Ndërrimet e ministrave për interesa personale të partive

Politika

Ndërrimet e ministrave për interesa personale të partive

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 tetor 2018 Në ora: 21:14
Qeveria e Kosovës

Bejtush Gashi është shkarkuar nga pozita pozita e ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, ende pa e mbushur gjysmë viti në këtë pozitë.

Një gjë e tillë ndodhi para disa muajve edhe me Albena Reshitajn,  Ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndryshimet e tilla në Qeveri, nuk po bëhen për shkak të përformancës së mirë apo të dobët të ministrave, por për  interesa personale dhe përmbushjeve të egos, respektivisht apetiteve të politikanëve të ndryshëm. Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike ku sipas tyre, këto emërime janë të kota dhe inate të AKR-së.

Sipas tyre, shkarkimi i Ministrit Gashi tregon që qeveria po mundohet të menaxhojë kriza dhe është çështje e një vote për të rënë.

Flet sekretari i AKR-së

Image
Vesel Makolli

Vesel Makolli, sekretar i AKR-së dhe zëvendësministër i Punës dhe Mirqenies Sociale, ka thënë për  “Bota sot” se qeveria gjegjësisht ministritë dhe dikasteret tjerë të saj, duhet të jenë permanent në aktivitetet e tyre optimale për të qenë sa më shumë në shërbim të qytetarëve dhe për avancimin e çështjeve me rendësi shtetërore.

“Besojmë se ministri i ri i MPB do ti shtyjë përpara të gjitha proceset që i synon kjo ministri me programet e saj të punës. Çdo formatizim duhet të sjell energji pozitive dhe frymë të re avancuese në punë dhe angazhime pasi që për këto qëllime edhe bëhen ndryshimet. Ne angazhohemi gjithashtu për ruajtjen e kuadrove, duke i orientuar  në sferat ku ata kanë mundësi që te japin maksimumin, si dhe ku ata e ndiejnë veten ma komod. Në frymën e kësaj edhe janë bërë këto ndryshime, dhe se ministri në largim do të caktohet më vonë në vendin e merituar, adekuat dhe përgjegjës”, ka thënë Makolli.

Mushkolaj: Ndrrimet po ndodhin sepse qeveria është kah fundi

Image
Imer Mushkolaj

Analisti politik Imer Mushkolaj, ka thënë  se ndryshimet e tilla në Qeveri, nuk po bëhen për shkak  të përformancës së mirë apo të dobët të ministrave, por për interesa personale dhe për përmbushjen e egos, respektivisht apetiteve te politikanëve të ndryshëm.

Sipas tij, egot personale po e dëmtojnë të mirën e përgjithshme, që do të duhej të ishte një qeverisje e përgjegjshme, me njerëz të përgjegjshëm, pa marr parasysh prej cilit rajon të vendit vijnë.

“Është shumë e rrezikshme kjo qasje, që tash një deputet në kuvendin e Kosovës të tentoj që nga rajonet e tyre, të vijnë emra të caktuar ministrash, vetëm për arsye shumë banale, e jo për arsye që do të ishin shumë të pranueshme. Respektivisht Ferizaj në këtë të përfitonte diçka nga ardhja e personit si ministër i brendshëm. E ne e dimë se çfarë ndikimi kushtimisht edhe në investimet e caktuar të Kosovës, mund të ketë një ministër i Brendshëm, zero ndikim”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka pohuar se në këtë rast është problemi kryesor tek qasja e AKR-së, pasi kjo parti me një pozitë kaq të rëndësishme që e ka koalicioni qeveritar, (Ministrinë e Brendshme) për një kohë shumë të shkurtër i bënë tri ndërrim e të ministrave.

“Kjo na tregon se sa seriozisht kjo parti e merr qeverisjen dhe një dikaster kaq të rëndësishëm si ministria e brendshme. Andaj mendoj se ndërrimet po ndodhin, pasi që qeverisja është kah fundi dhe se parti të ndryshme po duan që njerëzit e tyre të përfitojnë një grim pushtet, para se të përfundoj kjo qeverisje. Po ashtu, ndërrimet e fundit po ndodhin për shkak se qeverisja është kah fundi edhe partitë të caktuara, po duan që njerëzit e tyre të përfitojnë një grim pushet, para se të përfundoj qeverisja”, ka thënë Mushkolaj.

Abazi: Shkarkimi i Gashit pa dhënë arsyet, mungesë serioziteti

Image
Haki Abazi

Kurse analisti politik, Haki Abazi, ka thënë se shkarkimi i Ministrit Gashi tregon që qeveria po mundohet të menaxhojë kriza dhe është çështje e një vote për të rënë.

“Ideja që në njërën anë Qeveria varet nga Lista Srspka dhe në anën tjetër që është e detyruar të ndërrojë ministra, bëhet për shkak se varet nga një votë e vetme e cila tregon se në fakt nuk ka të bëjë me plan qeverisës, por me marrëveshje akomodimi të gjithë atyre që mund ta kërcënojë qoftë edhe me një votë. Kjo është arsyeja e numrit të madh të ministrive dhe zëvendës ministrave dhe këshilltareve. Kjo qeveri e ka rrethuar veten me njerëz që po e kërcënojnë dhe po kërkojnë favore nga ajo, dhe kjo aspak nuk është qëndrueshme. Askush nuk ka folur për performance dhe arsyet e vërteta të shkarkimit të ministrit Gashi dhe kjo në vete përbën shkelje dhe mungesë seriozitetit të plotë”, ka thënë Abazi.

Burjani: Degradimi i mëtejmë shkon ka hapja e rrugës për zgjedhje

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, ka thënë se këto janë emërime të kota dhe inate të AKR-së.

“Pse duhet të jetë patjetër një ministër nga Ferizaji, kur kurrfarë ndikimi nuk do të këtë në zhvillimin e rendit dhe ligjit, njëjtë përveç ndërrimit që u zëvendësua kotë dhe pa kurrfarë arsye kjo është jo serioze dhe tregon degradimin e plotë të qeverisjes në shtet, kjo po ndodhë për shkak të inateve dhe interesave personal, regjionale dhe pakuptimesh e plotë, askush nuk beson se këta njerëz e kanë vendin në këto poste. Degradimi i mëtejmë shkon ka hapja e rrugës për zgjedhje”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Burjani.

Krasniqi: LDK dhe VV e kanë të vështirë ta rrëzojnë Qeverinë

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, politologu Faik Krasniqi ka thënë se, Behgjet Pacolli, partinë e përdor privatisht, pasi shkarkon e emëron ministra sipas interesave të tij personale.

Ai ka thënë se, prej themelimit të partisë i kanë ikur shumica e njerëzve që i ka pasur, kuadro të përgatitura.

“Mbi të gjitha ky njeri nuk ka qëndrim politik, pasi atij i intereson vetëm pushteti, dhe s'ka fare rëndësi se me kë bën koalicion. Ka premtuar dhe premton shumë dhe deri më tash nuk ka bërë asgjë nga ato që ka premtuar sa i përket zhvillimit ekonomik. Prandaj nuk ka të bëj fare ndryshimi i ministrave të tij me rrëzimin e Qeverisë. LDK-ja dhe VV-ja e kanë të vështirë ta rrëzojnë Qeverinë, sepse këtë Qeveri e mbajnë në këmbë 12 deputetët e PSD-së, të cilët janë këlyshët e Kadri Veselit, madje u panë edhe  ata që ia bën kuorumin në Kuvend Veselit, ka thënë politologu Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat