Si e tradhëtoi PDK dhe Hashim Thaçi Luginën e Preshevës?

Politika

Si e tradhëtoi PDK dhe Hashim Thaçi Luginën e Preshevës?

Nga: Nehat Hyseni Më: 17 tetor 2018 Në ora: 13:08
Hashim Thaçi

Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Republikës së Kosovës në tre mandate, edhepse jo të plotë. Por, gjatë qeverisjes së tij, Lugina e Preshevës u injorua skajshmërisht, si të mos ekzistonin fare!
Thuhej se ai kishte aversion dhe urrejtje enigmatike ndaj Luginës. Prandaj, asnjëherë nuk i pranoi dhe as që i ftoi përfaqësuesit e saj politik ndonjëherë gjatë periudhës shtatë vjeçare të sundimit të tij si kryeministër.
Përjashtim të vetëm bëri në vitin 2013, pas heqjes së Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.
Por, i nervozuar se pse nuk e kishin mbrojtur me luftë heqjen e Lapidarit nga Xhandarmeria e Serbisë në mëngjesin e hershëm të së dielës së acarrtë, më 20 janar 2013, Hashim Thaçi, publikisht ua kishte sharë nënën dhe i kishte quajtur tradhëtarë dhe “pa ndjenja kombëtare”, duke përdorur një fjalor të pistë e fyes dhe skajshmërisht poshtrues ndaj tyre!
Në të vërtetë, Hashim Thaçi këtë fjalor fyes dhe këtë shfryerje me sharje nëne dhe poshtrime, së bashku me Fatmir Limajn, e kishte përdorur kohë më parë edhe ndaj Kryeparlamentarit, Akademik Nexhat Dacit, i cili është me origjinë nga Lugina e Preshevës.
Gjithashtu, në Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, askund, asnjëherë dhe absolutisht as në margjina apo fusnota, nuk është përmendur çështja e shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Hashim Thaçi, në cilësinë e Kryeministrit dhe të kryemegociatorit kosovar, nënshkroi Marrëveshjen për normalizimin e raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, më 19 prill 2013, me homologun e tij të Serbisë, Ivica Daçiqin dhe më ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të Unionit Europian, baroneshës Catherine Ashton. Por, çështja e Luginës u anashkalua plotësisht nga Hashim Thaçi gjatë kohës sa ishte ai kryenegociator i palës kosovare në Dialogun e Brukselit!
Ngjashëm veproi edhe Kryeministri Isa Mustafa më 25 gusht 2015, me nënshkrimin e Marrëveshjes me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe me ndërmjetësimin e përfaqësueses së UE, zonjës Federica Mogherini.
Edhe në këtë Marrëveshje nuk u përmend fare Lugina e Preshevës.
Si mund të kuptohet ndryshe ky injorim total i palës kosovare në dialogun e Brukselit dhe në Marrëveshjet e nënshkruara atje, duke e injoruar plotësisht dhe absolutisht çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, përveç se një tradhëti ordinere ndaj Luginës, por dhe ndaj Kosovës dhe ndaj kauzës kombëtare të shqiptarve në Ballkan?
Sepse, duhet hequr definitivisht maskat dhe “syzat” e tradhëtisë kombëtare, se Republika e Kosovës dhe Pavarësia e Sovraniteti territorial i saj mund të mbrohen duke e sakrifikuar dhe duke e injoruar e harruar plotësisht çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës.
Ky është një iluzion makabër dhe absurd!
Ashtu siç është iluzioni makabër dhe absurd i politikbërjes serbe se “Kosova është Serbi”, që është i ngulitur në Kushtetutën e Serbisë dhe në kokat e tyre të krisura mesjetare, të çmendura dhe anticivilizuese, që po ua mundëson qëndrimin në pushtet dhe privilegjet e komoditetin e shfrenuar që vetëm performansa e politikbërjes primitive e iluzioniste ballkanike mund ta ofroj.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat