Tomë Gashi tregon kush e vrau Astrit Deharin, ja kush do ta zbardhë të vërtetën

Politika

Tomë Gashi tregon kush e vrau Astrit Deharin, ja kush do ta zbardhë të vërtetën

Nga: G.B Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 21:25
Astrit Dehari dhe Tomë Gashi

5 nëntori i këtij viti shënoi dyvjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Në këtë përvjetor ku u bënë homazhe tek varri i tij, avokati Tomë Gashi ka thënë për gazetën “Bota sot”, se po presin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Zvicër, që të zbardhet e vërteta e vdekjes së Deharit.

“Nga shteti zviceran, respektivisht nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë, ne presim që të ndihmojnë në gjetjen e së vërtetës juridike sepse ajo duhet të jetë në përputhje me të vërtetën faktike. Dhe çështje për hetime të pavarura dhe në kuadër të këtyre hetimeve që mund të bëhen nga ky institut është aprovuar me kërkesë të familjes së Astrit Deharit në fund të muajit shkurt të këtij viti”, është shprehur ai.

Gashi thotë se vonimi i rezultateve vjen për shkak të përkthimit të lëndës, e cila është voluminoze, andaj dhe nuk mund të ndikojnë që ajo të përshpejtohet.

“Dhe ne besojmë se për shkak të përkthimit të lëndës, e cila është voluminoze janë këto vonesa nga instituti zviceran. Dhe kjo është një çështje ndërshtetërore, jo private, andaj ne nuk mund të ndikojmë në përshpejtimin e hetimeve dhe ekspertizave nga Zvicra”, ka deklaruar ai.

Por, avokati Gashi thotë se Astritin e ka vrarë shtetit, pasi ai ka qenë në institucion shtetëror, ku është dashur që jeta e tij të jetë e sigurt dhe se rasti i tij ka qenë i montuar.

“Shteti e ka vrarë Astrit Deharin, sepse ai ka qenë në vendin ku jeta e tij është dashur të jetë e sigurt, ngase ka qenë institucion shtetëror, ka qenë burgu i Prizrenit dhe Astriti është vrarë për shkak të aktivitetit të tij politik në VV. Dhe ka qenë i arrestuar në një rast të montuar kriminal, kinse ka qenë pjesëmarrës në sulmin e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me granatahedhës. Ai ka qenë në vitin e fundit të përfundimit të fakultetit të mjekësisë, ka pasur vetëm dy provime t’i jep dhe të bëhet mjek”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, ai është vrarë për shkak që aktivitetit të tij politik dhe se VV-në kanë dashur që ta paraqesin si organizatë terroriste, për çka dështuan, pasi ajo vetëm u rrit.

“Dhe ajo që është e qartë, ai është vrarë nga ata që dëshironin ta paraqitnin Lëvizjen VV si organizatë terroriste dhe që dështuan, sepse pas vrasjes së Astrit Deharit, VV u dyfishua. Nga 16 deputetë sa kishte kur Astriti ishte gjallë, në zgjedhjet e fundit pas vrasjes së Astritit populli votoi dyfishin, 32 deputetë të VV-së dhe kjo vërteton se populli e di të vërtetën”, ka përfunduar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat