Akuza ndaj të “fortëve” nga Specialja, Tomë Gashi tregon çfarë mund të ndodhë në Kosovë dhe ku gjenden dëshmitarët

Politika

Akuza ndaj të “fortëve” nga Specialja, Tomë Gashi tregon çfarë mund të ndodhë në Kosovë dhe ku gjenden dëshmitarët

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 nëntor 2018 Në ora: 17:40
Tomë Gashi

Gani Geci, ka kohë që ka deklaruar që do të jetë dëshmitar i Gjykatës Speciale. Një gjë të tillë Geci e ka konfirmuar në njërën nga emisionet televizive të zhvilluar mbrëmë, ku Geci ka thënë se tashmë ka filluar bashkëpunimin me Specialen dhe së është marr në pyetje nga këta të fundit.

Por, çfarë ka ndodhur më dëshmitarët tjerë dhe sa janë të rrezikuar ata dhe ku gjenden? Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, ka folur avokati i njohur Tomë Gashi.

Ai ka thënë se mbrojtja e dëshmitarëve, ka qenë njëra nga arsyet pse selia e Speciales është vendosur në Hagë.

“Një prej arsyeve pse selia e Gjykatës Speciale është vendos të jetë jashtë Kosove ka qenë problemi i mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë. Dhe kjo jo vetëm dështimi i mbrojtjes se dëshmitarëve nga drejtësia vendore por edhe nga ajo ndërkombëtare në misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë. Misionet e huaja të sundimit të ligjit në Kosovë kanë dështuar rastësisht e në disa raste qëllimisht që t’i mbrojnë në mënyrë efektive dëshmitarët në raste të profileve të larta penale. Dhe kjo na është hakmarrë duke mos na besuar askush në institucionet e BE që ne do të duam dhe do të jemi në gjendje të mbrojmë dëshmitarët që do te dëshmojnë në Gjykatën Speciale”, është shprehur Gashi për “Bota sot”.

Më tej, ai ka shtuar se numri i më i madh i dëshmitarëve janë dërguar jashtë Kosove.

“Sigurisht qe numri më i madh i dëshmitarëve kryesorë janë tani të dërguar jashtë Kosove. Dhe kjo sa është e mire aq është e dëmshme, sepse ata në një farë mënyre do të jenë të mos themi të detyruar të deklarojnë atë që  pret prokuroria prej tyre sepse ata mund të shantazhohen se nëse nuk dëshmojnë ashtu siç pritet nga prokuroria atëherë mund të kthehen në Kosovë dhe të përballen me ata kundër të cilëve kanë dëshmuar”, shprehet Gashi.

Sipas Gashit akuzimi i të fortëve në Kosovë nuk mund ta destabilizojë Kosovën, por që mund të këtë eksese të porositura nga ata që mund të akuzohen.

“Kështu që dëshmitë e tyre duhet të verifikohen shumë mirë qe ata mos të vij në pozitë ose te dëshmojnë rrejshëm dhe të mbesin në shtete ku janë ose të ndryshojnë dëshmitë e tyre nga shantazhi dhe joshja. Pra dëshmitë e tyre  duhen shumë mirë të verifikohen. Akuzimi i të fortëve të Kosovës aspak nuk do ta destabilizoj Kosovën. Por mund të ketë ekcese sporadike te aranzhuar nga ata që do të jenë potencialisht të akuzuar në Hagë”, përfundon për “Bota sot”,  avokati i njohur, Tomë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat