Skandal: Krimineli i luftës shërbeu 16 vite si polic i Kosovës, kërkohet rigjykimi i tij

Politika

Skandal: Krimineli i luftës shërbeu 16 vite si polic i Kosovës, kërkohet rigjykimi i tij

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 tetor 2018 Në ora: 19:08
Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Jovica Dejanovic, foto ilustrim nga "Bota sot"

Marte Tunaj nga Gjakova dhe Vasfije Krasniqi-Goodman nga Vushtria, janë ndër gratë e para të vendit, të cilat kanë  thyer heshtjen e pllakosur ndër vite, për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shteti i Kosovës, jo vetëm që nuk i mbrojti këto gra dhe të tjerat ato që nuk patën guximin identifikoheshin para medieve, por shkoi aq larg sa që i rekrutoi kriminelët serb të veriut, duke i punësuar ata brenda institucioneve të Kosovës.

Kështu, njëri prej dhunuesve të Vasfije Krasniqit, Jovica Dejanovic ish polic i Serbisë, ka shërbyer edhe në Policinë e Kosovës, nga 12 shkurti i vitit 2001 deri më 15 qershor 2017.

Pushtetarët tanë me këtë veprim të ligë ua kujtuan vazhdimisht këtyre grave të mbijetuara të kaluarën, duke “i dhunuar” mjerisht  edhe njëherë ato, me imazhet e ndyra të përdhunuesve serb.

Njohësit e çështjeve politike dhe juridike, vlerësojnë se zbardhja e krimit të dy kriminelëve serbë ish policë të Serbisë, që gjatë luftës kanë dhunuar 16 vjeçaren shqiptare, dhe që pas luftës kanë arritur të veshin uniformën e policisë së Kosovës, është jo vetëm skandal, por edhe një tmerr i llahtarshëm, pasi është dëshmi e dështimit institucional të Kosovës.

Haxhiu: Vasfija u përball me padrejtësitë e UNMIK-ut dhe EULEX-it

Image
Albulena Haxhiu

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në lidhje me këtë çështje ka thënë se personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës, kanë përjetuar një krim të dyfishtë. Po ashtu, ajo ka shtuar se, institucionet e Kosovës nuk duhet lejuar assesi që personi i cili e përdhunoi Vasfijen të shërbej në Polici dhe të paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

Sipas saj, krim i dyfishtë për ta është për shkak se pasluftës institucionet e vendit në vend që t’i përkrahin këta persona, kanë heshtur karshi këtij krimi që ka ushtruar regjimi i Millosheviqit në kohën e luftës në Kosovë.

“Vasfija përveç tmerrit që kishte përjetuar, ajo u përball edhe me padrejtësitë e shtetit dhe misioneve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK-ut dhe EULEX-it, e po ashtu gjyqtari në rastin e Krasniqit ishte i korruptuar. Ne nuk duhet të lejojmë assesi që personi që e përdhunoi Vasfijen të shërbej në Polici dhe se ai të paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës duke e pas parasysh që ai duhet të dënohet dhe jo të jetë pjesëtar i Policisë së Kosovës. Ne nuk guxojmë të heshtim ndaj këtyre krimeve dhe nuk guxojmë të lejojmë që një kriminel, i cili ka kryer përdhunime në Kosovë të jetë pjesë e Policisë që ai të paguhet nga taksat e qytetarëve tanë” ka thënë deputetja Haxhiu.

Ajo ka thënë se rasti i Vasfijes të riprocedohet përsëri në gjykatë dhe siç u shpreh ajo, kriminelët që e kryen këtë krim duhet të dënohen.

“As gjyqtarët nuk duhet të heshtin më dhe kërkojmë nga ta që ky rast të kthehet nga e para dhe këta kriminel duhet të dënohen. Sipas saj, asnjëherë institucionet e Kosovës nuk kanë kërkuar nga Serbia që t’i pranoj këto krime që ka bërë në Kosovës dhe se sipas saj, me Serbinë nuk mund të bisedohet nëse nuk i pranon krimet dhe gjenocidin që ka kryer në luftën e fundit në Kosovë”, është shprehur deputetja Haxhiu.

Gashi: Gruaja e parë ishte Marte Tunaj

Image
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se lufta ka sjell shumë vuajtje për të gjithë popullin shqiptarë të Kosovës përveç për profiterët e luftës, të cilët luftën për çlirim nga okupimi serb e kanë shndërruar në biznes.

“Një nga plagët tepër të rënda dhe me pasoja të përjetshme kanë qenë edhe dhunimet në Kosovë që i ka bërë ushtria , policia dhe paramilitarët serbë. Të gjithë këto dhunime janë krime të luftës. Dhunimet janë kryer në mënyrë sistematike si presion dhe poshtërim që na është bërë me qëllimin e pastrimit etnik dhe degradimit të familjes si bërthamë e kombit shqiptarë. Femra e parë që ka folur haptas për dhunimin seksual në luftë të kryer nga serbet ka qenë zoja Marte Tunaj nga  Gjakova. Pasi ajo para pesë viteve ka folur haptas në një medium, pa maskë dhe pa asnjë mbulim të fytyrës, e as të zërit dhe as të pamjes së saj, por duket që dikujt nuk i ka lënë shumë përshtypje ky rast aq i rëndë saqë ajo shpejtë u harrua si gruaja e parë shqiptarë që foli publikisht për dhunën seksuale ndaj saj të kryer nga policët dhe ushtarakët serb”, ka thënë avokati Gashi.

Gashi: Gjyqtarët që liruan dhunuesit duhet të arrestohet

Kurse, sa i përket i përket zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, Gashi ka thënë se fillimisht duhet arrestuar gjyqtarët që sollën vendim për t`i liruar kriminelët serbë, që pa dyshim e dhunuan seksualisht në moshën 16 vjeçare.  

Më pas, sipas tij, shteti i Kosovës duhet të angazhojë avokatët më të mirë, për të përfaqësuar atë në Gjykatë dhe për të iniciuar rigjykimin.

“Pas arrestimit të gjyqtarëve duhet të kërkohet përgjegjësi dhe të arrestohen përgjegjësit e Policisë së Kosovës që e keqpërdorën pozitën e vet për ta mbajtur serbin dhunues të Vasfijës për 16 vjet në Policinë e Kosovës. Si ka mundur të ndihet Vasfija kur e ka pa dhunuesin e saj në uniformën e policisë së Republikës së Kosovës. Pra, kjo ka qenë dhunim sistematik psikik i saj që për 16 vite dhunuesi i shtetit serb polici apo ushtaraku serb tani kishte uniformë të re të policisë së Republikës së Kosovës, e cila në fillim mbi 80% kanë qenë ishte pjesëtarë të UÇK-së. Pastaj, duhet kërkuar përgjegjësi morale edhe nga ish pjesëtarët e UÇK-së të cilëve Vasfije Krasniqi ju raportoi për dhunimin seksual ndaj saj nga polici dhe ushtaraku serb në prill të 1999”, ka thënë avokati Gashi.

Sipas tij, ish udhëheqësi politik i Kosovës tani president e dekoron viktimën të cilën e ka pasur për obligim ta mbrojë gjatë luftës e që nuk ka mund ta bëjë.

“Thaçi jo vetëm që si ka ndihmuar në asnjë mënyrë që të ketë një mbrojtje juridike efektive në përfaqësimin e saj në Gjykatat e Republikës së Kosovës, atëkohë sa ishte kryeministër i Kosovës, por edhe  i ka anashkaluar. Thënë më thjeshtë tragjedia e Vasfije Krasniqi Goodman është shumë në mënyrë djallëzore duke u keqpërdorur dhe atë vetëm pasi që ajo ka shtetësi amerikane se përndryshe ajo do të mbetej e panjohur siç mbet Marte Tunaj edhe pse ajo doli haptas dhe e denoncoi dhunimin nga ushtarakët serb gjatë luftës. Asaj madje nuk i dha askush medaljen presidenciale për trimëri të jashtëzakonshme që tregoi me rrëfimin e ngjarjeve të dhimbshme të vitit 1999”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se, dalja e parë e denoncimit të dhunimit seksual gjatë luftës nga serbet e znj. Marte Tunaj aspak nuk e zbehë daljen publikë të znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe asaj duhet ti jepet çdo ndihmë e çdo lloji për rehabilitim dhe për luftën për drejtësi që shteti i Kosovës nuk e bëri asnjëherë nga viti 1999.

Zogaj: Këta dy dhunues nuk janë të vetmit të punësuar në institucione

Image
Skender Zogaj

Ndërsa analisti politik Skender Zogaj, ka thënë për se zbardhja e krimit të dy kriminelëve serb ish policë të Serbisë që gjatë luftës kanë dhunuar 16 vjeçare shqiptare, dhe që pas luftës kanë arritur të veshin uniformën e policisë së Kosovës, është jo vetëm skandal, por edhe një tmerr i llahtarshëm sepse është dëshmi e dështimit institucional të Kosovës.

“Nëse drejtësia në Kosovë ka i pikë guximi profesional krahas dënimit të dy kriminelëve serb duhet të hulumtojë dhe dënojë edhe ata që kanë lejuar që kriminelët serb Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojloviq të hyjnë në policinë e Kosovës. Rekrutimi i pjesëtareve të policisë është detyrë e shkallës më të lartë shtetërore - e natyrës “tepër sekret”, ndaj të gjithë pjesëtareve të policisë e veçmas ndaj pjesëtareve që vijnë nga nacionaliteti serb, që vazhdojnë të manifestoj hapur ndjenja të egra antishqiptarizëmi dhe aspiratash për vazhdimësi krimesh. Këta dy dhunues nuk janë të vetmit, prandaj, institucionet por edhe të gjithë shtetasit shqiptarë që e duan vendin dhe popullin e vet, duhet të angazhohen në zbulimin kriminelëve dhe denoncimin e tyre, siç bëri, motra jonë, Vasfije Krasniqi”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Kaloshi: Kodi penal do duhej ti dënonte deri në 10 vjet të tillët

Kurse, profesoresha Gjyla Kaloshi, njëherë dhe presidente e shoqatës International Uoman’s Club, ka thënë se ky akt, për një shtet ku sundon e drejta, do të ishte skandali më i madh me pasoja të rënda ligjore dhe shoqërore, sepse bëhet fjalë për një person zyrtar, pra për një polic, i cili është nën betim se do ta mbrojë jetën e shtetasve dhe qytetarëve të vet.

Ajo ka kërkuar rrëzimin e qeverisë duke thënë se ky është një skandal politik.

 “Kodi penal do duhej ti dënonte deri  në10 vjet të tillët. Si rrjedhojë ky akt do të duhej të shkaktonte një zinxhir dorëheqjesh dhe, pse jo, edhe rrëzimin e qeverisë, flas për shtete me rend juridik dhe vetëdije shoqërore. Megjithatë, në shtetet tona, të cilat assesi ta marrin veten dhe ku nëntoka, jo vetëm që e kontrollon aparatin shtetëror, por është vetë shteti, mund të ndodhë që një polic të të denigrojë, përdhunojë dhe të të vrasë dhe, në sajë të vendimeve arbitrare politike, përsëri të ushtrojë profesionin e policit, sikur jeta e njeriut të ishte një hiçgjë. Në diskursin tonë, jemi mësuar të dëgjojmë dhe të jetojmë me sintagmën: i forti i mëhallës, qytetit dhe shoqërisë dhe sa më pak shtet, aq më i lirë mbetet në veprime dhe akte të shëmtuara: përdhunime, plaçkitje, abuzime dhe vrasje i forti, për të cilin, siç duket, ka nevojë mëhalla, shoqëria dhe shteti”, ka thënë profesoresha Kaloshi.

Shahu: Të merren masa ndaj rekrutuesve

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa analisti politik Rexhep Shahu, konsideron se këtu vihet në pyetje apo ndoshta është edhe në lojë autoriteti moral i shtetit të Kosovës, i qeverisë së Kosovës, ku Ministria e Brendshme mbulon policinë.

Ai ka thënë se këtu është gjatë një sekondë për ta heq nga puna këtë polic dhe pastaj shteti ligjor të veprojë ndaj këtij dhunuesi.

”Por, administrativisht shteti nuk është shtet nëse nuk e heq nga puna brenda një sekondë këtë polic, pavarësisht i çfarë nacionaliteti është. Po të ishte në Amerikë do të kishte përfunduar në karrige elektrike, ndërsa këtu dhunuesi bëhet mbrojtës ligji e ruajtës së rendit. Ky rast flagrant duhet ta shkunde shtetin, kush e rekrutoi këtë dhunues, a janë shtetarë e zyrtarë apo janë çobane delesh ata që e kanë rekrutuar. A mos ka qëllim e dashje të keqe rekrutimi i tij me ju thanë shqiptarëve se ne ju vëmë rojë dhunuesit tuaj. Shkurt, ky është rast tronditës dhe shtetarët e zyrtarët që e kanë rekrutuar, që e kanë mbajt që e kanë ditë, duhet të përjashtohen e ndëshkohen si dhunuesi pasi fshehësi i krimit është fajtor si krimineli për përkrahjen që i bën”, ka thënë analisti politik Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat