Vetëm Gjykata Speciale Ndërkombëtare rrëzon Thaçin nga posti i Presidentit - Bota Sot
Vetëm Gjykata Speciale Ndërkombëtare rrëzon Thaçin nga posti i Presidentit

Politika

E martë, 13 nëntor 2018

Vetëm Gjykata Speciale Ndërkombëtare rrëzon Thaçin nga posti i Presidentit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 tetor 2018 Në ora: 20:01
Hashim Thaçi

“Gruevski siç e dimë ishte shumë më i fortë se Thaçi, por Prokuroria Speciale duke argumentuar veprimet korruptive qeveritare, e rrëzuan keq Gruevskin nga froni qeverisës. Shkurt e qartë, vetëm Gjyqi, dhe Prokuroria Speciale Ndërkombëtare mund ta rrëzojnë Thaçin, duke ia nxjerrë veprimet korruptive të tij, përndryshe nëse nuk do të ndodh përmes këtyre që i ceka, Thaçi do mbetet edhe shumë kohë i pamposhtur në politikën e Kosovës”, thotë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Ideja për korrigjimin e kufijve ka ashpërsuar zërat që duan rrëzimin e Hashim Thacit nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kushtetuta dhe ligjet e saj përcaktojnë mjaft qartë mënyrat e rrëzimit të Presidentit.

Kështu, Presidenti i vendit Hashim Thaçi mund të shkarkohet vetëm nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, të cilët e kanë votuar atë.

Kështu kanë vlerësuar njohës të çështjeve juridike e politike ku sipas tyre, vetëm parlamenti është institucioni që mund ta rrëzoj presidentin e një vendi, dhe kur konstatohet se i njëjti ka shkelur Kushtetutën.

Megjithatë, njohësit e çështjeve juridike dhe politike kanë frikë që përderisa sa Gjykatat në Kosovë janë të ndikuara politikisht, është e vështirë të arrihet deri te rrëzimi i politikanëve të cilët dyshohet se keqpërdorin pushtetin.

Millaku: Zgjedhjet do ta largojnë Thaçin nga posti

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku, thotë se zgjedhjet do të jenë ato që do ta largojnë presidentin Thaçi nga posti i tij.

Për Drita Millakun, Presidenti Thaçi, nuk ka kulturë politike që të reflektojë në protesta popullore e sidomos në rastet kur ato janë masive, siç ishin këto të fundit.

“Mendoj se zgjedhjet do të jenë ato që do ta largojnë presidentin Thaçi dhe atë me dy të tretat e Parlamentit pas konstituimit. Kjo është rruga ligjore, e cila do të çlironte këtë popull nga një zgjedhje e rëndë që po e mundon këtë vend dhe këtë popull për gjithë këto vite nga një njeri që vetëm të këqija i ka sjellë vendit . Bashkëpunimi i LVV -LDK do ta çlironte Kosovën nga "Çlirimtarët", shprehet deputetja Millaku. 

Dy mënyrat

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”, tregon dy mënyrat në bazë të të cilave mund të rrëzohet Presidenti.

“Janë dy mënyra të cilat mund ta rrëzojnë presidentin e vendit. Nën një: Votimi në Kuvend  si dhe nën dy, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pra e para bëhet me votat e deputetëve, ndërsa me vendim të gjykatës, kjo mënyrë shkon vetëm me padi dhe me shkeljet e pozitës së detyrave si President i vendit, të përcaktuara me Kushtetutë. Këtu hyjnë veprat penalë kundër rendit kushtetues, nënshkrimi i marrëveshjeve antikushtetuese si dhe veçoritë tjera. Pra vetëm në këto mënyra mund të rrëzohet presidenti Thaçi, pasi rrugë tjetër nuk ka”, thotë njohësi i çështjeve juridike profesor Kelmendi.

Kurse, avokati Tomë Gashi, deklaron se Kosova ka ligj që e përcakton shkarkimin e presidentit dhe ky është ligji kryesor në Kosovë, pra Kushtetuta e Kosovës.

 Ai ka thënë se kjo mundësi është paraparë me nenin 91 të Kushtetutës së Kosovës ku ndër të tjera thuhet se: Përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose Gjykata Kushtetuese konstaton se ai / ajo ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetues. Kuvendi mund ta shkarkojë presidenti me dy të tretave të votave (2/3) me gjithë deputetët e tij.

Mehazi: Vetëm Gjykata Speciale e rrëzon Thaçin

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, potencon se Presidenti Thaçi mund të rrëzohet vetëm në dy mënyra: Nën një, mund ta rrëzojnë ata të cilët e kanë votuar atë, pra deputetët e Parlamentit të Kosovës, dhe dy, Thaçin mund ta rrëzojë Gjykata Speciale ndërkombëtare.

Përndryshe sipas tij, populli kurrë  nuk do të mund ta rrëzojë e ta mposhtë Thaçin, madje edhe sikur demonstratat e protestat të ishin të ditë përditshme e masive.

“Përherë e çdoherë kur udhëheqësit shtetëror kanë qenë nën kontrollin e Gjykatave janë bërë shtete të fuqishme. Pa ligje të drejta nuk mund të ketë të drejta qytetare përveç të drejtave korruptive të autoriteteve shtetërore. Kanceri vdekjeprurëse në Republikën e Kosovës, e keqja e të gjitha të këqijave të vendit, janë Gjyqet e dirigjuara nga funksionarët e lartë, ashtu siç është Thaçi në këtë rast. Sepse në shtetet me sisteme të forta juridike, presidenti, kryeministri e të tjerët, frikohen nga Gjykatat ashtu sikur se nga gjarpri”, ka thënë Mehazi.

Ai ka theksuar se, përderisa sa Gjyqet në Kosovë janë nen komandën e Hashim Thaçit s'mund assesi të rrëzohet Thaçi dhe çifti i korruptuar i politikanëve.

“Shembulli i rrëzimit të Thaçit nga froni presidencial mund ta marrim nga bombat telefonike politike kundrejt Gruevskit në Maqedoni. Gruevski siç e dimë ishte shumë më i fortë se Thaçi, por Prokuroria Speciale duke argumentuar veprimet korruptive qeveritare, e rrëzuan keq Gruevskin nga froni qeverisës. Shkurt e qartë, vetëm Gjyqi, dhe Prokuroria Speciale Ndërkombëtare mund ta rrëzojnë Thaçin, duke ia nxjerrë veprimet korruptive të tij, përndryshe nëse nuk do të ndodh përmes këtyre që i ceka, Thaçi do mbetet edhe shumë kohë i pamposhtur në politikën e Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Vata: Kuvendi të formoj një grup hetimorë për të gjetur shkeljet

Image
Ilir Vata

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike Ilir Vata, konsideron se vetëm parlamenti është institucioni që rrëzon presidentin e një vendi, dhe kur konstatohet në shkelje të kushtetutës.

“Rasti i provokimit me shkëmbimin e kufijve është një precedent i pa hasur në një shtet demokratike dhe nëse konstatohet se ai është pjesë e kësaj ideja, parlamenti vendos shkarkimin e tij duke e bërë atë përgjigj për sovranitetin territorial të Kosovës, madje edhe me ren punon ne kundërshtim te kushtetutës. Por më parë parlamenti duhet të ngre një grup hetimor dhe të hetojë rastin, dhe nëse konstaton se presidenti Thaçi ka shkelur kushtetutën ai do ishte mirë të jepte dorëheqje para se parlamenti ta shkarkojë”, ka thënë Vata.

Sipas tij, mjafton një grup deputetesh të kërkojnë mosbesim ndaj presidentit dhe shkohet në zgjedhje.

“E rëndësishme është se kuorumi i parlamentit duhet të ketë shumicë të cilësuar, pra palët politike duhet të bien dakord për qëndrimin dhe bashkimin e votave. Nëse provohet, Thaçi është një Hamza Kastrioti në kohë moderne, kundër interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi. Faktori politik shqiptar brenda dhe jashtë Kosovës duhet të jetë sy çelë përballë këtij provokimi që vë në rrezik interesat e shqiptarëve dhe cenon tërësinë territoriale të Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve Ilir Vata.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test