Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhevahire Izmaku, ka reaguar kundrejt deklaratave të opozitës, derisa këta të fundit kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Haradinaj dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Izmaku në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vendin e presin vendimmarrje të mëdha dhe shumë të rëndësishme, andaj e ka konsideruar si të pakuptimtë kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme.
"Në parim çdo opozitë tenton t’i ofrojë vetës një shans më shumë afër pushtetit. Ky diskurs lidhur me zgjedhjet, është deklarate e zhveshun politikisht për aq sa me kuptu që nuk ka seriozitet. Momentin kur vendin e presin vendimmarrje të mëdha dhe shumë të rëndësishme për vendin, është shumë e pakuptim kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk do të ishte aspak një situatë kur do të fitonte Kosova dhe poashtu, nuk e besojë që do të kishte ndryshime drastike të lidershipit", ka thënë Izmaku.
Deputetja nga radhët e pozitës ka shtuar me tej se subjektet politike nuk janë të disponuar për zgjedhje, edhe për faktin siç ka thënë ajo, pasi shumica prej tyre ose kanë filluar proceset e brendshme zgjedhore ose do t’i fillojnë së shpejti.
“Asnjë subjekt seriozisht nuk është i disponuar edhe për faktin që shumica ose kanë fillu proceset e brendshme zgjedhore ose do t’i fillojnë së shpejti. Ne e kemi obligim si institucione të merremi me përmbylljen e fazës së dialogut dhe të merremi me proceset integruese në fazën ku jemi e tek më pastaj është e dhe reforma zgjedhore. Nuk do të ketë zgjedhje kualitative nëse s'do të ketë reformë zgjedhore”, ka përfunduar deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, për “Bota sot”.