Haradinaj heshti për 53 milionët e “Bechtel-Enkas”, shkarkimi i zëvendësministrit, tallje e ulët me qytetarët

Politika

Haradinaj heshti për 53 milionët e “Bechtel-Enkas”, shkarkimi i zëvendësministrit, tallje e ulët me qytetarët

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 24 tetor 2018 Në ora: 11:59
Ramush Haradinaj

Zotimet e Ramush Haradinajt, se qeveria e tij do të jetë e pakompromis në luftën kundër krimit e korrupsionit, deri më tani po dalin të parealizueshme, pasi kjo po konsiderohet si “luftë e njëanshme” që shpallet vetëm për “të dobëtit” e saj.

Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në shtator ka shënuar njëvjetorin e votimit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.  Përveç mosrealizimit të “temave të mëdha” ashtu siç ishte thirrur para se të vije në krye të saj, tani po përballet edhe me problem të tjera. Nga 22 ministra gjithsej që ka Qeveria Haradinaj, pesë (5) prej tyre janë me aktakuzë, dhe deri më tani asnjë veprim nga kreu i qeverisë për këto raste.

Veç këtyre, kjo qeveri po vazhdon që të shkel më te dy këmbët edhe memorandumin e nënshkruar me Qeverinë britaneze, për qeverisje me duar të pastra.

Opozita është e mendimit se në ketë qeveri ka fuqi të individëve të cilët edhe mund të shkelin ligje, derisa ata të cilët janë më të dobët për të njëjtat gabime shkarkohen dhe të fortit mund të vazhdojnë.

Ndërsa, shoqëria civile, çështjen e shkarkimit të zëvendësministrit, Musa Cena, e quan si një tallje e ulët, që kryeministri i vendit e bënë me qytetarët.

“Në Qeverinë Haradinaj të dobëtit shkarkohen, të fortit vazhdojnë”

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj me përbërjen që e ka, nuk është dashur që të krijohej fare.

Millaku konsideron se, kjo qeveri duhet të bie, sepse, siç shprehet ajo vendi ka probleme të vazhdueshme dhe shumë të mëdha.

 “Qeveria me përbërjen që është nuk është dashtë që të krijohej sepse populli votoj tjetër përbërje, por sidoqoftë shkarkimi i fundit tregon se në ketë qeveri vetëm parime nuk ka dhe mund të ndodh gjithçka, dhe kjo na detyron të mendojmë se kjo qeveri duhet të bie sepse ne kemi probleme të vazhdueshme dhe shumë të mëdha, pra Kosova nuk ka kohë për të humbur”.

Tutje, deputetja e Vetëvendosjes nënvizon se ngjarjet e fundit janë tregues se vendi është në kaos.

Krejt në fund, ajo thekson se në ketë qeveri ka fuqi të individëve të cilët edhe mund të shkelin ligje, ndërsa të dobëtit pësojnë.

“Në ketë qeveri ka fuqi të individëve të cilët edhe mund të shkelin ligje, por ata të cilët janë më të dobët për të njëjtat gabime shkarkohen, ndërsa të fortit vazhdojnë. Ky është kaos. Dhe gjëra të tilla do të na përcjellin vazhdimisht”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Zyrtari i LDK-së: Standarde të dyfishta e mungesë lidershipi

Image
Bajram Gecaj

Edhe zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka folur rreth shkarkimit të zëvendësministrit Musa Cena, nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Gecaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Haradinaj e shkarkoi atë, por që nuk e bëri të njëjtën me zyrtarë tjera, përfshirë zëvendëskryeministra e ministra të “fuqishëm” politikisht, përcjell Bota sot.

“Kryeministri Haradinaj sot kishte shkarkuar zëvendësministrin e partisë së tij, të pafuqishëm politikisht, Musa Cena. Megjithatë, nuk e kishte bërë të njëjtën me zyrtarët tjerë, duke përfshirë zëvendëskryeministra e ministra politikisht “të fuqishëm”, e që tanimë formojnë një “hordhi” të tillësh.

Tutje, ai veprimet e fundit të kryeministrit i ka quajtur si standarde të dyfishta dhe joparimore.

“Standarde të dyfishta e mungesë lidershipi i thonë kësaj, por assesi jo veprim parimorë”, ka përfunduar zyrtari i Lidhjes Demokrartike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Shkarkimi i zëvendësministrit, tallje e ulët e kryeministrit me qytetarët

Image
Jeton Kelmendi

Ndërsa, analisti politik, Jeton Kelmendi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çështja e shkarkimit të zëvendësministrit, Musa Cena, tregon talljen e ulët që kryeministri e bënë me qytetarët e vendit.

Kelmendi shton se kryeministri Haradinaj nuk e ka guximin dhe vullnetin për t’i shkarkuar ministrat me skandale më të mëdha.

“Çështja e shkarkimit të zëvendësministrit tregon talljen e ulët që kryeministri e bënë me qytetarët e vendit. Janë edhe disa të tjerë ose të akuzuar ose nën hetime për shkelje të mëdha dhe shkon dhe e shkarkon një njeri të supozuar për një keqpërdorim prej 15 mijë eurove, nga ana e tjetër këta që behët fjalë me miliona, si shembull ministri i Transportit, për të cilin behët fjalë për atë skandalin e famshëm për 53 milion eurove të “Bechtel-Enkas” dhe për ministrat e tjerë për të cilët nuk e ka guximin ose nuk e ka vullnetin ose të dyja për t’i shkarkuar, por e shkarkon një zëvendësministër”, është shprehur njohësi i shkencave politike, Jeton Kelmendi.

Sipas tij, e gjithë qeveria aktuale është e kapur dhe e dyshuar për keqpërdorime.

“Pra, këto janë standarde të dyfishta, këto janë sa për t’ju hedhur pluhur në sy popullit kinse po bëjë diçka. Në fakt, e gjithë qeveria është e kapur dhe e dyshuar për keqpërdorime nga vet kryeministri Haradinaj dhe i gjithë stafi i tij me këshilltar, sepse kemi pasur një rast të një gjunjëzimi të ulët amatoresh, kur këshilltari i tij Belegu, këshilltar për sport që i aranzhon takimet të ashtuquajturat për lobim dhe pritje në Këshillin e Sigurimit dhe i humb 20 mijë dollar atje”.

Në fund, analisti politik bën me dije se kemi njerëz mbi ligjin dhe të cilët duhet të arrestohen dhe jo  të amnistohen.

“Pra është një tallje e paskrupullt e cila po përdorët në vazhdimësi për popullin dhe përderisa ky popull po e han ketë “fore” është e natyrshme se do të kemi kësi lloj kryeministrash, kësi përuljesh ndaj njerëzve. Thjeshtë kemi njerëz mbi ligjin dhe këta njerëz mbi ligin duhet të arrestohen dhe duhet nuk duhet të amnistohen”, ka përfunduar analisti politik, Jeton Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, kujtojmë se zëvendësministri Musa Cena është liruar nga detyra me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj. Prokuroria po pretendon se ka prova që ai me dy të tjerë i kanë kërkuar 15 për qind të grantit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat