Për bindjen e Ramush Haradinajt ideja e Thaçit për korrigjim kufijsh ka vdekur. Por, kryeministri i Kosovës dhe partia e tij AAK nuk e patën këtë bindje ditën kur nuk e votuan rezolutën që do të parandalonte Thaçin, që të diskutojë për kufijtë në dialog me Serbinë. E për bindjen e Haradinajt as Çakorri e Kulla nuk do t`i jepej Malit të Zi. Por, Haradinaj e partia e tij nuk e patën këtë bindje kur e votuan marrëveshjen për demarkacionin me Malin e zi e servuar me një “ndryshim kozmetik” pa ndonjë efekt juridik. Për bindjen e Ramushit qytetarët e Kosovës do të udhëtonin pa viza që në dhjetor të vitit 2017, por kjo bindje duket se nuk do të bëhet realitet para vitit 2020. Për bindjen e tij, edhe ushtrinë do ta kishim shumë shpejt, por këtë bindje e “shoi” Kancelari i Austrisë duke shprehur skepticizmin e tij se kjo do të ndodhë.
Haradinaj, tjetër gjë ka në mendje e tjetër gjë paraqet para publikut. Një politikan me tipare të politikanëve serbë, të cilët e konsiderojnë “shkollë” aftësinë për të gënjyer publikisht.
Deklaratat e Kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj kundër Presidentit Hashim Thaçi janë aq të forta në ambalazh e aq të thata për nga përmbushja apo realizimi i tyre. Nëse Haradinaj e paska ditur se plani i Thaçit është të marr njohjen e Serbisë për Kosovën dhe Serbisë t`ia falë veriun, përse nuk e ndaloi një gjë të tillë në dy mundësitë që i pati. Haradinaj, pati mundësi që t`i marrë personalisht frenat e dialogut me Serbinë, por preferoi që në tavolinë bisedimesh të ulte Hashim Thaçin. Haradinaj e humbi edhe mundësinë për ta ndaluar Thaçin që të bëjë pazare me kufijtë e Kosovës, por ai zgjodhi të mos e votonte rezolutën e cila ishte përgatitur për këtë gjë. Për çfarë bindje po na flet kryeministri e për çfarë njohje Presidenti?
Përse ka nevojë Kosova të marrë njohjen e Serbisë dhe për këtë t`ia falë Serbisë veriun? A ishte Serbia agresor apo viktimë në luftën me Kosovën? Aktualisht kemi një president që po e promovon idenë e hapjes së shtetësisë së Kosovës dhe një kryeministër që në mënyrë hipokrite mundohet të na “bindë” se ideja e tij ka vdekur.
Haradinaj e Thaçi po e faktorizojnë Serbinë pa fije turpi, duke harruar viktimat e luftës dhe gjakun e derdhur të mbi 20 mijë shqiptarëve për lirinë e Kosovës.
Derisa Izraeli ende nuk ka arritur ta falë Gjermaninë për luftën e dytë botërore, Hashim Thaçi 20 vjet pasi ka mbaruar lufta po synon të bëjë paqe dhe ta falë Serbinë për krimet e saj, madje, paturpësisht po do t`i falë edhe tokë..
Haradinaj, po e shikon Thaçin nga këndi i një shikuesi të një televonele dhe po i komenton veprimet e tij po sikur një shikues i një telenovele, pa pasur mundësinë e as guximin që të ndërhyjë për të ndaluar veprimet e tij.
Pra, Thaçi është një regjisor i zoti karshi Haradinajt në Kosovë e një servil i denjë i politikave shoviniste serbe që kanë për qëllim copëtimin e vendit.
Se kush do ta ndërpres transmetimin e kësaj telenovele, pritet të shihet në të ardhmen e afërt.
Por, një gjë dihet me siguri, pavarësisht deklaratave të tij “patetike” dhe “populiste”, Ramush Haradinaj nuk do të jetë ai që do ta ndalë Thaçin që të bëjë pazar me tokat e vendit.
Kjo, pasi në thelb Haradinaj është i njëjtë si Thaçi! Mjafton të kujtojmë mënyrën se si Haradinaj e realizoi ëndrrën për të qenë kryeministër...