj, Tahiri ia ka hedhur diplomacisë së dobët të Kosovës, duke thënë se nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë diplomatike ndaj pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Në anën tjetër, analistë dhe deputetë të Kuvendit,  thonë se fusnota është krijuar për shkak të bisedimeve pa platformë të Kosovës me Serbinë.

Edita Tahiri, ish-shefe e ekipit te bisedimeve të Kosovës, në kuadër të dialogun me Serbinë në Bruksel, thotë për “Bota sot” se, Kosova ka pasur fusnotë edhe para dialogut me Serbinë. Ajo e vlerëson si të dobishme fusnotën aktuale që po e mban mbi supe Kosova, duke theksuar se kjo fusnotë ka mundësuar që Kosova të futet në rrugën e integrimit evropian.

Image
Edita Tahiri

“Sa i takon fusnotës, së pari është me rëndësi të theksohet se Kosova ka pasur fusnotë edhe para Dialogut të Brukselit, dhe ajo ka qenë me përmbajtje "Kosova sipas Rezolutës 1244" dhe kjo fusnotë është përdorur për Kosovën në marrëveshjet ndërkombëtare me institucionet ndërkombëtare. Kjo fusnotë nuk është kritikuar shumë sepse njerëzit ose nuk e kanë ditë ose nuk kanë dashur ta dinë. Fusnota që ka rrjedh nga dialogu i Brukselit është më e favorshme për Kosovën sepse në të përfshihet edhe "Deklarata e pavarësisë e vërtetuar nga Gjykata ndërkombëtare për drejtësi". Pse u desh të ketë fusnotë këtë të gjithë e dimë tashmë, sepse Kosova ende nuk është e njohur nga pesë vende të Bashkimit Evropian, dhe kjo fusnotë ka mundësuar që Kosova të futet në rrugën e integrimit evropian, sepse përmes sajë këto pesë vende mosnjohëse BE-së e kanë përkrahur Kosovën për Marrëveshjen Stabilizim Asocim me BE-në, me fjalë kanë përkrahur integrimin evropian të Kosovës. Ka mjaftuar njëra nga këto vende ta kundërshtoj dhe Kosova do të mbetej e izoluar sot e kësaj dite”, ka thënë Tahiri për “Bota sot”.

Ajo ka marrë shembull Maqedoninë si shtet me fusnotë “FYROM”, e këtë e pret t’i largohet edhe Kosovës në momentin kur shteti ynë njihet edhe nga pesë vendet tjera të BE-së.

“Pra fusnota ka zgjidhur këtë problem, ka nxjerrë Kosovën nga izolimi dhe e ka inkuadruar në rrugën zyrtare të integrimit në Bashkimin Evropian. Në praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare kur shtetet kanë probleme të mosnjohjes nga shtete të caktuar atëherë fusnota përdoret si mekanizëm për të tejkaluar situatat bllokuese. Një shembull është Maqedonia e cila ka pasur fusnotë "FYROM" sepse Greqia nuk ia ka njohur emrin, dhe do ti hiqet fusnota në momentin kur marrëveshja bilatere për çështjen e emrit merr miratimin e Kuvendit të Maqedonisë”, ka potencuar ajo.

Tahiri ka komentuar edhe fjalët e saj për fusnotën që i ka bërë në atë kohë, duke thënë se fusnota do të jetë një “fluskë bore” që do të shkrihet shpejtë. Ajo thekson se këtë e ka thënë për arsye se ajo me të vërtetë do të “shkrihet në momentin kur pesë vendet e BE-së do ta njohin Kosovën.

E për këtë vonesë, ajo ua hedh fajin diplomacisë së Kosovës, pasi sipas saj, ata nuk kanë pasur një strategji të mirëfilltë diplomatike ndaj këtyre pesë vendeve por edhe vendeve tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ndërsa pse unë e kam quajtur "fluskë bore" është për arsye se në momentin që na njohin këto pesë vende të BE-së, kjo fusnotë hiqet, pra shkrihet siç e kam thënë unë. Mendoj që për vonesat në heqjen e sajë një pjesë të fajit e ka diplomacia e Kosovës e cila ka qenë e dobët dhe nuk ka arritur sot e kësaj dite ti bind këto pesë vende që ta njohin shtetin e Kosovës. Diplomacia e Kosovës nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë diplomatike ndaj këtyre pesë vendeve por ende vendeve tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ministrat tanë më shumë i kemi parë duke vizituar vendet që na kanë njohur se sa vendet që nuk na kanë njohur. Me një diplomaci më të mençur dhe më strategjike kanë mundur të përdorin mekanizma diplomatik alternativ, për të vizituar këto vende me qëllim për të afirmuar argumentet në favor të njohjes së pavarësisë. Unë kam udhëhequr diplomacinë e Kosovës gjatë dhjetë vjetëve të okupimit të Kosovës, si ministre e jashtme, në atë askush nuk e njihte Kosovën, mirëpo kam arritur ti gjejë rrugët dhe kam shkuar pothuajse në të gjitha vendet perëndimore dhe anë e mbanë botës për të kërkuar përkrahjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lirinë e popullit tonë. Pikërisht, kjo diplomaci pro-aktive e Kosovës bëri që të krijojmë aleanca strategjike me perëndimin, SHBA, NATO, BE, etj...që rezultoi me përkrahje të fuqishme ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot”, ka theksuar Tahiri për “Bota sot”.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku ka thënë për “Bota sot” se, fusnota është krijuar për shkak të bisedimeve pa platformë dhe pikërisht këto bisedime kanë sjell deri te lëshimet të cilat kanë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe ato kombëtare.

Image
Drita Millaku

“Fusnota është produkt i bisedimeve pa platformë dhe gjithashtu edhe përgatitja e delegacionit tonë e cila ka qenë nën nivel dhe pa kompetencë profesionale. Bisedimet kanë sjellë deri te lëshimet të cilat kanë ndikim dhe do të kenë ndikim edhe në të ardhmen në zhvillimin e marrëdhënieve të shtetit në spektrin ndërkombëtarë e kombëtarë”, ka thënë deputetja e Vetëvendosjes.

Ajo më tej ka shtuar se Serbia gjithmonë ka dalë fituese në marrëveshjet e dialogut, ndërsa nga 33 marrëveshjet që janë nënshkruar si pozitive për Kosovën, janë zbatuar vetëm 7. Ajo mendon se fusnota do të hiqen vetëm kur dialogu përmban platformë.

“Atëherë është thënë se kjo fusnotë do të jetë përkohësisht dhe shpejt do të shkrihet, por po dëshmohet e kundërta dhe unë mendoj se derisa ne nuk do të kemi një platformë për bisedime dhe një delegacion të denjë, ne do të kemi probleme të kësaj natyre dhe vështirësi që do të determinojnë probleme të vazhdueshme për shtetin tonë të ri. Nuk do te ketë kurrë sukses dialogu me Serbin derisa nuk do të zgjidhen problemet kryesore siç janë të zhdukurit dhe pensionet. E keqja e kësaj është që nga viti 2011 janë arritur 33 marrëveshje dhe asnjë nuk u zbatua, pra 7 vjet kanë shkuar huq pa platformë dhe pa rezultat. Bisedimet e deritashme janë bërë kryesisht për favore të Serbisë dhe për mëditje të delegacionit të Kosovës. Pra në dialogun 7 vjeçar ka fituar Serbia dhe ka humbur Kosova . Kemi shembullin e urës se Ibrit që janë dhënë mbi  5 data se kur do të lirohet ura për qarkullim dhe prapë ura edhe sot është e mbyllur”, është shprehur Millaku.

Analisti politik, Hidajmet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se gjendja në të cilën ka ardhur Kosova, është për faj të klasës politike të shantazhuar siç e quan ai. Ai thekson se po ndodh e kundërta e asaj se çfarë pati thënë ish kryenegociatorja e Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri. Kjo e fundit ka thënë në atë kohë se, fusnota është vetëm një “fluskë dëbore” që do të shkrihet shumë shpejt.

“Pikërisht nga kjo klasë politike e shantazhuar dhe e papërgjegjshme kemi ardhur në këtë gjendje, ku të kontrabandohet me interesa shtetërore e kombëtare. Kosova, çdo veprim duhet gjykuar me racionalizëm, pasi që mundë të ndodhë që për  ndonjë koncesion nuk do ta bartë  barra qiranë. Përkundër kësaj, Kosova nga dialogu me Serbinë nuk ka fituar asgjë përveç që ka shtyrë Serbinë drejtë  proceseve integruse, dhe duke dëmtar substancën e Republikës. Edhe ashtu, Kosova është dëmtuar tejmase me koncesionet e vazhdueshme   karshi Serbisë, si nga Plani Ahtisarit deri në zgjidhjen statusin të  Kosovës. Nga viti 2011 që kur kanë filluar bisedimet Kosovë- Serbi. Njëherë ishte quajtur vetëm si dialog teknik e më vonë u kuptua së ishte politik. Pasatja, fusnota të cilën znj. Edita Tahiri ja atribuoj epitetin e flluskës së borës, por ndodhi e kundërta. Prandaj, çdo koncesion që ka ndodhur karshi Serbisë e si ndërmejetëse BE-ja, pikërisht ka ndodhur nga kjo klasë politike e shantazhuar, e pandërgjegjshme dhe e korruptuar. Duhet të bëhemi realist që çdo shtet pretendent për në BE duhet të merr vendime të dhimbshme, por jo duke e dëmtuar sovranitetin shtetëror e duke dëmtuar shtetësinë në substancë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka kritika për politikën e jashtme që po e dështon misionin e politikës së jashtme, e për këtë fajin ua hedh edhe mos koordinimit të disa ministrive.

Image
Hidajmet Ahmeti

“Politika e jashtme duhet të punoj e veproj brenda kornizës së reciprocitet, por jo nënshtrimit e servilizmit, të cilat nuk ndihmojnë të ndërtohen raporte të shëndosha bilaterale e multilaterale në mes shteteve. Por njëri ndër faktorët e dështimit të realizimit të misionit të politikës së jashtme  është  edhe mos koordinimin adekuat të ministrive tjera për t’i quar proceset përpara. Mbi të gjitha  nuk ka  një strategji afatgjate për konsolidimin  e shtetësisë së Kosovës në raport ndërkombëtar,  e që të kishte impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës  në organizatat ndërkombëtare”, është shprehur Ahmeti.

Për më tepër, ai ka shtuar se, Kosova duhet të veprojë brenda kornizës së organizatave ndërkombëtare, e jo brenda politikave ditore.

“Organizatat ndërkombëtare funksionojnë brenda kornizës institucionale e me misione të caktuara ndërkombëtare, të cilave politika duhet të  ju përshtaten shtetet pretendente, por jo misionet e organizatave  ndërkombëtare të tjetërsohen duke ju përshtatur politikave të brendshme të shteteve . Kosova si shtet nuk ka vepruar e punuar brenda kornizave institucionale e politikave të caktuara të organizatave ndërkombëtare, por brenda politikave ditore të cilat nuk na dërgojnë në adresën e caktuar. Logjika e funksionimi të mekanizmave institucional shtetëror ka vepruar pa strategji afatgjate, e cila është përkthyer në stagnim të proceseve integruese, dhe  të cilat kanë prodhuar kontinuitetin e politikave të njëjta”, ka thënë Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat