Për ushtrinë më pak para se për autostradat, kërkohet përshpejtimi i formimit të saj

Politika

Për ushtrinë më pak para se për autostradat, kërkohet përshpejtimi i formimit të saj

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 tetor 2018 Në ora: 08:21
FSK

Ndonëse, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjet që e transformojnë FSK-në në ushtri,  asaj do t`i duhen më së paku edhe dhjetë vite për tu shndërruar në ushtri të mirëfilltë. Kështu vlerësojnë deputetë dhe njohës të fushës së sigurisë, sipas të cilëve, që ushtria të ngritët sipas standardeve të NATO-s, njerëzit duhet dërguar në shkollime e trajnime, duhet të stërviten për pajise dhe armatimin e ri, që do të vijë për ta përmbushur misionin.

Kosovës i nevojiten më së paku shtatë vite, për të ngritur kapacitetet operacionale për transformimin e FSK-së në ushtri.

Kështu ka vlerësuar Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Kadri Kastrati i cili ka thënë për “ Bota sot” se ushtria ngritët sipas standardëve të NATO-s dhe pikërisht për ketë i nevojiten 7 vite për të ngritur komplet kapacitet ushtarake dhe për ta kryer misionin e saj.

Kastrati: Plani të shkurtohet në 7 vite

Sipas tij, fillimisht plani që është bërë  për formimin e Ushtrisë në rishikimin strategjik në sektorin e sigurisë që  nga viti 2012 deri ne vitin 2014, ka qenë i paraparë që deri në vitin 2024, FSK-ja t`i ngris kapacitet e nevojshme për ta përmbushur misionin e saj.

Image
Kadri Kastrati

“Unë rekomandojë dhe sugjerojë Ministrinë e Mbrojtës dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës që në të ardhmen ky plan të shkurtohet në 7 vite pasi siç e dini ne jemi vonuar, sepse Kosova ka mundësi dhe kapacitete gjithashtu edhe mundësi buxhetore për ta përshpejtuar këtë plan. E ushtria siç e ceka më lartë ngritët sipas standardëve të NATO-s, njerëzit duhet dërguar në shkollime e trajnime, duhet të stërviten për pajise dhe armatimin e ri, që do të vijë për ta përmbushur misionin. E misioni do të jetë mbrojtja e kufijve dhe për këtë mendoj se do të ketë nevojë që forca ushtarake në të ardhmen të ketë edhe armatim të sofistikuar”, është shprehur ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Kadri Kastrati.

Image
Rexhep Selimi

Selimi: Sepse nuk kemi se përse të presim 10 vite

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Rexhep Selimi konsideron se, nëse Kosova për 10 vite i ka bërë dy autostrada miliardëshe, atëherë assesi nuk mund justifikohet se nuk paska para të mjaftueshme për ushtrinë, për të cilën nevojiten shumë më pak para, sesa për autostradat.

Ai ka thënë se, pikërisht nenin që parasheh afatin e implementimit të këtij ligji e kanë diskutuar madje kanë dhënë edhe vërejtje në seancë.

“Nëse shtrojmë pyetjen se a janë 10 vite shumë për të pritur derisa Kosova të ketë një FSK të përgatitur, dhe nëse duhet pritur 10 vite për FSK-në, atëherë lind pyetja se sa do të na duhen për FAK-un pastaj? Prandaj mendoj se ky afat duhet të jetë shumë më i shkurtër sepse nuk kemi se përse të presim 10 vite. Nëse për 10 vite i kemi bërë dy autostrada miliardësh, atëherë assesi nuk justifikohet se nuk paska para për ushtrinë për të cilën nevojiten shumë shumë më pak para sesa autostradat”,  ka thënë deputeti Rexhep Selimi.

Image
Anton Quni

Quni: Ky proces duhet të jetë edhe më dinamik

Ndërsa, deputeti i LDK-së Anton Quni konsideron se, në kohëzgjatjen për ngritjen e kapaciteteve të plota ushtarake, ndikojnë shumë faktor, siç janë: Stabiliteti politik, infrastruktura ligjore, raportet me shtete fqinje, shkalla e rrezikshmërisë nga sulmet asimetrike, mundësit financiare, bashkëpunimi me partnerët strategjik, koha nga rekrutimi deri tek përcaktimi në detyrë etj.

“Besoj se të gjitha këto janë marr në konsideratë nga njohësit e fushave gjatë punës në Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Nga të njëjtit është konkluduar se koha optimale që të shpallen kapacitetet e plota ushtarake nevojiten 10 vjet. Por kjo nuk e përjashton mundësin varësisht nga zhvillimet që ky proces të jetë edhe më dinamik”, është shprehur deputeti Quni.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava: 10 vjet nuk janë shumë

Eksperti i sigurisë Hajrullah  Tërnava, ka thënë se, Kosova si shtet i ri, nga shpallja e pavarësisë së saj e deri më tani është një kohë relativisht e shkurtë që funksionon si shtet.

Sipas tij, pavarësinë e shtetit të Kosovës deri më tani e kanë njohur 116 shtete, me të cilat shtete tani kryesisht Kosova ka ambasadat reciproke në forma të ndryshme të shteteve në fjalë, dhe nëse Kosova është në procese të anëtarësimit të saj në BE dhe në OKB, pse mos ta ketë ushtrinë.

 “Edhe tani Kosova po bënë çmos që të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare sikur në INTERPOL, UNESKO e shumë tjera. Andaj  sigurinë territoriale të Kosovës nga viti 1999 me marrëveshjen e Kumanovës, e kanë garantuar Amerika me BE-në me forcat e tyre sikur që janë: KFOR-i dhe NATO. Kështu që për formimin e një ushtrie të Kosovës, në hap me kohën vlerësimet janë se i nevojiten së paku 10 vite. E ky konstatim kohor vjen edhe nga vet shtetet mike, kur e kemi parasysh shkollimin e kuadrit komandues, dhe stërvitjet me përvojën që duhet të kenë të rangut të lartë për të udhëhequr një ushtri. Pra, duhet të jenë të gatshëm në të gjitha strukturat, në të gjitha nivelet, dhe llojet që i nevojiten një ushtrie”, ka thënë Tërnava.

Ai konsideron se marrë në tërësi koha 10 vjeçare, nuk është ndonjë kohë e gjatë në këto rrethana në të cilat gjendet tani Kosova, e sidomos kur kemi të qartë historianit e çlirimit të Kosovës, dhe fqinjët me të cilët kufizohemi.

“Të gjithë e dimë se me shtetin e Serbisë jemi në biseda të gjata, rreth zgjedhjeve të shumë çështjeve kontestuese dhe të pa sqaruara deri më tani, të natyrës së dëmeve që na i ka shkaktua para dhe gjatë luftës, më njerëz  të vrarë që deri më tani nuk dihet asgjë për ta. Po ashtu, duhet ditur edhe se çdo të bëhet me kthimin e dokumentacioneve të vlefshme për shtetin që na i kanë marrë, kthimin e parëve të kursimtareve nëpër bankat që i kanë plaçkitur që nga viti 1989-1990 mbas suprimimit të Autonomisë së Kosovës, si dhe kthimin e fondit të pensionerëve që i kanë plaçkitur, e shumë çështje tjera jetike për Kosovën”, është shprehur ai.

Pra, nëse këto biseda zhvillohen si të suksesshme mes dy shteteve, atëherë  Serbia duhet ta njeh Pavarësinë e Kosovës si kusht për anëtarësimin e saj në BE. Madje edhe krijimin e ushtrisë së Kosovës nga ky kontest, që  është një pengesë për Serbinë.

“Pasi tani Kosova po i merr atributet e një shteti të pavarur, që Serbisë nuk i shkon për shtati, sepse vete formimi i ushtrisë në një mënyrë e konfirmon bazamentin e një shteti të pavarur dhe sovranitetin e saj. Në krejt këtë kontekst, shtetet mike nuk duan të krijojnë eksecese ndërshtetërore, e duke e pas të qartë se siguria territoriale e Kosovës, është e garantuar, nga shtetet mike siç e ceka më lartë. FSK-ja tani për tani për tu bërë ushtri i duhen gjithsesi kuadro të shkolluara të rangjeve të ndryshme dhe me përvojë ushtarake për ta udhëhequr ushtrinë”, është shprehur Tërnava.

Sipas tij, përpos kryerjeve te shkollimeve adekuate që duhet ti kenë ushtarët e FSK-së të  cilat zgjasin së paku katër vite Akademitë Ushtarake, ka edhe shkollime më të larta të cilat i nevojiten ushtrisë tonë.

“Përpos shkollimit profesional atyre iu duhet përvoja e punës, që të jenë të suksesshëm në komandimin e ushtrisë në të gjitha nivelet, në mënyrë që ti përkasin një ushtrie, dhe një kuadri fortë sepse pa dyshim se është i nevojshëm. Po ashtu edhe eksperienca e udhëheqjes komanduese ndër vite, e bën të vetën, prandaj 10 vite për tu formuar apo finalizuar si Ushtri e Kosovës, nuk është periudhë e gjatë. Kuadri i FSK-së i deri tanishëm, nuk është i mjaftueshëm për një kuadër që duhet të finalizohet si Ushtri e Kosovës. Prandaj qysh nga tani duhet të përzgjedhjen kuadrot e të gjitha njësive që i takojnë një ushtrie, dhe të shkollohen nëpër Akademi Ushtarake, si vendor dhe të shteteve mike që i kemi. Po ashtu, mendoj se me krijimin e ushtrisë tonë shumë shpejtë Kosova do të jetë pjesë e NATO-s, kur edhe tani haptas dihet se këtë sovranitet të Kosovës e siguron vet NATO-ja me ushtaret e saj, pa një ekses deri më tani”, ka thënë eksperti i sigurisë Hajrullah Ternava. 

Image
Binak Gashi

Gashi: Nevojiten së paku 8 deri në 10 vite

Ndërsa, eprori ushtarak Binak Gashi, thënë se për tu krijuar një ushtri nevojitet kohë.

“Për tu finalizuar një ushtri e suksesshme pa dyshim se nevojitet edhe  një kohë e caktuar. Dhe për ti arritur kapacitetet e plota mendoj se nevojiten së paku 8 deri në 10 vite. Kurse sa i përket kuadrit duhet menjëherë të fillohet me shkollime nëpër Akademi ushtarake jashtë vendit”, është shprehur eprori ushtaraku Binak Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat