Abazi: Gjermania ka bërë një punë të jashtëzakonshme, kjo është alternativa e Serbisë

Politika

Abazi: Gjermania ka bërë një punë të jashtëzakonshme, kjo është alternativa e Serbisë

Nga: G.B Më: 29 tetor 2018 Në ora: 15:35
Haki Abazi

Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa e njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Kështu ka deklaruar së fundmi gjatë një vizite në Serbi, deputeti i Parlamentit Gjerman nga radhët e partisë së kancelares Angela Merkel, Peter Beyer, i cili ka shtuar se për t’u normalizuar raportet ndërshtetërore,  Serbia duhet të njohë ‘de jure’ pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Ndërsa që edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ka thënë se duhet shfrytëzuar kushtëzimin e BE-së që Serbia ta njohë Kosovën, që ajo të jetë pjesë e familjes evropiane.

Por, a duhet të shfrytëzohet kjo mundësi dhe pse është aq e rëndësishme njohja e Kosovës nga ana e Serbisë?

Lidhur me këtë njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova është me fat që ka miq ndërkombëtar e veçanërisht Gjermania e cila ka bërë shumë për Kosovën.

“Kosova është më shumë fat për miqtë ndërkombëtarë dhe mbështetësit nga bota demokratike e posaçërisht nga ana e Gjermanisë e cila ka qenë konsistente në qëndrimet në Ballkan sidomos ndaj Kosovës dhe Bonjë Hercegovinës. Gjermania ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjithashtu duke krijuar procesin e Berlinit ku ka ngritur secilin vend në nivel të barabartë”, ka theksuar Abazi.

Sipas tij, Serbia nuk ka tjetër alternativë përpos njohjes së Kosovës dhe se çdo alternativë tjetër është e drejtuar kah Rusia.

“Është fatkeqësi që Kosova e ka injoruar dhe nuk e ka marrë seriozisht procesin e Berlinit, e ka lëshuar në nivel të ulët përderisa ka vazhduar dialogun me Serbinë duke krijuar shumë më shumë hapësirë për Serbinë që të manovrojë jashtë kufijve të tolerancës së marrëdhënieve për fqinjësi të mirë. Unë mendoj që Serbia nuk ka alternativë tjetër përpos se ta njohë Kosovën. Çdo alternativë tjetër është e drejtuar drejt Rusisë përderisa shqiptarët në Ballkan jo vetëm në Kosovë janë të orientuar pro BE-së dhe NATO-s u pa edhe në Maqedoni, kështu që Serbia e rrethuar me shqiptarët dhe me shtetet e BE-së dhe NATO-s do të mbetej e izoluar dhe e vetmuar edhe në marrëdhëniet politike, ekonomike, tregtare dhe të sigurisë”, ka vlerësuar Haki Abazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat