Driton Selmanaj flet për seancën e sotme: Pa u ndal Thaçi nuk ecët në asnjë pikë tjetër

Politika

Driton Selmanaj flet për seancën e sotme: Pa u ndal Thaçi nuk ecët në asnjë pikë tjetër

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 31 tetor 2018 Në ora: 09:44
Driton Selmanaj

Kuvendi i Republikës se Kosovës mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të debatojë lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Opozita që është nismëtare e mbledhjes së jashtëzakonshme kërkon që të miratohet një rezolutë, që do ta ndalonte presidentin të flasë për territorin në bisedimet me Serbinë.

Deputeti Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është më së e nevojshme miratimi i kësaj rezolute.

Sipas Selmanajt, procesi i dialogut me Serbinë ka avancuar aq shumë, sa që po e vë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Është më së e nevojshme miratimi i kësaj rezolute, për shkak se procesi i dialogut me Serbinë ka avancuar aq shumë sa që po e vë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e vendit, dhe për neve është domosdoshmëri e pakompromisë që një rezolutë e tillë duhet miratuar, ku bartësit e institucioneve të Kosovës të gjithë pa përjashtim i ndalohen në Kuvendin e Kosovës ata të kenë mandat për të diskutuar për kufijtë e Kosovës dhe kjo është më së e domosdoshme”, ka thënë Selmanaj.

I pyetur se a do të votohet kjo rezolutë, deputeti Selmanaj ka thënë se nuk e di, mirëpo pret që kjo çështje të diskutohet në Kuvendit e Kosovës.

“Nuk e di, ne do të diskutojmë për ketë çështje dhe besoj se disa nga partitë politike që janë në pushtet përmes disa deklaratave publike janë shprehur se janë kundër kësaj ideje, atëherë duhet të bëhen pjesë e votimit dhe ne ta kalojmë ketë rezolutë. Nëse ata eventualisht nuk ndërrojnë qëndrim dhe nuk ndërrojnë mendjen në minutat e fundit. Përndryshe, kryeministri Haradinaj dhe zëvendësministri Limaj janë kundër ndarjes së Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, i cili e ka thënë disa herë. Atëherë ne ketë po e kërkojmë, që të miratohet nga Kuvendi i Kosovës vetëm një pikë e rendit të ditës”, ka thënë ai.

Selmanaj në fund ka theksuar se pa u ndalur ky proces dhe kjo qasje e presidentit Thaçi nuk mund të ecët në asnjë pikë tjetër.

“Kjo është interesi nacional i vendi, kjo është ajo çka ne mund të bëjmë në këtë fazë dhe pastaj mund të shohim mënyra se si të ecim tutje në procesin e dialogut me Serbinë, por pa u ndalur ky proces dhe kjo qasje e presidentit Thaçi mendoj se nuk mund të ecim në asnjë pikë tjetër”, ka përfunduar Driton Selmanaj për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat