“Çdo kush që kundërshton idenë e treshes Rama-Vuçiq-Thaçi do të jetë i kërcënuar me jetë” - Bota Sot
“Çdo kush që kundërshton idenë e treshes Rama-Vuçiq-Thaçi do të jetë i kërcënuar me jetë”

Politika

“Çdo kush që kundërshton idenë e treshes Rama-Vuçiq-Thaçi do të jetë i kërcënuar me jetë”

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 26 tetor 2018 Në ora: 11:40
Aleksandar Vuçiq, Edi Rama, Agim Bahtiri dhe Hashim Thaçi

“Në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, që do të thotë ndarje e Mitrovicës, çdo kush që kundërshton idenë e treshes Rama-Vuçiq-Thaçi do të jetë i kërcënuar me jetë. Agim Bahtiri duket se është i pari, por nuk do të jetë i fundit. Kjo do të thotë se për ndarjen e territorit të Kosovës jo vetëm që do të ketë luftë, porse lufta ka filluar!

Angazhimi i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri që sa më shpejtë të hapet për qarkullim Ura e Ibrit u konvertua në kërcënim që i erdhi të parit të komunës së Mitrovicës.

“Në letrën e shkruar në gjuhën angleze, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri kërcënohet me vdekje për shkak të angazhimit dhe insistimit të tij të vazhdueshëm për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër. Kërcënuesit kërkojnë nga kryetari Bahtiri që të mos ndërmarrë asnjë veprim për hapjen e kësaj ure, edhe pse projekti i BE-së për rivitalizimin e saj ka përfunduar në tërësi”, thuhet në komunikatë e komunës së Mitrovicës.

Për rastin e kërcënimit të kryetarit Bahtiri, është njoftuar policia e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse.

“Unë kërkoj nga qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, që të jenë të qetë e të përkushtuar për të çuar përpara proceset e stabilizimit të plotë të situatës politike e të sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik në qytetin e Mitrovicës”, citohet të ketë thënë Bahtiri pas këtij rasti.

Ndërsa i  vetmi që reagoi pas këtij kërcënimi ishte shefi i partisë të cilës i përket Bahtiri, Behgjet Pacolli. Ndërsa askush tjetër as nga qeveria e as nga presidenca nuk u deklarua lidhur me këtë rast.

Image
Vesel Makolli

Ata që e kundërshtojnë hapjen e urës janë getoista

Kurse zyrtari i lartë i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se çdo kërcënim me jetë, jo vetëm që është i rrezikshëm, por është edhe anti njerëzor e në rastin e Bahtirit edhe kundër shtetit.

“Urat janë simbole të bashkimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm. Ata që janë kundra hapjes së urës, jane getoista dhe janë kundra interesave të bashkësisë së tyre etnike. Është marrëzi e llojit të vetë, që sot në shekullin XXI, në mes të Evropës, dikush është kundër hapjes së urës dhe çka është edhe më tragjike, kërcënon me vdekje, kryetarin Agim Bahtiri i cili dëshirojnë hapjen sa më të shpejt të urës, gjegjësisht të lëvizjes së lirë të automjeteve në dy drejtimet. Çdo kërcënim me jetë, jo vetëm që është i rrezikshëm, por është edhe anti njerëzor e në rastin tonë edhe kundër Shtetit tonë, dhe krijon destabilitete në vend dhe regjion” ka thënë ai.

Makolli ka nënvizuar se nuk ka fuqi që mund ta ndal hapjen e urës, pasi që edhe me marrëveshje ndërkombëtare është e paraparë të një gjë e tillë.

 “Çdo hap që merret nga organet legjitime të shtetit tonë, për përmirësimin e kushteve të jetës në pjesën veriore të vendit, kundërshtohet nga qarqet dhe grupet të cilat janë kundra funksionimit normal të shtetit tonë në atë pjesë të vendit. Hapja e urës është një moment që duhet të përkrahet nga të gjithë njerëzit e civilizuar dhe pro-demokratikë dhe pro-perëndimor. Nuk ka fuqi që mund ta ndal hapjen e urës, pasi që edhe me marrëveshje ndërkombëtare është e paraparë të hapet. Agim Bahtiri e ka përkrahjen e plotë për hapjen e urës. Qeveria e ka dënuar ashpër dhe fuqishëm kërcënimin ndaj kryetarit Bahtiri, nëpërmjet zëvendës Kryeministrit të parë të qeverisë dhe njëherit Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli”, ka përfundaur Vesel Makolli.

Image
Enver Bytyçi

“Lufta ka filluar”

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një bisedë me gazetën “Bota sot”, ka thënë se përpjekjet e Bahtirit për ta bashkuar Mitrovicën nuk shihen më sy të mirë nga ndarësit e Kosovës në Prishtinë e në Beograd.

“Në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, që do të thotë ndarje e Mitrovicës, çdo kush që kundërshton idenë e treshes Rama-Vuçiq-Thaçi do të jetë i kërcënuar me jetë. Agim Bahtiri duket se është i pari, por nuk do të jetë i fundit. Kjo do të thotë se për ndarjen e territorit të Kosovës jo vetëm që do të ketë luftë, porse lufta ka filluar! Përpjekjet e zotit Bahtiri për ta bashkuar Mitrovicën nuk shihen më sy të mirë nga ndarësit e Kosovës në Prishtinë e në Beograd. Dhe kur bashkohen ujku, çakalli e dhelpra bashkë, atëherë është e do të jetë rrezik shumë i madh për Kosovën dhe shqiptarët që kundërshtojnë idetë e këtyre tri kafshëve. Nëse do të kishte sukses në bashkimin e Mitrovicës, kjo do të ishte goditje e madhe për planet Thaçi-Vuçiq-Rama për ndarjen e vendit dhe faljen e veriut Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas Bytyçit, pengesa që krijon Agim Bahtiri është serioze për Thaçin dhe Beogradin.

“Thaçi kësisoj e lexoi në një deklaratë të tij edhe fillimin e procesit për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Fakti që pas kësaj iniciative ishin SHBA-të, kjo lexohet si sinjal i qartë se në Uashington nuk japin mbështetje për ndarjen e Kosovës. Dhe kështu shpresa e Thaçit dhe Daçiqit se me këtë akt Amerika dëshiron të marrë e të lirë Ramushin që të kthehet kah mbështetja për Thaçin, kjo shpresë është thjesht një fantazi. Pengesa që krijon Agim Bahtiri është serioze për Thaçin dhe Beogradin. Nuk është njësoj si reagimet tona në media. Është shumë më tepër. Kundërshtia e Bahtirit paralajmëron furtunë, paralajmëron se kufijtë nuk ndryshohen aq lehtë e firmën e një të çmenduri, edhe nëse ky i çmendur është president i Kosovës! Ndërsa sa i përket përkrahjes për hapjen e Urës së Ibrit dhe bashkimin e qytetit nuk e ka as kryetari i sotëm i Mitrovicës, as ish-kryetarët e mëparshëm, duke filluar nga Spahiu e deri te Bahtiri. Qëllimi i fundit paska qenë kjo që po shohim sot. Ndarja e Kosovës. Hashim Thaçi e dëshmoi më në fund pse nuk i ka përkrahur iniciativat për bashkimin dhe unifikimin e të gjithë territorit” ka shtuar ai.

Në fund Bytyçi ka nënvizuar se trinomi Thaçi-Vuçiq-Rama ka për qëllim ndarjen e Kosovës.

“Ai ka bërë politikë personale me veriun e Kosovës. Sa herë ka qenë në vështirësi, me lejen e Vuçiqit ka inskenuar e taktizuar gjoja forcë, por në fakt mashtrimin! Treni, ROSU-ja e keqpërdorur prej tij, arrestimet demonstrative të politikanëve serbë, të gjitha këto pa dijeninë e kryeministrit ose kryeministrave e nën komandën e presidentit Thaçi, janë prodhuar nga bashkëpunimi Thaçi-Vuçiq-Rama me qëllim forcimin e pozitave të Thaçit në publik dhe rritjen e autoritetit të tij për të realizuar ndarjen e Kosovës. Tani që këto metoda nuk funksionuan, Thaçi në marrëveshje me Beogradin ka filluar sulmet e kërcënimet ndaj kundërshtarëve të tij, sikurse është ky kërcënimi i fundit që i është bërë kryetarit të Komunës së Mitrovicës”, ka përfunduar profesor, Enver Bytyçi.

Vlen të theksohet së në hapjen zyrtare të Urës së Ibrit ishte propozuar që të këndojë këngëtarja e famshme botërore, Shakira.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...