Planifikimi i ndarjes së Kosovës në Nish dhe ideja për “korrigjim kufijsh”, vepër e trinomit Vuçiq- Rama –Thaçi

Politika

Planifikimi i ndarjes së Kosovës në Nish dhe ideja për “korrigjim kufijsh”, vepër e trinomit Vuçiq- Rama –Thaçi

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 25 tetor 2018 Në ora: 19:10
Thaçi, Vuçiq dhe Rama

Tashmë ka disa vite që Kosova po zhvillon dialog me Serbinë, për të cilin është paralajmëruar edhe faza finale, por, në prag të tyre është dhënë edhe ide për “korrigjimin e kufirit” të Kosovës me Serbinë.

Në bazë të kësaj ideje, të hedhur nga Presidentit Hashim Thaçi, Kosovës do t`i bashkohen pjesët e saj të cilat kanë mbetur në okupimin e Serbisë, përkatësisht Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Por, të shumtë janë zërat që mendojnë se Kosova në këmbim të marrjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, do t`i jap Serbisë pjesën veriore të vendit.

Megjithëkëtë, presidenti i Kosovës, e ka mohuar kategorish një gjë të tillë.

Ideja për ndarjen e Kosovës u forcua edhe nga presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila ka deklaruar për mediat serbe se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka filluar bisedimet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për ndarjen e Kosovës para dy vjetësh në Nish.

“Kjo letër në botën e jashtme u prit mjaft mirë dhe gjatë verës është cituar shpesh. Ndonëse nisma për ndarje doli së fundi në sipërfaqe, ajo është “zier” prej së të paktën dy vitesh. Në të vërtetë, Beogradi gjatë gjithë kohës ka kërkuar partner në Tiranë dhe më në fund e ka gjetur: është kryeministri shqiptar Edi Rama. Bisedimet (për ndarjen) filluan para dy vitesh kur Rama ishte në Nish, por këto atëbotë e zbuluan Uashingtoni dhe Londra”, ka deklaruar Biserko për media serbe.

Të njëjtin mendim sikurse Biserko e kanë edhe njohësit e çështjeve politike, të cilët vlerësojnë se ky korrigjim i kufijve mund të jetë një plan i menduar mirë nga Rama- Vuçiq dhe Thaçi, por që sipas tyre,  këta tre nuk mund të vendosin për ndarjen e Kosovës.

Haziri: Ideja nuk është vetëm e Thaçit

Image
Nexhat Haziri

Lidhur më këtë çështje, analisti politik, Nexhat Haziri, ka deklaruar për “Bota sot” se ideja për korrigjimin e kufirit del të jetë një plan i menduar mirë nga Rama- Vuçiq me pajtimin edhe të Thaçit.

 “Është indikativë ideja e Thaçit për korrigjimin e kufirit me planin Rama Vuqiqi për ndarjen e Kosovës, biseda këto që është raportuar edhe më parë të jenë bërë në Nish të Serbisë. Pra, nga kjo del se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ishte i vetëm në idenë e lansuar për korrigjim të kufirit të Kosovës me Serbinë, por është një plan i menduar nga Rama Vuçiq me pajtimin edhe të Thaçit”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Më tutje, ai ka përmendur edhe reagimet e shteteve perëndimorë të Evropës, pasi që ky plan mbi ndarjen etnike të Kosovës favorizonte interesat gjeostrategjike të Rusisë në rajonin e Ballkanit.

“Dhe nga kjo, mendoj se erdhi edhe reagimi i fuqishëm i shteteve perëndimore evropiane siç është Gjermania dhe Britania e Madhe, pasi ky plan mbi ndarjen etnike të Kosovës favorizonte interesat gjeostrategjike të Rusisë në rajonin e Ballkanit, ku si test për të ashtuquajturat ndarje dhe lëvizje të buta kufijsh ishte projektuar të filloj nga Kosova, për të vazhduar më pas edhe me shtetet e tjera të rajonit siç është Bosnja dhe Maqedonia”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Maxharraj: Presidenti i bie kavallit në drejtim të korrigjimit të kufijve

Image
Binak Maxharraj

Profesor, Dr. Binak Maxharraj  ka deklaruar se Kosova gjendet në trekëndëshin e djallit, pasi që më të zhurmshmit për këtë marrëveshje janë  presidenti i Kosovës, Thaçi, ai i Serbisë, Vuçiq, si dhe kryeministri shqiptar Edi Rama. 

“Këtë vit, e sidomos këta muajt e fundit, që prej së ka filluar dialogu përfundimtar midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare të qëndrueshme dhe obliguese për te dyja palët. Po spekulohet së çfarë rezultati do të arrihet me këtë marrëveshje. Më të zhurmshmit në këtë drejtim janë akterët e kësaj marrëveshje Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi. Këta të dytë gjuhën me kungja për këtë marrëveshja secili nga këndi i vet. Por qe të dytë mundohen me e nxjerrë copën më të madhe në këtë dialog. Vuçiq thotë se dialogu përfundimtar nuk ka kuptim nëse nga ky dialog Serbia nuk fiton asgjë, por syrin e ka vu te ndarja e Kosovës që është edhe qëllimi i kamotshëm i Serbisë, që si synim e ka Veriun e Kosovës të cilin edhe tash e ka nën “sundim” dhe mbikëqyrje të rreptë. Nga ana tjetër, Presidenti jonë i bie kavallit në drejtim të korrigjimit të kufijve, herë përmend ndarjen, herë demarkacionin me Serbinë, here do ta marrim Luginën e Preshevës pa i dhanë asgjë Serbisë etj,etj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Maxharraj ka cekur se është shumë e vështirë të nxirret një përfundim se nga e mori Presidenti Thaçi idenë të cilën ai e quan më të keqe për korrigjimin e kufijve duke e ditur se Kosova i ka kufijtë e vet të pacenueshëm.

“Është shumë zor të nxirret një përfundim se nga e mori Presidenti Hashim Thaçi idenë më të keqe për korrigjimin e kufijve duke e ditur se Kosova i ka kufijtë e vet edhe ndërkombëtarisht të pranuar dhe të justifikuar edhe me Kushtetutën e Kosovës ku thuhet se kufijtë e Kosovës janë të pacenueshëm. Po pse është e detyrueshme sipas Presidentit që të korrigjohen kufijtë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Edi Rama t`i mbajë duart larg nga Kosova

Gjithashtu, ai ka komentuar edhe deklaratën e Biserkos për të cilën ka thënë se korrigjimi i kufijve ka filluar në vitin 2016 kur Rama e vizitojë Serbinë, ku ka deklaruar se një gjë e tillë mund të jetë e mundur.

“Këto ditë si duket këtë e zbuloj Presidentja e Komitetit të Helskinkit për të drejtat e njeriut Sonja Biserko për Serbinë e cila deklaroi haptas se ideja për korrigjimin e kufijve paska filluar para dy vitesh në Nish në takimin midis Presidentit te Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Kjo edhe ka mundë të ndodh, sepse Edi Rama si grekofil që është ka qejf ti rrasë hundët gjithkund me të drejtë dhe pa të drejtë, aty ku duhet e ku nuk duhet. Edi Rama ky hamshor i kuajve të egër nuk e ka pas të drejtën, por nuk e ka as tash dhe nuk duhet ta ketë kurrë që thirret në emër të Kosovës dhe për Kosovën. Ky njeri santrap nuk guxon të bisedojë për çështjet kurciale, vitale për Kosovën siç është çështja e kufijve, e aq më pak këtë çështje ta bisedoj me armikun tonë i cila na ka vra dhe damkos me shekuj. Kush ia dha të drejtën këtij mjerani pa dy fije tru që të futet në punët e brendshme të një shteti tjetër. Ky njeri nuk ka kurrfarë patronazhi mbi Kosovën e as që ka të drejtë të përzihet në punët e saj. Do ti rekomandoja së ky njëri duhet ti mbanë larg duart nga Kosova”, ka shtuar Maxharraj për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka theksuar se presidenti Thaçi për idenë e korrigjimit të kufirit mund të ketë bekimin qarqeve të ndryshme dhe se ide e tij për marrjen e Kosovës Lindore dhe duke mos i dhënë Serbisë asgjë në këmbim është diçka imagjinare.

“Mund të ketë ndodhë që këtyre të dyve të ju është ngjitë edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi që të marrë idenë për ndarjen dhe korrigjimin e kufijve, por nuk përjashtohet mundësia Thaçi për këtë ide të ketë bekimin edhe të qarqeve të ndryshme. Por është më rëndësi se kësaj ideje për korrigjimin e kufijve Presidenti po i jep zjarr të tepruar duke i ndryshuar mendimin e vet shpeshherë, herë si ndarje, herë si korrigjim ani pse ky solucion nuk pranohet as nga populli i Kosovës, as nga ndërkombëtaret e bile nuk pranohet as nga Partia e tij PDK. Bile ai po thekson ose korrigjim i kufijve ose ndarje, çfarë është një konfesion i llojit të vet. Së fundi ai e futi në lojë edhe Luginën e Preshevës duke theksuar se do ta marrim Luginën e Preshevës, pa e dhanë Veriun Serbisë. Kjo është diçka imagjinare, e pa kapshme sepse Serbia nuk është aq bujare që ti falë territor Kosovës, kur deri dje na ka vra dhe prerë të madh e të vogël”, ka theksuar Maxharraj për “Bota sot”.

Krasniqi: Për kufijtë vendos sovrani

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti politik, Faik Krasniqi ka potencuar se kjo deklaratë e Biserkos mund të jetë e vërtet, por ai nuk i sheh Ramën dhe Vuçiqin faktor për ndryshimin e kufijve.

“Një deklarate e zonjës Biserko mund të jetë shumë e vërtetë që ideja për korrigjim ka ardhur nga Rama dhe Vuçiq, por ata nuk janë faktorë për të vendosur për kufijtë e Kosovës, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se as presidenti i Kosovës Hashim Thaçi,  e as kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj nuk mund të vendosin një gjë të tillë, pasi që populli është kundër ndarjes .

“Për kufijtë e Kosovës s'mund te vendos as presidenti Thaçi. Madje as kryeministri e asnjë institucion tjetër shtetëror. Për kufijtë vendos sovrani, dhe sovrani është kundër ndarjes, sepse kemi histori te hidhur sa i përket kufijve, ku gjithmonë kemi dalë humbës dhe jemi tkurrur me territor!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat