“Hashim Thaçi po kërkohet nga Gjykata Speciale”

Politika

“Hashim Thaçi po kërkohet nga Gjykata Speciale”

Nga: N.H Më: 31 tetor 2018 Në ora: 07:30
Hashim Thaçi

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Jeton Kelmendi, në një bisedë të gjatë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se takimet e Thaçit me Vuçiqin tanimë janë bërë edhe rutinore.

Sipas profesorit të shkencave të politikës, idetë antishqiptare gjithmonë promovohen dhe proklamohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Mendoj se këto takimet tanimë janë bërë rutinore ndërmjet presidentit të gjysmë-Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe super Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kur e them gjysmë-president është gjunjëzimi që po i bëhet me dëshirë nga Hashim Thaçi para superiorit të tij Aleksandër Vuçiq dhe madje kjo shkon deri në një shkallë të përkeqësimit kur idetë e presidentit serb, shtetit armik, i cili jo vetëm që nuk e njeh Kosovën, por e pengon në integrimin në institucionet ndërkombëtare, madje e pengon edhe në prosperim dhe në çështjen më elementarja e cila është integrimi në botën demokratike dhe kësisoj idetë gjithmonë antishqiptare promovohen dhe proklamohen nga presidenti i Kosovës”, potencon ai.

Ai më tej ka thënë se, ky president është i kapur, për faktin se Gjykata Special po e kërkon nga njëra anë, ndërkaq historia e presidentit Thaçi, ngritja e tij politike siç ka thënë Kelmendi është bërë mbi të tjerët.

“Nganjëherë më shkon mendja se sikur ka ndërruar role, se Thaçi është bërë presidenti i Serbisë dhe Vuçiqi është bërë president i Kosovës. Pra, është komike dhe kjo gjithsesi tregon për fatkeqësinë e Kosovës që ka në krye të shtetit, një president të tillë. Mendoj se ky president është i kapur, për faktin se Gjykata Special po e kërkon nga njëra anë, ndërkaq historia e presidentit Thaçi, ngritja e tij politike është bërë mbi të tjerët”, thotë Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi ka shtuar se takimi i radhës i cili pritet të mbahet në Paris, është një shqetësim i madh dhe shqetësim real për qytetarët e Kosovës, sepse presidenti Thaçi e ka dëshmuar se di të jetë shumë i papërshtatshëm.

“Takimi i radhës i cili pritet të mbahet në Paris, sigurisht se është një shqetësim i madh dhe shqetësim real për qytetarët e Kosovës, sepse Thaçi e ka dëshmuar di të jetë shumë i papërshtatshëm, di të jetë shumë anti-shqiptar dhe mendoj se këtu do të zhgënjej aleatet e koalicionit, gjegjësisht kryeministrin Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Limaj, të cilët nuk dalin edhe ta votojnë shkarkimin presidentit. Ta mbështesin një ide të opozitës. Nuk flas për aleatin tjetër, pra Behgjet Pacollin, sepse një tyxhar i cili ka vepruar gjithë jetën e tij të shet dhe të blej, por këta të tjerët duhet të kërkojnë që të shkohet në zgjedhje dhe me automatizëm të shkarkohet presidenti Thaçi”, shton ai.

Krejt në fund, Kelmendi shfaqë drojën se dikur do të jetë vonë, andaj sipas tij, këto kalkulime janë djallëzore dhe duhet orë e çast të ndalet presidenti Thaçi.

“Druaj se dikur do të jetë vonë, sikur çështja e Demarkacionit, që bëri në krye në vete. Kam dyshime të bazuara edhe në këtë rast  Thaçi do ta bëjë punë të kryer ndarjen e Kosovës. Prandaj do të gjejë mënyra dhe de-fakto dhe de-juro ta shkoqit atë pjesë, e cila është pjesa më e mirë e Kosovës, ta shkëpus sepse në parimet ndërkombëtare çdo lloj kombinacioni toka i takon popullatës. Këto kalkulime janë djallëzore dhe duhet orë e çast të ndalet presidenti Thaçi, fundja është akt patriotik i çdo qytetari që në mundësin e tij ta ndal atë nga shitja e tokës së Kosovës”, përfundon njohësi i çështjeve politike, Jeton Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat