Sa mund të zgjasë transformimi i FSK-së në ushtri?

Politika

Sa mund të zgjasë transformimi i FSK-së në ushtri?

Nga: G.B Më: 22 tetor 2018 Në ora: 20:42
Pjesëtarë të FSK-së

Ndërtimi i kapaciteteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të zgjasë rreth 10 vjet dhe do të ndahet në tri faza.

Kështu deklaroi sot Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, derisa shtoi se  nga transformimi i FSK-së nuk do të përfitojë vetëm Kosova.

“Jo vetëm Kosova, por edhe rajoni ynë do të përfitojnë nga tranzicioni i FSK-së, pasi zhvillimi i një ushtrie të vogël multietnike dhe profesionale do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ajo shmang mundësinë e ndonjë vakumi të sigurisë në Kosovë dhe kontribuon në përafrimin e vendit tonë me vlerat euroatlantike, lehtëson kalimin e Republikës sonë nga një konsumator i sigurisë te një ofrues i saj, duke i përfaqësuar dhe mbështetur të gjitha komunitetet e Kosovës, lejon angazhim më të madh dhe bashkëpunim me KFOR-in dhe NATO-n, por edhe forcon ekonominë tonë. Kjo iniciativë do të krijojë 2500 vende të reja pune”, deklaroi Kryeministri Haradinaj.

Image
Skënder Zogaj

Se a mund të zgjasë kaq vite ndërtimi i kapaciteteve të plota të FSK-së dhe a është kohë e gjatë, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deklarata e kryeministrit është reale, pasi kemi të bëjmë me një nga shtyllat kryesore shtetërore dhe nëse arrin të realizohet brenda 10 vitesh, është për tu krenuar.

“Deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj, se, duhen 10 vjet për ndërtimin e kapaciteteve të plota të Ushtrisë së Kosovës, e konsideroj shumë reale, sepse implementimi i projektligjit kërkon angazhime të shumta e të shumanshme organizative të doktrinës dhe të ngritjes së kapaciteteve tekniko materiale që janë të kushtëzuara nga shume faktorë të brendshëm e ndërkombëtar! Pra kemi të bëjmë më njërën nga shtyllat kryesore shtetërore dhe të lirisë e të pavarësisë së Kosovës, prandaj nëse arrin që të realizohet për 10 vjet, është sukses për t’u krenuar! Kryeministri Haradinaj kësaj here e ka vlerësuar mirë kohën e krijimit të Ushtrisë së Kosovës”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat