Veteranët mashtrues “zhvatin” buxhetin e shtetit

Politika

Veteranët mashtrues “zhvatin” buxhetin e shtetit

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 23 tetor 2018 Në ora: 08:39
Foto ilustrim

Mbi 40 mijë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të paguhen nga buxheti i varfër i Kosovës.

Edhe pse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë kërkesë për t’ua ndalur pensionet veteranëve të rrejshëm kjo nuk është miratuar nga ana e Gjykatës Themelore.

Pas kësaj, edhe shumë milionë të tjerë do të vazhdojnë të keqpërdoren, pasi institucionet e drejtësisë nuk po arrijnë t’ua ndalin pensionet personave jomeritorë, të cilët po e dëmtojnë mjaft shumë buxhetin e shtetit të Republikës së Kosovës.

Deri më tani, mbi 57 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti shtetëror nga janari i këtij viti, për të paguar pensionet e mbi 40 mijë veteranëve.

As kërkesa e Prokurorisë Speciale për ndalim të pagesave të veteranëve të rrejshëm nuk ka gjetur dritën jeshile për miratim.

Gjykata Themelore për shkak të disa mangësive ia ka kthyer kërkesën sërish Prokurorisë për plotësim.

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Drita Millaku e quan rastin e veteranëve mega vjedhje kolektive që po i bëhet buxhetit të Kosovës.

Millaku: Veteranëve mashtrues duhet t`u ndalen pensionet

Millaku thotë se, organet e drejtësisë nuk kanë guxim por as mbështetjen e qeverisë për të marrë hapa konkret.

Image
Drita Millaku

“Rasti i veteranëve të rrejshëm është njeri nga mega vjedhjet kolektive që i është bërë dhe po i bëhet buxhetit të varfër të Kosovës nga grup i strukturuar që dihen me emër dhe mbiemër por që nuk është marrë asnjë masë ligjore për të ndalë edhe këtë proces. Ky është shembulli më tipik se organet e drejtësisë nuk e kanë guximin por edhe mbështetjen nga qeveria për të ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Ajo shton se, fatkeqësisht me rastin veteranët edhe për një kohë të gjatë do të luhet  pingpong prokurori-gjykatë-qeveri-politik, dhe kjo që procesi të zvarritet sa më shumë.

“Është për të ardhur keq edhe nga shoqatat e dala nga lufta që i shohim në protesta për t’i mbrojtur ata që e sollën këtë gjendje dhe me këtë edhe përfituesit e këtyre mjeteve pa meritë. Mendoj se do të duhej që këto shoqata të ishin në ballë të sulmeve për ata që e sollën këtë gjendje. Mendoj se pensionet duhet ti ndalen mashtruesve dhe duhet ndëshkuar edhe më masat më të rrepta ata që përfituan jashtëligjshëm dhe ata që ia mundësuan këtë gjë”, potencon deputetja Drita Millaku.

Komandantët të tregojnë se kush ishte në luftë e kush jo

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se kjo çështja e veteranëve duhet të rishikohet.

Ai thotë se lista e veteranëve pa një rishikim komplet, në detaje nuk mund të ecet ndryshe ose në mënyrë dhe vullnet të lirë.

Image
Blerim Burjani

“Duhet të heqim dorë nga përfitimi pa bazë, një numër i madh që nuk janë veteranë, pra njerëzit në këtë listë po rrezikojnë pjesën e vërtet të veteranëve. Kjo temë po bëhet shumë sensitive e cila mund të jetë skandali më i madh i deritashëm, kur presidenti Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e din shumë mirë për disa njerëz të shumtë që nuk kanë lidhje me veteranë. Të gjithë këta njerëz që nuk janë veteran duhet të ia kthejnë sa më parë paratë buxhetit të shtetit të Kosovës”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Përndryshe, ai pohon se, kjo çështje tashmë është në duart e Prokurorisë dhe Gjykatës, është obligim i komandantëve të dikurshëm që janë të shumë të tregojnë se kish ishte në luftë e kush jo.

“Pas verifikimit duhet të gjithë ata që ishin në këtë listë dhe që nuk ishin veteran duhet që parat të ia kthejnë buxhetit në një afat të përcaktuar nga gjykata dhe të merren edhe masa tjera gjyqësore”, thotë Blerim Burjani.

Miftari: 70% e veteranëve janë luftëtarë të rrejshëm

Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Naim Miftari thotë se veteranë të përfshirë në situata të luftës ka pasur edhe më shumë, por veteran të luftës, luftëtar me pushkë të UÇK-së, nuk mundet me pas më shumë se 16 mijë luftëtarë.

Image
Naim Miftari

“Kjo është gënjeshtër e kulluar, nëse thuhet se UÇK-ja ka pas kaq shumë. Edhe ashtu pa armë të mira dhe pa municione kjo është turp për çdo gjykim, por nëse mbajmë shpresë se këto gjykatat tona politike dhe këta prokuror sekser politik e kukulla të krimit të organizuar do të zgjedhin këtë rast të veteranëve mashtrues është ëndërr, pasi kjo drejtësi nuk mundet në asnjë mënyrë me bë drejtësi në këtë aferë të madhe ku janë të përzier në krim shumë politikan që dikur ishin komandantë të luftës e të pasluftës”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, shtimi i veteranëve është politikë, sipas tij, aty kanë futur në lista shumë sish, ata mund të jenë që kanë kontribuar në luftë shumë prej tyre, por asnjëherë nuk kanë qenë luftëtarë me pushkë të UÇK-së.

“Edhe presidenti Hashim Thaçi, vetën e ka radhitur si luftëtar, por nuk është, përkundrazi është deformues, dezertor dhe profiter më i madh i luftës, njeri që ka përça luftën dhe ka ndyrë luftën e pastër të UÇK-së me urdhrin për bërjen e vrasjeve politike për t’u ngritur vet dhe klani i tij në detyrë si kinse faktori kryesor i luftës çlirimtare. Aleati kryesor i liderit të ashtuquajtur politik të UÇK-së, ka qenë sigurimi francez dhe ai serb. Dhe sidomos anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, shumica janë anëtar të rrejshëm pasi nuk i ka zgjedhur askush por pas vrasjeve të koordinuara të komandantëve kryesor të luftës vendosën vetën në front me ndihmën e sigurimeve sekrete armiqësore”, thekson ai.

Ai shton se, Prokuroria po të ishte e pavarur, e cila sipas tij nuk është, hetimeve do të ia kishte filluar nga Shtabi i Përgjithshëm e deri në ushtarë të thjesht.

“Kjo për arsye se 70% e veteranëve janë luftëtarë të rrejshëm, luftëtar politik të dallavereve dhe të krimit të organizuar. Por këta veteranë nuk janë problemi kryesor i Kosovës, pasi vet Qeveria e Kosovës është keqpërdoruesi më i madh i fondit të shtetit dhe i taksave të qytetarëve. Pikërisht Qeveria, Parlamenti, Presidenca, gjyqësia janë ata që e gllabërojnë fondin e Kosovës, ku u pa se një shihe raki e blerë nga presidenti Thaçi kushtoi sa një pagë mujore e një veterani të luftës”, përfundon Naim Miftari.

Krasniqi: Çdo stërfryerje e listave të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, do ta varfërojë buxhetin e shtetit

Kurse, opinionisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi thekson se, lista e veteranëve është fryrë me kategorinë e njerëzve që nuk kanë asgjë të përbashkët me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

E fajin për këtë, Krasniqi thotë se e kanë komandantët e zonave dhe udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta.

Image
Faik Krasniqi

“Lista e të gjitha kategorive të UÇK-së është fryrë me një kategori tjetër njerëzish, me kategorinë e atyre njerëzve që s’kanë gjë të përbashkët me UÇK-në, por që janë të gatshëm të përfitojnë kundërligjshëm prej luftës së saj. Por, fajin për këtë stërfryerje të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, padyshim që e kanë komandantët e zonave dhe udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, Prokuroria pikë së pari do të duhej të merrej me ata që në shkëmbim të parave kanë bërë veteranë të rrejshëm.

“Padyshim që do të duhej ndaluar pensionet veteranëve të rrejshëm por ajo gjë nuk do të ndodh, dhe me përjashtim të heqjes nga lista të disa veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, shumica dërrmuese e tyre do të ngelin veteranë dhe do të përfitojnë jashtëligjshëm”, thekson ai.

E Krasniqi shton se nuk habitet nëse numri i veteranëve shkon deri në 100 mijë, pasi kjo tolerohet nga organet e drejtësisë, të cilat do duhej që ata të cilët manipuluan të i shtinte në burg.

“Nuk do të habitesha nëse ky numër i veteranëve të UÇK-së shkon edhe deri në 100 mijë, meqë kemi tolerim nga organet e drejtësisë, e cila do të duhej t'i fuste në burg të gjithë ata që kanë manipuluar me këto lista dhe kjo listë jo që nuk do të fryhej, por do të zvogëlohej në numrin real të veteranëve të UÇK-së. Çdo stërfryerje e listave të veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, do ta varfërojë buxhetin e shtetit dhe do t'i godas direkt qytetarët e Kosovës, para që do të mund të shfrytëzoheshin për investime dhe hapjen e mijëra vendeve të punës”, përfundon Krasniqi.

Ndryshe, 46 mijë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën pensione prej nga 170 euro, 20 mijë prej të cilëve theksohet të kenë qenë mashtrues, që buxhetit të vendit i kushtuan 68.153.533.14 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat