Revolta e Thaçit e rrezikshme, deputeti Beyer rikonfirmoi qëndrimin e kancelares Merkel për kufijtë

Politika

Revolta e Thaçit e rrezikshme, deputeti Beyer rikonfirmoi qëndrimin e kancelares Merkel për kufijtë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 26 tetor 2018 Në ora: 19:31
Hashim Thaçi dhe Peter Beyer, foto ilustrim - "Bota sot"

Deputeti i Parlamentit të Gjermanisë, Peter Beyer, ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ia ka prezantuar qëndrimin gjerman se ndryshimi i territoreve, apo shkëmbimi është ide me rrezik të lartë.

Deputeti gjerman tha se Parlamenti i Kosovës është institucioni kryesor që duhet te vendos për çështje të tilla.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve kërkon zgjidhje të qëndrueshme.

Kjo e deklaratë e Beyer, është ritheksim i asaj se çfarë ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel, e deputeti Beyer vie pikërisht nga partia e saj.

Njohës të zhvillimeve politike e shohin qëndrimin zyrtar gjerman lidhur me kufijtë si një bllokadë e tërësishme e Thaçit, siç e quajnë ata, në aventurat e tij politike me ide të rrezikshme.

Kelmendi: Gjermania nuk është për ndryshim të kufijve

Profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, mendon se të gjitha shtet që e kanë njohur Kosovën, duhet ta kenë qëndrimin e njëjtë me atë të Gjermanisë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Lidhur me këtë rast, unë kam bërë një analizë timen, ku jam mbështetur në faktin se kemi të bëjmë me një qëndrim zyrtarë të Gjermanisë dhe demokratëve gjerman, saktësisht të kancelares Angela Merkel, e cila ka shpreh qartë dhe prerë qëndrimin e saj dhe këtij shteti se, Gjermania nuk është për ndryshim të kufijve, as për korrigjim, as për diçka tjetër sepse e ka njohur brenda këtyre kufijve që ka Kosova sot, dhe unë mendoj se është dashur të veprojnë të gjitha shtet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sepse të gjitha ato shtete e kanë njohur Kosovën brenda këtyre kufijve”, ka thënë Kelmendi.

Pasi deputeti gjerman ia kishte shprehur qëndrimet zyrtare të Gjermanisë presidentit Thaçi, ky i fundit nga revolta iu kishte drejtuar Beyer-it se, “unë jam president i Kosovës, unë vendosi për kufijtë e shtetit”.

Kelmendi mendon se, takimi Thaçi – Beyer ka nxjerr në pah anët negative të presidentit Thaçi sa i përket idesë së tij për kufijtë. Sipas Kelmendit, komunikimi i Thaçi me Beyer, ka qenë jo diplomatik nga ana e presidentit të Kosovës.

“Thaçi ka zgjedhur mënyrën jo diplomatike të komunikimit me deputetin gjerman, Beyer, duke paraqitur anën negative dhe atë jo si një president i vendit. Takimi i Thaçit me Beyer më tepër ka zbuluar anët negative të presidentit të shtetit tonë rreth ideve të tij për territore”, ka theksuar ai.

Kelmendi për më tepër ka thënë se, Thaçi ka arritur marrëveshje këto lloj marrëveshje për kufijtë me ndihmën e presidentit francez Emmanuel Macron dhe të forcave të tjera midis Thaçit dhe Vuçiqit.

“Duke se Thaçi ka arritur këto lloj marrëveshje me ndihmën e presidentit francez Emmanuel Macron dhe të forcave të tjera midis Thaçit dhe Vuçiqit, kemi korrigjimet që do të bëhen, gjë që na flet edhe takimi që do të jetë më 11 nëntor midis Vuçiqit dhe Thaçit në Paris, ku do të udhëheq atë takim presidenti francez Macron dhe ku do të flitet kryesisht për korrigjimin e kufijve”, është shprehur Kelmendi.

Vata: Deklarimi i deputetit gjerman është ri konfirmim i saj çka ka thënë kancelarja Angela Merkel

Analisti politik Ilir Vata, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar takimin e presidentit Thaçi me deputetin gjerman nga radhët e kancelares Merkel, Peter Beyer.

Image
Ilir Vata

Për qëndrimin e palëkundur gjerman sa i përket idesë së korrigjimit, Vata ka thënë se, deklaratat e Beyer janë rikonfirmim i kancelares Merkel se kufijtë janë të paprekshëm dhe se kjo ide është e rrezikshme. Ai mendon se Thaçi duhet ta bëj një dorëheqje, atë nga posti i presidentit ose nga ideja e korrigjimit.

“Thaçi ose dorëhiqet nga ndarja territoriale, ose si president?! Qëndrimi i Berlinit dhe i perëndimit ka qenë i prerë dhe më herët për mos cenim të territorit të Kosovës dhe deklarimi i deputeti gjerman është ri konfirmim i saj çka ka than kancelarja Gjermane Angela Merkel. Kosova është një shtet sovran dhe kufijtë territorial janë të pacenueshëm nga askush dhe këtë e garanton e drejta ndërkombëtare, shtete e fuqishme në botë, Aleance e Atlantikut, SHBA dhe BE, si dhe bota shqiptare në të gjithë botën”, është shprehur ai.

Ai e quan politik primitiv diskutimin për prekjen e kufijve dhe mendon se vetëm Shqipëria natyrale i bën bashkë shqiptarët.

“Të luash me kufijtë sot është një kthim pas, një lëvizje politike primitive, dashakeqe dhe që kërkon të ngjallë trazira në rajonin e Ballkanit. Kthimi te dasia, provokimi, konflikti është një veprim tinzar politik dhe kur ajo nxitet nga një kreu i shteti si Thaçi bëhet edhe më tinëzare dhe dashakeqe në interes të shqiptarëve dhe të paqes në rajon. Në ka gjë që i bënë bashkë shqiptarët është Shqipëria natyrale dhe në këtë kuptim ata janë shqiponja të vërteta dhe kurrë s’do ta pranojnë një prekje të territorit të Kosovë, pra politikisht tendenca për të hedh në tregun politikë, fjalën ndryshim kufijtë është luftë-nxitje”, ka thënë ai.

“Presidenti Thaçi nëse nuk është tërhequr nga shkëmbimi i territorit, do të dorhiqet si president”

Për më tepër, Vata ka shtuar se, lëvizja e mundshme e kufijve, mund të jetë një gjë pozitive nëse kjo mundësi shfrytëzohet me kujdes, e përmes saj të ndodh bashkimi me Shqipërinë.

“Për sa i përket qëndrimit të presidentit Thaçi, mendoj se ai ka bërë politikë me këtë çështje në interes të tij, apo të faktorëve që sollën rre presidenti sot dhe dje. Në fillim ka dashur të bindë opinionin ndërkombëtar se sa e rrezikshme është të luash me kufijtë. Së dyti të mbars botën shqiptarë dhe politikën për një rast të tillë që të mos jenë të papërgatitur. Dhe e treta nëse, ai e ka thënë me bindje ka qenë pjesë e lojëse së vjetër sllavo ruse për të destabilizuar Ballkani, që mendoj se nuk është Thaçi në këtë qorr-sokak. Thaçi nuk ka qenë asnjë herë për shkëmbim territoresh, dhe s`ka çfarë tërhiqet, por thjeshtë ka qenë një lojë e tij politike. Askush nuk mund të vendos për tjetërsimin e kufijve të Kosovës, vetëm shqiptarët janë ata që vendosin, trashëgimtarët real të kombit. Çdo tentativë me lëvizje kufijsh është në interes të shqiptarëve se fundja ata që kanë humbur territore historikisht janë shqiptarët që nga padrejtësia në 1913. Pra tentativa për të ndryshuar kufijtë është shansi i shqiptarëve për të patur kombin e tyre natyral, pse jo të bashkuar. Pikërisht kjo frikë për bashkimin e Shqipërisë e ka bërë Serbinë ta njohë Kosovën dhe në të vërtetë Serbia tashmë e ka pranuar sovranitetin e saj. Presidenti Thaçi nëse nuk është tërhequr nga shkëmbimi i territorit, do të dorhiqet si president”, ka theksuar Vata për “Bota sot”.

Ahmeti: Deklarata  e deputetit  gjerman  Peter Beyer, është një sinjal  dhe mesazh i qartë  për  zotin Thaçi

Ndërsa analisti Hidajet Ahmeti, thotë për “Bota sot” se, ideja e Thaçit për korrigjim nuk ka vend për jetësim, pasi përbën rrezik të madh.

Image
Hidajet Ahmeti

“Aventura politike e Thaçit nuk  ka vend në jetësimin  saj, pasi  është ide potencialisht me rrezik të madh jo vetëm  për  shtetin Kosovës por edhe më gjerë. Ligjërisht, Kosova është shpallur shtet me kufijtë ekzistues dhe legjitimitet ndërkombëtar është përligjur me njohjen e mbi 115 shteteve, por edhe opinioni i GJND-së ka vulosur legjitimitetin dhe legalitetin e pavarësisë së Kosovës me kufijtë ekzistues. Çdo deklaratë  e kujtdo qoftë apo veprim politik, i cili bie ndesh me interesat kombëtare, shtetërore e mbi të gjitha me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, potencialisht është i dështuar”, ka thënë Ahmeti.

Ai mendon se deklaratat e Beyer në Prishtinë, kanë qenë të qarta për presidentin Thaçi, dhe njëkohësisht një përgjigje e kundërshtimit të qytetarëve të Kosovës për korrigjimin e kufijve.

“Edhe deklarata  e deputetit  gjerman  nga partia e Merkelit,Peter Beyer, është një sinjal  dhe mesazh i qartë  për  zotin Thaçi, dhe njëkohësisht një përligjje e kundërshtimit të qytetarëve të Kosovës për korrigjimin e kufijve. Gjykoj se çdo ditë  e më shumë, ideja e disa karrieristëve politikë së bashku me zotin Thaçi, dita ditës po ju ngushtohet hapësira për të manipuluar me qytetarët e Republikës dhe njëkohësisht po kuptohet fytyra e vërtetë e tyre. Zëri  i shumicës buron nga populli dhe nuk mund të shkelet nga politikanë karrierist e aventurist politik, por duhet të jetësohet e përfaqësohet denjësisht”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat