Kryeministër i tradhtove heronjtë, shkele mbi gjakun e tyre për Thaçin, a ka më turp!

Politika

Kryeministër i tradhtove heronjtë, shkele mbi gjakun e tyre për Thaçin, a ka më turp!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 1 nëntor 2018 Në ora: 21:37
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, foto ilustrim nga "Bota sot"

Njësoj sikurse me demarkacionin e kufirit me Malin e zi, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gëlltiti fjalët e tij kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Deputetët e AAK-së votuan kundër rezolutës së propozuar nga LDK-ja. Pozita nuk u pajtua me pikën e rezolutës që kishte të bënte me ndalimin e Thaçit për të diskutuar për territore. Rezoluta e LDK-së e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, morri 50 vota nga 90 deputetë sa ishin në sallë.

Pas dy ditësh seancë në Parlamentin e Republikës së Kosovës, nuk u miratua rezoluta lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë.

Kjo rezolutë e opozitës ishte kundër idesë së Thaçit për kufijtë e Kosovës, apo siç thotë ai, “korrigjimit të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pas dy ditësh seancë në Kuvend, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, apo deputetët e kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk e përkrahën opozitën për rezolutën, duke treguar edhe njëherë se Ramush Haradinaj përveç fjalëve të tij boshe, nuk ka guxim intelektual e as kombëtar për të kundërshtuar të parin e Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, i cili siç duket edhe “Rambos” ia ka zënë “bishtin me derë”.

Në momentin që u mendua se kishte unifikim, pozita nuk u pajtua me pikën e rezolutës që kishte të bënte me ndalimin e Thaçit për të diskutuar për territore.

Vetëm dy deputetet e AKR-së, Islam Pacolli dhe Labinot Tahiri votuan pro kësaj rezolute.

"1. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. As Presidenti, e askush tjetër, nuk ka të drejte të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në pikën kontestuese e cila edhe solli votimin kundër të deputetëve të pozitës.

Rezoluta nuk u votua

Rezoluta e LDK-së e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, morri 50 vota nga 90 deputetë sa ishin në sallë.

Me këtë u konfirmua qartë, se kryeministri Ramush Haradinaj, e dëshiron presidentin Thaçi si negociator të Kosovës kundër Serbisë.

Por, kjo nuk është që nuk është pritur. Një kryeministër intelektual në botë, për vendin e tij punon dhe synon që në marrëveshjet ndërkombëtare të jetë pjesë e tyre edhe vet. E kryeministri jonë, vet e ka deklaruar se dialogu me Serbinë pa mbështetjen e SHBA-së, ose pa qenë Amerika në tavolinë nuk mund të vazhdohet.

Ai tutje ka thënë se, përfaqësuesi i Kosovës në dialog, qoftë ai edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duhet të mandatohet nga Kuvendi.

“Presidenti vazhdon këtë proces, pra është vazhdim i dialogut paraprak, e përfaqëson Kosovën. Mirëpo, për fazën që po hyjmë duhet të shkojmë me një formulë e cila është e qëndrueshme dhe buron nga Parlamenti, edhe të cilën pastaj, i mandatuari Presidenti ose kushdo që është, që në këtë rast unë do ta kem të vështirë me marrë shumë rol se e shoh që kam shumë punë të shtëpisë, por kushdo që e përfaqëson Kosovën, si rasti ynë që është Presidenti, pse jo, duhet të jetë i mandatar prej Parlamentit”, ka thënë ai.

E dje, kryeministri Haradinaj me partinë e tij e dëshmuan të kundërtën. Ata nuk e mbështetën opozitën, nuk zgjodhën që me mandatim prej Kuvendit të Kosovës, të zgjidhen ata që duhet të negociojnë për Kosovën, për integritetin dhe sovranitetin e vendit. Ramushi nuk zgjodhi që me mandatim të Kuvendit të dialogojnë me Serbinë për çështjet politike tashmë, të cilat dikur i quanin teknike.

Presidenti po i kryen amanetet e Serbisë, kryeministri po i legjitimon

Ramushi veproi të kundërtën, dikur thoshte që vetëm lufta i ndryshon kufijtë, ndërsa të enjten ia dha vizën Thaçit të luajë me kufijtë, ashtu siç po dëshiron Serbia e Moska.

Pra,  një kryeministër evropian është i mandatar që të punoj për popullin, të punoj për rritjen ekonomike, që te ne e kanë ulë nën zero, të punojë në arsim.

Pra, secili kryeministër në botë, lufton e punon për popullin, derisa kryeministri jonë me presidentin po luftojnë për vetën e tyre. Presidenti po i kryen amanetet e Serbisë, e kryeministri po e mandaton, po e legjitimon nga Kuvendi.

Haradinaj i “hëngri” fjalët e veta

Më e keqja e mundshme është se kryeministri Ramush Haradinaj, i njohur si sportist i “sporteve të renda”, ka qenë edhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dy vëllezër i ranë dëshmorë për Kosovën. Pra, dy vëllezërit e Haradinajt u flijuan për Kosovën e lirë dhe të pavarur, duke mos e menduar kurrë se vëllai i tyre, do të veprojë kundër idealit për të cilin luftuan e u flijuan.

Tutje, kryeministri Haradinaj, disa herë ka përsëritur qëndrimin e tij për  kufijtë, duke e kundërshtuar mjaftë ashpër presidentin, i cili dikur ia shtronte tepihun e kuq, duke e pritur si një hero nga kthimi i tij prej burgjeve evropiane, por që tash po i shpërblehet.

Çka tha për kufijt?

Haradinaj, kishte paralajmëruar se kufijtë e Kosovës me Serbinë vetëm lufta mund t’i luaj, por ato si gjithherë dolën të jenë vetëm fjalë boshe.

 “Kufijtë  janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush mendon që luhen kufijtë ndryshe, gabim është”, do të deklaronte Haradinaj.

Duke folur rreth opsionit që Presheva t’i bashkohet Kosovës, Haradinaj, ai do të shprehej se kufijtë tashmë janë të vendosur dhe ata nuk mund të ndërrohen.

“Krejt kah janë shqiptarë me qejf e kishim marrë, aty s’ka dilemë. Por këta kufij janë vendosur nga lufta e kaluar, janë kufij lufte, janë mijëra njerëz në tokë për këta kufij. Është bukur imagjinatë e lehtë të mendohet se luhet me këta kufij, nuk luhen”.

“Pse duhet të na imponohet një debat i tillë, pasi prej 20 vjetëve Serbia investon, ka hedhur para, ka bërë miq, kanë lobuar që debati të përhapet edhe brenda nesh. Pse duhet të përballemi me teorinë e ndarjes. Edhe unë nuk kam bërë mjaftueshëm diskutime me popullin tim për t’i treguar se ku qëndron e vërteta”, ka theksuar kryeministri Haradinaj.

Të gjitha këto deklarata kryeministri i kishte bërë sa për të bërë kamuflazh, jo pse ideali i tij është Kosova.

Pse kryeministër?

Ndoshta, dikur si komandant e ushtar i UÇK-së ka pasur ideale më të mëdha. E kjo pas luftës iu ndërrua me idealin tjetër, atë familjar, të bëjë pallate, të krijojë kushte të mira për gruan dhe fëmijët e tij, duke mos e harruar edhe familjen e gjerë, vëllezërit, nipat e mbesat. Por, pyetja është se si ndihet ai kur e sheh Luanin e ri, djalin e vëllait dëshmor, Shkëlzenit, i cili e mbanë emrin e vëllait tjetër dëshmor të Ramushit, duke e zhgënjyer për të ardhmen e Kosovës, duke  e ditur se Kosova është në krizë të thellë politike, nga njerëzit e pushtetit, ku bën edhe vet pjesë.

Si ndihen këta breza, duke e ditur se Kosova po tradhtohet nga krerët e shtetit që po punojnë me idenë serbe. Ajo që dikur e ndalën heronjtë, luftëtarët e UÇK-së, sot apo nesër mund të bëhet realitet, pikërisht nga “komandantët” që e kapën vrullshëm Kosovën.

A ka më turp kryeministër që t’i tradhtosh vëllezërit heronj për presidentin Hashim Thaçi? A ka më turp kryeministër, të shkelësh mbi gjakun e familjarëve për ideale personale e klanore, për ideale të Thaçit i cili po i kryen punët e Serbisë me sukses? Kryeministër, a nuk e kujtove  vëllanë hero, të cilit kufomën ia ke bartur me duart tua? Pse kryeministër? Pse duhet të bashkohesh me Thaçin kundër Kosovës, kundër popullit tuaj që aq shumë e kërkoi lirimin tënd nga burgu në Hagë por edhe në Francë?

Pritjet ishin të mëdha nga ju kryeministër, por ju dështuat. Thaçi me dinakërinë e tij prej gjarpri të kafshoi kryeministër por ti nuk po e ndjen “dhimbjen”!

Dhimbja për Kosovën do të jetë më e madhe kryeministër nga mosdija juaj dhe tradhtia e madhe që po i bëhet Kosovës, pikërisht prej dy krerëve të shtetit, nga ju kryeministër dhe nga presidenti Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat