“Legjislatura më e dobët”, ky është qëllimi i partive politike

Politika

“Legjislatura më e dobët”, ky është qëllimi i partive politike

Nga: G.B Më: 30 tetor 2018 Në ora: 15:08
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar 67 mijë euro për dreka zyrtare për vetëm gjashtë muaj. Ndërsa për akomodim të deputetëve gjatë udhëtimeve jashtë Kosovës, i ka kushtuar 91 mijë e 187 euro.

E së fundmi Kuvendi ka miratuar dhe udhëtimet e disa deputetëve jashtë vendit, për punë që nuk kanë të bëjnë me Kuvendin.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kuvendi vazhdimisht nuk ka kuorum dhe partitë e kanë për qëllim që të fitojnë sa më shumë, të kenë vizita jashtë vendit e të argëtohen.

Image
Blerim Burjani

“Kuvendi është organ ligjvënës e jo ekzekutiv, që është qeveria. Duke pas parasysh faktin se ky kuvend nuk ka asnjëherë kuorum për të aprovuar ligjet, ky kuvend shume herë i bllokuar dhe bllokohet edhe sot. Deputetët e kësaj legjislature janë jo funksionalë, ideja është që të gjitha partitë pa dallim të përfitojnë sa më shumë para dhe të kenë sa më shumë udhëtime jashtë shtetit, të përfitojnë nga vizitat dhe mëditjet e udhëtimit dhe të kenë argëtim sa më të mirë. Është e çuditshme dhe e papërgjegjshme kjo sjellje e deputetëve e përfaqësuesve të popullit të cilët thirren të shpenzojnë me kujdesin me të madh me paranë publike, por kjo sjellje duket të jetë plotësisht e papërgjegjshme”, ka theksuar ai.

Sipas tij këto shpenzime janë të kota dhe çdoherë duhet të dihet se cili është qëllimi i shpenzimeve dhe çka përfitojnë qytetarët nga ato.

“Shpenzimet e mëdha dhe të kota kur dihet se qeveria ka obligime tjera, pra ekzekutive për ushtrimin e shumë kompetencave ekzekutive ka edhe shpenzime të cilat edhe kur të bëhen duhet të jenë në raport me përfitimin e shtetit, nëse ka shpenzime të mëdha duhet të arsyetohen me përfitimet që bëjnë qytetarët e Kosovës, me rastin e auditimit të shpenzimeve duhet të ketë edhe përgjegjësi për këtë çështje, pra duhet të dihet pse janë bërë të gjitha këto shpenzime dhe cili është përfitimi i shtetit dhe i qytetarëve”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, shpenzimet nuk do të ndalen pasi legjislatura është e dobët dhe nuk e meriton vëmendjen e qytetarëve.

“Kjo legjislaturë nuk meriton më vëmendjen e qytetarëve pas është e dobët, zhvatëse, problematike dhe e bllokuar, karakteristika këto që sjellin efikasitetin jashtëzakonisht të dobët të këtij Kuvendi. Këto shpenzime që do të vazhdojnë edhe më tutje nuk do të ndalen por edhe problemet me këtë legjislaturë të dobët”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat