Situatë e rrezikshme, Kuvendi ia la Thaçit duart e lira për bisedime me Serbinë

Politika

Situatë e rrezikshme, Kuvendi ia la Thaçit duart e lira për bisedime me Serbinë

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 5 nëntor 2018 Në ora: 10:49
Hashim Thaçi

Pas një debati dyditor me fjalime të gjata, akuza e kundër akuza, Kuvendi i Kosovës ka  hedhur në votim projektrezolutën e propozuar nga LDK-ja sa i përket dialogut me Serbinë.

Nga 90 deputetë të pranishëm në Kuvend, 50 prej tyre votuan pro, ndërsa nuk kishte as abstenim as kundër.

Me këtë votim, rezoluta ka dështuar të kalojë. Pas votimit, deputetët opozitar lëshuan sallën në shenjë pakënaqësie.

Fillimisht shefat e grupeve parlamentare  u mblodhën për të harmonizuar qëndrimet për rezolutën, por më vonë u kuptua se pozita dhe opozita nuk janë pajtuar, madje ata erdhën në seancë dhe akuzuan njëri-tjetrin.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se nuk kanë arritur të dakordohen me shefat e grupeve parlamentare, por pikan 6 të propozuar nga PDK, e kanë riformoluar.

Opozita ende nuk është deklaruar për veprimet e tjera pasuese për ta ndalur copëtimin e Kosovës, nga Presidenti Thaçi.

“Pa LDK në nuk mund të vendoset asgjë”

Image
Naser Rugova

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova në një bisedë për gazetën “Bota sot” ka thënë se pa miratimin e LDK-së nuk mund të vendoset asgjë.

“Konsideroj se Thaçi nuk ka mandat nga organi më i lartë legjislativ të negocioj për interesa strategjike për vendin, ideja e ti ka ngelur e vetmuar. Askush nuk ka mandat të negocioj për integritetin territorial dhe rendin kushtetues të vendit, dhe në fund çdo marrëveshje e mundshme duhet të ratifikohet në kuvend me 2/3 e votave, dhe ne si grupi më i madh parlamentar dhe partnerët opozitar kurrë nuk do votojmë diçka që bie ndesh me kushtetutën e vendit. Në fakt pa miratim të LDK nuk mund të vendoset asgjë”, ka thënë deputeti i LDK-së, Naser Rugova.

Nagavci: PANA e varur nga Lista Serbe

Image
Arberie Nagavci

Ndërsa për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Arberie Nagavci paritë në koalicion po mbeten të varura në vullnetin e Listës Serbe.

“Situata është e qartë, në përpjekjet për të ndihmuar PDK-në në mbrojtjen e presidentit Thaçi, AAK dhe partit në koalicion po mbeten gjithnjë e më shumë të varura në vullnetin e Listës Serbe. Andaj edhe kur nuk dinë dhe nuk punojnë për përgjegjësitë që kanë, merreni me shpifje, keqpërdorime e abuzim” ka përfunduar deputetja Arbërie Nagavci për gazetën  “Bota sot”.

“Thaçi e ka në dorë koalicioin qeverisës”

Image
Imer Mushkolaj

Njohësi i çeshtjeve politike në vend, Imer Mushkolaj, ka thënë për gazatën “Bota sot” se me mos votimin e rezolutës së LDK-së,  Thaçi i ka duart e lira për bisedime me Serbinë dhe kjo situatë është e rrezikshme.

“Partitë në pushtet e mbështesin Thaçin, sepse e ka në dorë koalicionin. Nëpërmjet PDK-së ai mund ta rrëzojë qeverinë kur të dojë, andaj partitë në pushtet nuk votojnë rezolutën kundër tij. Tashmë Thaçi i ka duart e lira për bisedime me Serbinë dhe kjo situatë është e rrezikshme. Ai nuk mund të ndalet nga Kuvendi në përpjekjet e tij dhe kjo mund ta sjell vendin në situate mjaft të vështirë, ngase Kosova vazhdon dialogun pa platformë politike dhe më shumë paqartësi” ka përfunduar Imer Mushkolaj.

Ndërsa bujë të madhe bëri edhe mos prenzenca në Kuvend e pikërisht disa deputëteve te partisë incuese të kësaj rezolute, LDK-së të cilët nuk morën pjesë në Kuvend.

E lidhur me këtë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se katër deputetët e LDK-së që kanë munguar në votimin e rezolutës në Kuvend, e kishin njoftuar atë paraprakisht për pamundësinë që të jenë në seancë.

“Katër deputete të LDK sot nuk kanë pasur mundësi të jenë në seancë për të votuar. Të katërtit më kanë njoftuar paraprakisht për pamundesinë e prezencës së tyre në seancë. Kjo është e vërteta. Stafi i Grupit Parlamentar është kurdoherë i gatshëm dhe në dispozicion të medieve për informim të drejtë e të plotë”, ka shkruar Hoti.

Millaku: Ekipi negociator lojë e Thaçit me Qeverinë

Image
Drita Millaku

Ndërkaq, deputetja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot”,  se që nga formimi i koalicionit qeverisës, është ditur se përfaqësuesit e tij, do të jenë vegla të Thaçit për realizimin e projekteve anti-kombëtare, që sipas saj i ka nisur para shumë viteve.

“Mendoj se propozimi i qeverisë për një ekip negociues në krye me Fatmir Limajn, tregon më së miri për lojërat që po mundohen ti bëjnë bashkarish Thaçi me Qeverinë. Një ekip i tillë është paralel me komisionin e Shpetim Bulliqit për demarkacionin, pra ky komision ishte formuar vetëm sa për të arsyetuar pranimin e komisionit të Mehes dhe të kaloj demarkacioni me arsyetimin se do të përmirësohet, në fakt ky demarkacion kurrë nuk do të përmirësohet më. Dhe të njëjtën lojë po mundohen ta luajnë edhe me ekipin negociator të qeverisë vetëm sa për të përkrahur në mënyrë tërthorazi idenë e Thaçit”, është shprehur ai.

Millaku ka shfaqur bindjen se me rezistencën që po i behet kësaj ideje nga populli dhe nga ndërkombëtarët, sidomos nga Gjermania Britania dhe SHBA, e njëjta nuk do të kaloj.

“Për interesa personale të Thaçit sot Kosova po krijon konflikte të pakuptimta me miqtë më të mire, ky njeri me politika që po i zbaton shumë shpejt do të na konfliktuoj edhe me shtetin amë Shqipërinë”, ka përfunduar ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat