Kush dha urdhër për vrasje, kush përfitoi, pse akuzohet Thaçi? Pyetjet që presin përgjigje!

Politika

Kush dha urdhër për vrasje, kush përfitoi, pse akuzohet Thaçi? Pyetjet që presin përgjigje!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 26 tetor 2018 Në ora: 19:59
Foto ilustrim, Hashim Thaçi

Me përfundimin e luftës në Kosovë, të gjithë kanë shpresuar se për shqiptarët e Kosovës do të fillojë një epokë e re e suksesit! Megjithatë, kjo nuk ndodhi, por ndodhi e kundërta. U vërshuan “komandantët”, që shumica prej tyre nuk ishin asnjëherë pothuajse në luftë. Disa vetën në dylbi e shikuan luftën, e disa prej hoteleve me pesë yje nga Shqipëria.

Hovi i “komandantëve” nuk u ndalë asnjëherë deri më sot. Ata kapluan çdo gjë në Kosovë. Filluan të shtrijnë “sovranitetin” e tyre edhe në veri, në pjesën e okupuar nga Serbia por të ndihmuar nga aleatët e tyre shqiptarë, të cilët mbizotërojnë sot pasuri marramendëse në krahë të bashkëpunimit të tyre me serbët.

Të paktën kemi pas edhe deklarime prej njerëzve të pushtetit të cilët janë deklaruar se kanë bashkëpunuar me kriminelët serb në veri.

E bashkëpunimi i tyre, për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, është skandaloz, madje strukturat e tyre kanë bërë që sot mos të ndihet i sigurt asnjë shqiptarë përbrenda territorit të Kosovës.

Sigurinë e shqiptarëve po e rrezikojnë, tashmë edhe familjarët e tyre, të cilët përballen me secilin që ia zë rrugën.

Se kriminaliteti ka filluar të rritet nga familjarët tashmë e kemi të qartë. Ata kanë kapur institucionet më të rëndësishme të drejtësisë. Policia, AKI-ja, institucionet e Drejtësisë, Prokuroria dhe Gjyqësia, tashmë punojnë vetëm për bosët e tyre, pra për “komandantët” dhe eprorët të cilët i fuqishëm e kanë uzurpuar Kosovën.

Kemi për plot raste ku kemi parë që sistemi i drejtësisë në Kosovë është kapur nga politikanët, e kjo është dëshmuar me rastin PRONTO, me deklarimet e opozitës, me foto e video të publikuara nëpër mediat në Kosovë, se si kanë ndikuar politikanët në rrjetin e tyre të drejtësisë duke emëruar Prokurorë e gjyqtarë në raste të caktuara për të favorizuar ata dhe klanin e tyre.

Kemi parë edhe dëshmitë se si ka ndodhur vjedhja më spektakulare brenda Policisë së Kosovës, ku u vjedh një sasi e madhe e arit dhe askush nuk u dënua për këtë.

Kemi parë edhe rastet e djemve të Adem Grabovcit, ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili në rastin PRONTO ishte protagonisti kryesor ku kemi dëgjuar se si bën emërimet e njerëzve të tij nëpër poste të ndryshme në Kosovë. Edhe pse janë shpallur fajtorë djemtë e tij nuk janë dënuar sa do duhej apo sa do të dënohej një qytetar i thjesht po të kryente të njëjtën vepër penale.

Tashmë së fundi, kemi edhe rastin e djalit të kreut të AKI-së, Shpend Maxhunit, Shpëtimit të cilit në veturën që ishte duke vozitur i janë gjetur, armë, drogë e thikë, por që rasti i tij u tentua të fshehët, madje i kemi parë edhe deklaratat skandaloze të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit. Rasti i Shpëtimit është i veçantë, pasi kemi parë ndryshimin e deklaratave të Policisë dhe Prokurorisë.

Tutje, rasti voluminoz i kësaj jave është i vëllait të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Ganiut i cili ka rrahur dy persona në mënyrë “sporadike” por që nuk është arrestuar, madje po paraqitet si viktimë.

E të gjitha këto raste, tregojnë qartë se paslufta ishte e “komandantëve”, i politikanëve të cilët me grupacionet e tyre kanë bërë që në Kosovë, askush mos të ndihet i sigurt përderisa kemi udhëheqës të tillë.

Raste të shumta kriminale kanë ndodhur, sidomos vrasjet e njerëzve më të devotshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët asnjë prej tyre nuk janë zbuluar deri më tani.

Për këtë vrasje kanë janë akuzuar SHIK-u, madje për vrasjet e pazbuluara kemi pas akuza direkte edhe për presidentin Thaçi.

Së fundi, po akuzohet edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi se ka gisht në vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqi dhe shumë personaliteteve tjera.

Këto akuza i ka bë ish-deputeti i Kosovës, Gani Geci, i cili ishte cak i sulmeve, e që vetëm fati deshi që ai të jetë ende është gjallë. Geci ka shumë për të thënë.

Geci, i cili ishte edhe krah i djathtë i Ibrahim Rugovës duke qëndruar besnik në frymën rugoviane, ka shpëtuar disa herë prej atentateve të ndryshme të kryera ndaj tij prej kundërshtarëve më të rrezikshëm, që disa prej tyre sot vazhdojnë të jenë pjesë e politikës.

Akuza të rënda ndaj presidentit Hashim Thaçi ka hedhur disa herë edhe ish-eprori i UÇK-së, dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, i cili e ka akuzuar Thaçin për bashkëpunim me shërbimin sekret francez DGS-n. Pastaj ka thënë se Thaçi ka gisht edhe në ndarjen e Mitrovicës, si dhe e përmend në disa raste tradhtinë e presidentin ndaj komandantit legjendar Adem Jasharit. Miftari në prononcimet e tij në publik, ka thënë edhe se Thaçi ka gisht në shumë vrasje politike të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Pas deklarimeve publike të Miftari kundër Thaçit dhe Kadri Veselit për tradhti edhe ndaj UÇK-së, Miftari ishte cak i sulmeve të ndryshme, ku në disa raste i është sulmuar shtëpia edhe me bomba dhe granata dore. Gjithashtu ai u sulmua edhe me armë automatike, por akterët e krimit nuk u zbuluan kurrë edhe pse shtëpia e tij është midis kryeqytetit të Kosovës.

Pas kësaj, Naim Miftari së bashku me familjen e cila disa herë ka qenë e kërcënuar jetojnë jashtë Kosovës, në një vend të panjohur.

Dyshimet asnjëherë nuk kanë munguar, se kundërshtarët politik të dr. Ibrahim Rugovës ishin edhe urdhërdhënësit e vrasjeve politike në Kosovë.

E kjo po dëshmohet edhe dita ditës, duke mos u zbardhuar asnjë vrasje e kryer pasluftës.

Dëshmitë që po dalin në dritë, janë dëshmitë më tronditëse nëse në një shtet të ri, akuzohet për vrasje presidenti i vendit.

Megjithatë është ende enigmë se kur do të zbulohen vrasjet që kanë ndodhur, kush ka dhënë urdhra, kush ishin dorasit, pse ndodhën ato vrasje, kujt i konvenonin vrasjet e tilla pas çlirimit të Kosovës?

E pyetja kryesore është se kush do t’i dënoj këta persona, tradhtar të kombit shqiptar? Cili prokuror? Cili gjykatës? Kur do të ndodh kjo?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat