Murati: Kuvendi të ketë kujdes, nuk ka mundësi të paguajë shpenzime luksi për deputetët

Politika

Murati: Kuvendi të ketë kujdes, nuk ka mundësi të paguajë shpenzime luksi për deputetët

Nga: G.B Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 14:41
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

Shpenzimet e Kuvendit të Kosovës janë rritur për dreka zyrtare dhe për udhëtimet e deputetëve jashtë vendit, për çështje që nuk kanë të bëjnë me Kuvendin.

Vetëm për gjashtë muaj Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar 67 mijë euro për dreka zyrtare për vetëm gjashtë muaj, ndërsa për akomodim të deputetëve gjatë udhëtimeve jashtë Kosovës, i ka kushtuar 91 mijë e 187 euro.

Lidhur me këtë, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për gazetën “Bota sot” se përveç shpenzimeve për darka e mëditje, shqetësuese janë shpenzimet për udhëtime të deputetëve, që do të duhej të mbuloheshin nga vetë deputetët.

Image
Artan Murati

“Kuvendi i Kosovës është duke shpenzuar shumë, nganjëherë edhe në mënyrë të pakontrolluar. Përveç shpenzimeve për darka, mbushje e mëditje, shqetësuese janë shpenzimet e udhëtimeve të deputetëve. Është më se normale që deputetët të udhëtojnë në udhëtime zyrtare për të marrë praktikat e mira parlamentare të vendeve tjera e të përfaqësojnë Kosovën në forume ndërkombëtare, mirëpo në shumicën e rasteve këto shpenzime të udhëtimeve janë nga udhëtimet individuale të deputetëve”, është shprehur Murati.

Sipas tij, Kuvendi po tregohet dorëlirë me shpenzimet e tyre, derisa shton se duhet të bëhet kujdes, pasi Kosova si ndër vendet më të varfra në Evropë nuk ka mundësi që të bëjë shpenzime luksi për deputetët.

“Tanimë është bërë trend që mjafton të pranojë një ftesë nga një organizatë nga jashtë Kosovës, dhe deputetët menjëherë kërkojnë mbulimin e shpenzimeve, kurse Kryesia e Kuvendit është shumë dorëlirë në këtë aspekt. Kuvendi duhet të ketë shumë kujdes se si shpenzon paranë publike, sepse Kosova është ndër shtetet më të varfra në Evropë dhe nuk ka mundësi të paguajë shpenzime luksi për deputetët”, ka deklaruar Artan Murati nga KDI, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat