Qeveria Haradinaj, skandali më i madh i pasluftës, ngritja e mocionit është urgjencë

Politika

Qeveria Haradinaj, skandali më i madh i pasluftës, ngritja e mocionit është urgjencë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 tetor 2018 Në ora: 21:42
Ramush Haradinaj dhe Musa Cena

“Sikur kjo qeverisje të ishte zhvilluar në mandatin e kaluar nuk e di se si kishin me reaguar opozita e atëhershme dhe shoqëria e gjerë. Tash skandalet nuk kanë të ndaluar vetëm sa njëri skandal e zëvendëson tjetrin dhe e tëra ka kaluar në rutinë ditore. Tash kemi një përbërje qeverisëse të fragmentuar ku shefa janë kryetarët e partive secili për të emëruarit e vet”, ka thënë Imer Rrahman, deputet i LDK-së për gazetën “Bota sot”.

Problemet për Qeverinë Haradinaj nuk kanë të ndalur. Së fundi, është arrestuar edhe një nga zëvendësministrat e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal. Bëhet fjalë për zëvendësministrin Musa Cena nga radhët AAK-së, derisa i njëjti dyshohet për veprën penale të ryshfetit.

Opozita këto skandale po i konsideron si të rënda për vendin dhe se zgjedhjet dhe largimi i kësaj qeverie është më e mira që mund politika të bëjë në këto rrethana.

E, analistët politik janë të mendimit se të gjitha këto skandale tregojnë se vendi është shtet i “xhunglës”, dhe me këto politika paradoksale Kosova nuk do ketë perspektivë në arenën ndërkombëtare.

Lidhur me ketë rast, është marrë një vendim edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit i ka caktuar nga një muaj paraburgim për zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, dhe dy të tjerëve, Hazër Shehu dhe Nysret Shala.

Image
Imet Rrahmani

Rrahmani: Skandalet, rutinë ditore për Qeverinë Haradinaj

Deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani, duke e komentuar arrestimin e zëvendësministrit të Haradinajt, ka thënë se skandalet në ketë qeveri nuk kanë të ndalur dhe se këto tashmë janë bërë edhe rutina ditore.

“Sikur kjo qeverisje të ishte zhvilluar në mandatin e kaluar nuk e di se si kishin me reaguar opozita e atëhershme dhe shoqëria e gjerë. Tash skandalet nuk kanë të ndaluar vetëm sa njëri skandal e zëvendëson tjetrin dhe e tëra ka kaluar në rutinë ditore. Tash kemi një përbërje qeverisëse të fragmentuar ku shefa janë kryetarët e partive secili për të emëruarit e vet”, ka thënë deputeti i LDK-së për gazetën “Bota sot”.

Me tej, ai ka shtuar se duhet të bëhet me urgjencë ngritja e mocionit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Nuk jam i bindur shumë se edhe ne si opozitë jemi duke e bërë të mundshmen për me ndalu këtë keq qeverisje. Por dëshirojë me besu se e pakta që duhet të bëhet me urgjencë është ngritja e mocionit. Po duket hapur se ka pakënaqësi edhe të vet pozita”, ka thënë ai.

Në fund, ai ka nënvizuar se qeveria aktuale me performancën e treguar nuk duhet të vazhdojë tutje për të mirën e vendit.

“Zgjedhjet dhe largimi i kësaj qeverie është më e mira që mund politika të bëjë në këto rrethana. Ka pasur mangësi edhe në të gjitha qeveritë e kaluara duke pasur parasysh edhe rrethanat politike të kohës, por kjo e tanishmja me këtë performancë dhe krejt këto skandale nuk duhet të vazhdojë tutje për të mirën e vendit”, ka përfunduar Imet Rrahmani për gazetën “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Haradinaj, argat i PDK në ruajtjen interesave të shumta

Analisti dhe njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, ka thënë se problemet e kësaj qeveria janë evidente dhe se qeveria “PAN” është më e keqja e mundshme deri më tash.

“Problemet e kësaj qeverisje janë evidente, prej fillimi janë emërtuar si "koalicion për pare". PAN është qeverisje më e keqe e mundshme deri më tash.  Koalicioni i zhvatjes më shumë ministra e zëvendësministra të cilët të gjithë janë mbledhur për përfituar për veten e tyre, por jo për të shërbyer për qytetarët. Gjashtë zëvendësministra të arsimit apo secila ministri ka mbi katër zëvendësministra, pastaj ky kabinet qeveritar ka njerëz nën aktakuza për rastin "Pronto", apo rastin "Veteranëve". Mjaftë e komplikuar me probleme me rendin e ligjin të gjithë e kanë ditë se kjo do të ndodhë me ketë koalicion”, ka thënë Burjani.

Burjani konsideron se, gabimi më i madh i partisë së Kadri Veselit është bërja e një koalicion me njerëz si janë vet.

Ndërsa, potencon se kryeministri Ramush Haradinaj është argat i PDK në ruajtjen interesave të shumta të këtij subjekti politik, ku siç thotë ai, ky i fundit mbijeton duke dhuruar poste të kryeministrit vetëm për të shpëtuar vetën.

“Gabimi më i madh i PDK-së është bërja e një koalicion me njerëz qysh janë vet me probleme me rendin dhe ligjin. Në vend që të ikin nga keqpërdoruesit dhe të korruptuarit, një qeverisje e tillë sa të zgjasë mund të priten edhe shumë kanale korruptive. Po që nuk shkohet në zgjedhje, ideja përfituese dhe zhvatëse e ekziston në mendjen e këtyre njerëzve”.

“Dihet se Haradinaj është argat i PDK në ruajtjen interesave të shumta të këtij subjekti politik që mbijeton duke dhuruar poste të kryeministrit vetëm për të shpëtuar parat e bëra nëpër biznese të shumta të involvuara të njerëzve të këtij subjekti, përderisa Kadriut nuk i lejohet të reformojë plotësisht ketë parti dhe të heq njerëzit e pasuruar që nga viti 2007 deri me sot”, ka potencuar Burjani.

Në fund, ai thekson se koalicioni aktual është skandali më i madh i pasluftës.

“Problemi më i madh është se nuk ka mekanizëm që pastron ketë skene politike përveç qytetarëve. Ata përmes zgjedhjeve duhet të largojnë njëherë e përgjithmonë njerëzit e tillë nga pushteti dhe duhet të ju konfiskohet pasuria, kuptohet atyre që kanë përfituar pa bazë apo forma të paligjshme. Më së miri do të ishte të ketë zgjedhje sa më parë.  Ky koalicion ishte skandali më i madh i pasluftës”, ka përfunduar Blerim Burjani.

Image
Ali Hertica

Analisti politik: Këto skandale tregojnë se vendi është shtet i xhunglës

Ndërsa, në një linjë me deputetin e LDK-së dhe njohësin e çështjeve juridike-kushtetuese qëndron edhe analisti Hertica.

Ali Hertica në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nga kjo kastë tashmë janë bërë trend edhe skandalet.

“Tani në politikën e Kosovës thuajse janë bërë trend skandalet më të poshtëruara në shoqërinë tonë nga kjo kastë e brishtë politike dhe klientela e tyre që dita-ditës në arenën ndërkombëtare po e degradon shtetin dhe shoqërinë”, ka thënë Hertica.

Ai me tej ka thënë se, të gjitha këto skandale tregojnë se vendi është shtet i xhunglës dhe me këto politika paradoksale Kosova nuk do të ketë perspektivë në arenën ndërkombëtare.

“Zëvendësministri Musa Cena, i cili u arrestua nën dyshimin se ka kryer vepra penale dhe keqpërdorim i Autoritetit Zyrtar ku deri më tani askush nga subjekti i AAK-së nuk ka folur rreth këtij skandali, kjo tregon për vlerat jo parimore të tyre. Të gjitha këto skandale tregojnë se vendi është shteti i xhunglës dhe me këto politika paradoksale Kosova nuk do ketë perspektivë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë me tej Hertica.

Nga një muaj paraburgim për zv.ministrin Cena dhe dy të tjerët

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, dhe dy të tjerëve, Hazër Shehu dhe Nysret Shala.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës me nga një muaj paraburgim kundër tre të pandehurve M.C., N.SH., dhe H.SH., për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.C duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme për përfitime të tij materiale së bashku me dy të pandehurit N.SH dhe H.SH.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër këtyre tre të pandehurve është e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Po ashtu ekziston rreziku se po të lihen në mbrojtje në liri të pandehurit do të mund të ndikojnë në njeri-tjetrin për të koordinuar mbrojtjen e tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat