Kuvendi i Kosovës po rrëshqet drejt shpërndarjes - Bota Sot
Kuvendi i Kosovës po rrëshqet drejt shpërndarjes

Politika

E martë, 13 nëntor 2018

Kuvendi i Kosovës po rrëshqet drejt shpërndarjes

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 tetor 2018 Në ora: 08:14
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

“Këta nuk janë serioz, janë duke luajtur hajnin përbrenda institucioneve. Roli i Kuvendit është mbrojtës për hajnin dhe shpenzues i kotë i buxhetit. Ky Kuvend duhet shpërndarë sa më shpejtë që është i mundur dhe në përbërjen tjetër duhet të ketë njerëz më të kaluar të pastër, pa akuza në gjyq dhe përbërja duhet të jetë 50-50 për të reflektuar barazinë gjinore të popullatës”, ka deklaruar publicisti Haki Abazi për “Bota sot”.

Numër i madh i pikave të rendit të ditëa caktohen për seanca të Kuvendit të Kosovës. Kjo për shkak të mungesës së deputetëve e rrjedhimisht të mungesës së kuorumit, duke bërë kështu që ligjet të mos votohen dhe të grumbullohen shumë pika në një seancë.

E derisa seancat nuk mbahen dhe ligjet nuk votohen, deputetët vazhdojnë të paguhen dhe kanë paga mjaft të larta.

Madje, ka deputetë që vetëm shkojnë në Kuvend, nënshkruhen dhe më pas dalin nga seanca.

Tahiri: Vendimet dhe aktet tjera varen prej deputetëve

Image
Ramush Tahiri

Lidhur me gjithë këtë, politologu Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Bota sot” se deputetët janë të zgjedhurit e popullit dhe ata kanë kujdes që të mos anashkalohen interesat e përfitimet e veta, pasi e kanë marrë këtë mandat.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës është ligjvënës ashtu si edhe çdo Kuvend i shtetit tjetër dhe është e kuptueshme që secili ligj që vjen në Kuvend amandamentohet dhe përshtatet dhe deputetët kanë kujdes që të mos anashkalohen por të maksimalizohen interesat, përfitimet dhe benefitet e veta pasi e kanë marrë mandatin dhe janë të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e popullit. Njëjtë vlen edhe për rregulloret, vendimet dhe aktet e tjera që varen prej tyre dhe që janë në dorën e tyre”, është shprehur Tahiri.

Abazi: Lista Serpska është bërë faktori kryesor i shantazhimit të vendit

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, duke folur për këtë temë, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kuvendi duhet të jetë jashtë funksionit që ta mbajë këtë qeveri.

“Fakti që ky është një Kuvend sa për sy e faqe ka qenë e ditur që nga momenti kur kuvendarët janë përjashtuar nga çdo vendim i rëndësishëm dhe qeveria që është e krijuar nuk ka asnjë legjitimitet. Për të mbajtur këtë qeveri është domosdoshme që Kuvendi të jetë krejt jashtë funksionit. Lista Srpska është bërë faktori kryesor i shantazhimit të vendit dhe vetes dhe koalicionit qeveritar”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, kuvendarët duan ta kalojnë gjysmën e mandatit që të sigurojnë paga për vete dhe kjo është e pasinqertë që të marrin paga pa punuar.

“Këtu po pritet që opozita ta krijojë shumicën që të shkohet në zgjedhje por është e qartë që nuk ka shumicë në parlament dhe kjo e bën jofunksional dhe jo legjitim këtë Kuvend. Është e qartë që kuvendarët e kanë për vete dhe për të kaluar gjysmën e mandatit që të sigurojnë paga për vete asgjë më shumë. Është e pasinqertë se si njerëzit pranojnë të marrin pagë pa punuar dhe pa qenë përfaqësuesit e interesit të qytetarëve”, ka theksuar Haki Abazi.

Abazi: Kuvendi duhet të shpërndahet

Ai vlerëson se, Kuvendi është i barabartë me një gomë të shpërthyer që nuk i hyn askujt në punë dhe se po e luajnë rolin e hajnit brenda institucioneve.

Kështu sipas tij, Kuvendi duhet shpërndarë.

“Ky parlament është i barabartë me një gomë të shpërthyer që nuk i hyn në punë askujt. Është e turpshme se si po luan pozita me ligjin për shtëpinë e Jasharëve, që 20 vite ata kanë dhënë me qindra miliona euro në kontrata sekrete që nuk i di qytetari, janë duke bërë gati një kontratë që jep 84 milionë për me pak se 500 metra pistë të aeroportit që është kontratë e kundërligjshme dhe i gjuhen në qafë opozitës se kinse nuk e paska votuar ligjin. Këta nuk janë serioz, janë duke luajtur hajnin përbrenda institucioneve. Roli i Kuvendit është mbrojtës për hajnin dhe shpenzues i kotë i buxhetit. Ky Kuvend duhet shpërndarë sa më shpejtë që është i mundur dhe në përbërjen tjetër duhet të ketë njerëz më të kaluar të pastër, pa akuza në gjyq dhe përbërja duhet të jetë 50-50 për të reflektuar barazinë gjinore të popullatës”, ka deklaruar Abazi për “Bota sot”.

Zogaj: Shoqëria civile duhet t kërkoj llogari

Image
Skënder Zogaj

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kuvendi është jofunksional pasi nuk ka kuorum dhe nuk e ka forcën e vendimmarrjes.

“Kuvendi i Kosovës është jo funksional sepse po ballafaqohet me problemin elementar, të sigurimit të kuorumit për hapjen punimeve dhe mbajtjen e seancave kuvendore! Ky është problem ekstrem sepse e bën Kuvendin e Kosovës in ekzistent dhe legjislaturën aktuale të pavlershme, sepse legjislativi, si i këtillë që është nuk e ka forcën e vendim marrjes, as për çështjet e dorë së tretë që kërkojnë një shumicë të thjeshtë”, ka theksuar Zogaj.

Sipas tij, fajtore është edhe shoqëria civile e cila duhet të kërkojë përgjegjësi nga deputetët dhe të kërkojë që ta lirojnë detyrën nëse nuk mund ta bëjnë atë.

“Problemi është politik sepse e kanë sajuar partitë politike por është edhe i shoqërisë civile, e cila nuk duhet të qëndrojë duarkryq, por duhet të kërkojë përgjegjësi nga deputetët, duke ua bërë me dije se nëse nuk mund ta realizojnë funksionin e tyre, kanë detyrim moral që ta braktisin Kuvendit, si grupe parlamentare ose individualisht, e jo të mrizojnë aty për qëllime përfitimesh materiale”, është shprehur Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një cirk

Image
Faik Krasniqi

Kurse, njohësi tjetër i çështjeve aktuale në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dy legjislaturat e fundit janë më të dobëtat dhe më të turpshmet, ku shumë deputetë vetëm nënshkruhen dhe dalin.

“Me asnjë legjislaturë në Kosovën e pasluftës nuk mund të mburremi, por dy legjislaturat e fundit janë më dobëtat dhe më të turpshmet. Kjo përbërje vetëm sa e ka degraduar maksimalisht pozitën e deputetit. Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një cirk. Ky Kuvend është turpi i kësaj shoqërie. Kemi parë me dhjetëra deputetë që kanë shkuar vetëm për t'u nënshkruar për mëditje dhe janë larguar menjëherë nga salla e Kuvendit. Kjo tregon se çfarë njerëz ka votuar qytetari i Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, në këtë legjislaturë kemi servilë të partive dhe shifrat e dëshmojnë se kjo është legjislatura më e dobët që nga paslufta.

“Derisa në nomenklaturën e parë e të dytë legjislative kishte një numër të madh doktorë shkencash e akademikësh, intelektualë të mirëfilltë, tani në këtë legjislaturë, janë kontrabanduar njerëz servilë e të dëgjueshëm të partisë, njerëz të ish-shërbimeve partiake, ata që janë marrë me krim të organizuar e njerëz të dëshmuar për korrupsion e shantazh. Edhe shifrat tregojnë që kjo legjislaturë është më e dobëta prej pasluftës në Kosovë”, ka vlerësuar Krasniqi.

Ai thekson se Kuvendi është shndërruar në institucion marionetë të partive politike dhe ligjet që janë miratuar janë për interesa të tyre dhe jo të qytetarëve.

“Me një fjalë, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në institucion marionetë të partive politike dhe mbrojtës të interesave të ngushta klienteliste oligarkike. Edhe ato pak ligje të miratuara deri më tash, nuk kanë qenë ligje për interesa të qytetarëve, por për interesave të partive në pushtet dhe grupeve të caktuara të interesit dhe mafio-politikës”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test