Krasniqi: Përpos performancës së dobët, deputetët kanë treguar edhe fytyrën zhvatëse

Politika

Krasniqi: Përpos performancës së dobët, deputetët kanë treguar edhe fytyrën zhvatëse

Nga: G.B Më: 31 tetor 2018 Në ora: 22:16
Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Mungesa e deputetëve në seanca gjatë kësaj legjislature është vërejtur pothuajse në çdo seancë të thirrur, ku shpesh nuk ka pasur kuorum.

Por sa i përket shpenzimeve të Kuvendit dhe deputetëve për udhëtime jashtë vendit, ato janë mjaft të larta.

Për vetëm 6 muaj, Kuvendi ka shpenzuar 67 mijë euro vetëm për dreka zyrtare, ndërsa akomodimi i deputetëve në udhëtimet e tyre jashtë vendit, ka kushtuar 91 mijë e 187 euro.

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve aktuale në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se deputetët përveç se kanë treguar performancë të dobët në miratimin e ligjeve, ata kanë treguar edhe fytyrën e tyre zhvatëse.

“Me asnjë legjislaturë në Kosovën e pasluftës nuk mund të mburremi, por dy legjislaturat e fundit janë më dobëtat dhe më të turpshmet. Kjo përbërje vetëm sa e ka degraduar maksimalisht pozitën e deputetit. Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një cirk. Deputetët e Kuvendit përveç që kanë treguar performancë të dobët, e sidomos sa i përket miratimit të ligjeve, ata kanë treguar fytyrën e vërtetë zhvatëse”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, është e jashtëligjshme që deputetëve tu paguhen udhëtimet që nuk kanë të bëjnë me punën e Kuvendit dhe sikur të kishim shtet normal dhe zbatim të ligjit, këto gjëra nuk do të ndodhnin.

“Në një shtet normal është e jashtëligjshme që deputetëve t'u paguhen mëditjet dhe shpenzimet jashtë vendit që nuk udhëtojnë për punë që lidhen me Kuvendin. Por tek ne kjo praktikë ka qenë prej pasluftës dhe fatkeqësisht vazhdon edhe sot. Kush zgjohet më herët nga gjumi fillon me zhvatë shtetin në forma të ndryshme. Sikur të kishim një shtet normal dhe ku zbatohet ligji, gjëra të tilla nuk do guxonin të ndodhnin, sepse është ligji që i ndëshkon të gjithë” ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat