Shteti i kapur “amniston” familjarët e pushtetarëve

Politika

Shteti i kapur “amniston” familjarët e pushtetarëve

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 28 tetor 2018 Në ora: 08:04
Shpend Maxhuni dhe Hashim Thaçi

Familjarët e krerëve të shtetit në Kosovë, janë duke bërë kërdi në krah të pushtetit të të afërmve të tyre.

Drogë, armë dhe thikë i janë gjetur djalit të kreut të AKI-së, Shpend Maxhunit, rast ky i cili tentoi të fshehët nga organet e drejtësisë. E pas kësaj, edhe vëllai i presidentit tentoi të tregojë forcën e tij duke i rrahur dy persona.

Krejt, kjo fuqi e familjarëve të njerëzve të pushtetit në Kosovë, po tregohet karshi njerëzve punëtorë e të zellshëm, të cilët më forcat dhe mundin e tyre po tregojnë sukses duke mos pasur nevojë për përkrahje nga askush.

Se familjarët e pushtetarëve në Kosovë tregohen të fortë kemi raste të njëpasnjëshme, e këtu nuk duhet harruar djemtë e ish-deputeti të PDK-së, Adem Grabovcit dhe shumë raste të tjera.

Familjarët në flagrancë

Kjo dëshmon se rasti i djalit të Shpend Maxhunit dhe rasti i vëllait të presidentit Thaçit, janë dëshmi se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur. E kjo është parë duke u munduar të fshehën provat për raste të tilla, derisa mediet kanë zbuluar skandalet e tyre.

Prokuroria e Shtetit shumë shpejt pritet të bëjë kallëzim penal ndaj koordinatorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Gani Thaçit dhe shoferit të tij për sulmin fizik që i kanë bërë të mërkurën drejtorit të BKS-së Blerim Pushkollit dhe drejtorit të kompanisë së sigurimeve “Illyria Insurance”, Gianni Sokolic.

Këtë e ka konfirmuar prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, i cili ka thënë se të gjitha procedurat hetimore kanë përfunduar nga prokurori i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer procedurat paraprake dhe pritet të ndërmerren veprime tjera për kallëzim penal”, ka thënë shkurt Berisha.

Ai nuk ka treguar motivet e sulmit për këtë rast ku është përfshirë Gani Thaçi, vëllai i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Millaku: Situata e tillë e ngre nevojën urgjente që të shkohet në zgjedhje

Deputetja e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Drita Millaku, pohon se, këto ky rastet e fundit janë vazhdim i skandaleve të mëhershme.

Image
Drita Millaku

“Rasti i djalit të Shpend Maxhunit dhe rasti i vëllait të Hashim Thaçit është vetëm vazhdim i skandaleve të mëhershme që tregon se shteti i jonë është në duar të gabuara dhe që ngre alarmin se duhet ndryshuar urgjentisht gjendjen, sepse ka rënë besueshmëria qytetare në shtetin tonë dhe kjo paralelisht e lëndon imazhin e shtetit tonë në botë i cili edhe ashtu është i përbaltur. Situata e tillë e ngre nevojën urgjente që të shkohet në zgjedhje të cilat kësaj radhe do të jenë shans i popullit për tu shkëputur nga e keqja dhe nga kriminelët të cilët kanë zënë vend në të gjitha segmentet e shtetit. Dhe shtrohet pyetja si po besojnë qytetarët se do të hiqen vizat apo do të anëtarësohemi në Interpol me këta njerëz mafioz në pushtet”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Ajo thotë se, pozitat shtetërore që duhet të jenë obligim dhe sakrificë për bartësit e tyre, te ne shfrytëzohen për privilegje të natyrave të ndryshme,  që të shumtën e herëve janë privilegje që kalojnë në kriminalitet.

“Kur nga pozita shtetërore tentohet të merret më shumë se paga e caktuar kjo është jo etike kurse kur pozitën shtetërore e keqpërdor për të favorizuar grupin kjo është edhe jo etike por edhe krim”, përfundon ajo.

Salihaj: Drejtësia është selektive

Ndërsa, ish-deputeti i Kosovës, nga LDK-ja Adem Salihaj thotë se Kosova po mbulohet nga skandalet e përditshme e të një pas njëshme, të lidhura nga bosët e politikës dhe familjarët e tyre.

Image
Adem Salihaj

Ai thekson se, çdo ditë pëlcet ndonjë skandal që lidhet me këtë strukturë mafioze. 

“Jam i bindur se ka edhe qindra skandale tjera, të cilat fshehën nga organet e policisë, prokurorisë apo gjyqësorit. Se janë të kapura këto organe në mënyrën më të vrazhdë, nuk ka asnjë dyshim. Por, po ashtu duhet ta dimë se më tepër ka shanse të dënohet një polic i ndershëm që denoncon apo zbulon krimin, siç edhe ndodhi e do të ndodhë edhe në të ardhmen, se sa një kriminel mafioz apo familjarët e tyre. Më parë mund të dënohet një qytetar i pafajshëm se sa një bos i krimit, i instaluar në nivelet më të larta të pushtetit në Kosovë.  Qytetarët e Kosovës duhet të zgjohen dhe ta shohin se po vidhen miliardat e tyre dhe po shkatërrohet e ardhmja e fëmijëve të tyre”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Kosova po ballafaqohet rëndë me krimin politik

Ndërsa, njohësi i proceseve juridike në Kosovë, Blerim Burjani thekson se, nuk mund të ketë kurrfarë amnistie për askënd në një shtet demokratik me rend dhe ligj.

Image
Blerim Burjani

“Me një trajtim të barabartë, gjërat nuk duhet të shikohen nga prizmi i përkatësisë familjare, kush, kënd, çka e ka, por nga përgjegjësia. Vetëm në Kosovë thuhet vëllai i atij apo djali i këtij. Nuk ka lidhje kjo me vëllanë por ka përgjegjësi individuale që duhet të përgjigjen para organeve të drejtësisë. Pra edhe rastet që ju i përmendni nuk kanë kurrfarë rëndësie dhe nuk duhet të ketë për veprat e tyre duhet të përgjigjen në pajtim me ligjin. Nuk mund të ketë kurrfarë amnistie për askënd. Kosova po ballafaqohet rëndë me krimin politik, partiak, shtet ku punësojnë partitë dhe zhvatin buxhetin e qytetarëve, thirren në emër të qytetarëve dhe bëjnë kontroll të parasë publike, punësojnë partiak e familjar ku partitë janë organizata private në saj të partisë njerëzit hyjnë në punë, marrin pozita menagjeriale dhe kryejnë një varg veprash penale”, përfundon Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat