Me 20 nëntor, Kosova synon INTERPOL-in!

Politika

Me 20 nëntor, Kosova synon INTERPOL-in!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 19 tetor 2018 Në ora: 16:01
INTERPOL

Në Lyon të Francës, ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të INTERPOL-it me shumicë votash u votua që për Kosovën të vendoset në nëntor në Emiratet Arabe.

E anëtarësimi në këtë organizatë botërore të Policisë është synim i Kosovës, pavarësisht pengesave që po mundohet t`i paraqes Serbia.

Në Asamblenë e Përgjithshme e cila do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, në nëntor të këtij viti do të zhvillohet agjenda për Kosovën me shpresë të anëtarësimit në INTERPOL.

Mirëpo, rreziku permanent është nga Rusia dhe Serbia, shtete këto që po lobojnë me tërë potencialin e tyre kundër Kosovës.

Në Lyon të Francës, ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të INTERPOL-it me shumicë votash u votua që për Kosovën të vendoset në nëntor në Emiratet Arabe.

E anëtarësimi në këtë organizatë botërore të Policisë është synim i Kosovës.

Çuni: E kemi synim të jemi në mesin e 186 anëtarëve të INTERPOL-it

Image
Anton Çuni

Deputeti i Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Anton Çuni pohon se, ky synim do të duhej të jetë në agjendën e tërë spektrit politik të Kosovës.

Ai thotë se, ne nuk duhet të deinkurajohemi edhe për kundër rezistimit të Serbisë dhe aleatëve të saj.

“Të jesh në mesin e 186 anëtareve të INTERPOL-it është synim dhe arritje e cila do të duhej të jetë në agjendën e tërë spektrit politik të Kosovës, pozitë dhe opozitë. Në vazhdën e kësaj edhe LDK-ja në kontaktet e saja me partnerët strategjik është e përkushtuar për arritjen e këtij synimit. Kështu ishte edhe para ca ditëve në Bruksel, ku LDK-ja në konferencën e lartë të organizuar nga Partitë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, në kuadër të panelit: Rritja e bashkëpunimit ndërkufitar dhe trajtimi i çështjeve të sigurisë, e trajtoj rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës edhe në INTERPOL. Përkundër rezistimit të Serbisë dhe aleateve të saja ne nuk duhet të inkurajohemi në forcimin për sundimin e rendit dhe ligjit. Përkundrazi puna e përbashkët në këtë çështje duhet të jetë model i mirë edhe për çështjet tjera në fushën e integrimeve Euro-Atlantike”, thotë deputeti Çuni për gazetën “Bota sot”.

Kosova ka lobuar fuqishëm për anëtarësim në INTERPOL

Image
Zafir Berisha

Ndërsa, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha pohon se, Kosova ka dhënë maksimumin e vet për lobim sa i përket anëtarësimit në INTERPOL.

“Mendoj që Kosova e ka dhënë maksimumin e fuqisë së vet lobuse lidhur me Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtar të Kosovës të cilët në mbledhjen e fundit në Kinë kanë pas insistua që Kosova me hequr dorë nga aplikimi për INTERPOL me qëllimin me fitu kohë më shumë për lobim. Rreziku kundër lobimit nga Serbia është evident dhe do të ekzistojë edhe një kohë të gjatë por kjo nuk duhet neve si shtet me na dekurajua kur dimë se kush është Serbia”, thotë Berisha për gazetën “Bota sot”.

Kurse, ish-drejtori i Akademisë së Policisë së Kosovës, eksperti i policisë Hajrullah Tërnava thotë se, çështja e pranimit të Kosovës në INTERPOL është procedurë ndërkombëtare ligjore, që duhet me iu përmbajt rregullave ligjore dhe afateve të parapara se kur duhet me u bë kërkesa me shkrim për anëtarësim. Sipas tij, çështja kryesore për anëtarësim në këtë organizatë është lobimi shtetëror, tek ato shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe te shtetet tjera që në esencë në kohët e fundit janë luhatur për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Pas INTERPOL-it, Kosova synon OKB-në

Image
Hajrullah Tërnava

“Përvoja e deritashme na ka mësuar se sikurse herën e parë që nuk i patëm votat e mjaftueshme për anëtarësimin në këtë organizatë, tani në të ardhmen duhet e tërë diplomacia e shtetit tonë, dhe diplomacia ndërkombëtare e shteteve mike të na ndihmojnë për anëtarësimin në këtë organizatë të rëndësishme. Ky anëtarësim është aq i rëndësishëm për ne dhe për të gjitha shtetet anëtare në këtë organizatë, sepse lufta e krimit ndërkombëtar bëhet në mënyrë ma kompakte dhe gjithëpërfshirëse dhe e drejt për së drejti nëse anëtarësohet Kosova në Interpol”, thotë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, ky interes i ndërsjellët është arsye e fortë që Kosova me përkrahjen e shteteve mike dhe atyre që e kanë njohur ka gjasa reale që të pranohet në këtë organizatë shumë të rëndësishme ku shteti jonë ka mundësi reale që një ditë të jetë edhe anëtare e OKB-së si shtet i pavarur.

“Nuk duhet të harrojmë qëndrimin armiqësor dhe aktivitetin për mospranim në këtë organizatë të Serbisë, e cila edhe që jep premtime se nuk do ta pengoj Kosovën në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ajo gjithnjë do ta bënë të pamundur që Kosova mos të anëtarësohet në këtë organizatë, prandaj miqtë e fortë të Kosovës duhet ta kryejnë punën e madhe për Kosovën që të anëtarësohet në këtë organizatë”, thotë Hajrullah Tërnava.

Serbia kundër Kosovës në INTERPOL

Sekretarja e MUP-it serb, Dijana Hrkaloviç ,ka theksuar se pranimi i mundshëm i Kosovës si anëtare e re në INTERPOL paraqet shkelje të drejtës ndërkombëtare.

Sipas saj, para të gjithash kjo do të paraqiste shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Sipas njoftimit të publikuar nga MUP-i serb, ajo gjatë një bisede me ambasadorët e Marokut dhe Palestinës në Beograd, Mohamedom Belhaj dhe Mohamed Nabhanom, i ka njoftuar për qëndrimin dhe argumentet e Serbisë kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.

Ajo po ashtu ka shtuar se anëtarësimi i mundshëm i Kosovës do të ishte shkelje e rregullave dhe procedurës së INTERPOL, që definon se anëtarët e organizatës duhet të jenë vetëm shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, dhe vëzhgues në organizatën botërore.

Kur Haradinaj ishte arsyetuar!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte vendosur që të shtynte aplikimin për anëtarësim në INTERPOL, me arsyetimin se Kosovës do t’i mungonin votat nga disa shtete dhe se nuk dëshironte të përsëritej e njëjta histori si me anëtarësimin në UNESCO.

Ishte raportuar se një gjë e tillë kishte ndodhur pasi aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, i kishin kërkuar Haradinajt të mos aplikonte sepse Kosova nuk e kishte përkrahjen e nevojitur dhe se nuk do të siguronte votat pro anëtarësimit.

Por, ja që Kosova shumë shpejt mund të bëhet anëtare e plotë në Interpol.

Pra, për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL do të dihet në fund të nëntorit, me gjasë më datën 20 nëntor, kur do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate ndërkombëtare policore në Emiratet e Bashkuara Arabe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat