Dëshmitarët e Speciales të sigurt jashtë Kosovës

Politika

Dëshmitarët e Speciales të sigurt jashtë Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 nëntor 2018 Në ora: 15:43
Selia e Gjykatës Speciale

“Ndër masat mbrojtëse gjyqësore që urdhërojnë gjykatësit janë caktimi i pseudonimeve, ndryshimi i pamjes dhe i zërit, nxjerrja e vonuar e të dhënave identifikuese, dhënia e dëshmisë nëpërmjet video konferencës dhe të tjera. Kjo temë trajtohet me hollësi në nenin 23 të Ligjit dhe gjithashtu në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave” ka shtuar Chriss Bennet.

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, parashikon mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Bennet flet për mënyrën se si do të mbrohen dëshmitarët

Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Chriss Bennet, ka thënë për “Bota sot” se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, parashikon mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare.

“Për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve është ngritur një zyrë e posaçme për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme dëshmitarëve që mund të jenë të rrezikuar për shkak të dëshmisë së tyre, madje edhe personave që mund të jenë të rrezikuar prej dëshmisë së dhënë nga dëshmitarët. Ndër masat për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve përfshihen masa dhe marrëveshje sigurie që parashikohen në legjislacionin e Kosovës, mbajtja e seancave gjyqësore në kamera me dyer të mbyllura ose private, dhënia e dëshmisë nëpërmjet mjeteve elektronike ose mjeteve të tjera të posaçme dhe mbrojtja e identitetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, në ligj kërkohet shprehimisht që Dhomat e Specializuara të Kosovës të garantojnë mbrojtjen e dëshmitarëve të cenueshëm, ndër të cilët viktimat e dhunës seksuale, gjinore dhe fëmijët.

“Ndër masat mbrojtëse gjyqësore që urdhërojnë gjykatësit janë caktimi i pseudonimeve, ndryshimi i pamjes dhe i zërit, nxjerrja e vonuar e të dhënave identifikuese, dhënia e dëshmisë nëpërmjet video konferencës dhe të tjera. Kjo temë trajtohet me hollësi në nenin 23 të Ligjit dhe gjithashtu në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave” ka shtuar Bennet.

Ai potencon se, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre në përputhje me Ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe amendamentin kushtetues përkatës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre në përputhje me Ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe amendamentin kushtetues përkatës. Nuk kemi kurrfarë komenti në lidhje me zhvillimet politike” ka përfunduar Chriss Bennet.

Image
Tomë Gashi

Gashi: Numri më i madh i dëshmitarëve kryesorë janë tani të dërguar jashtë Kosove

Kurse, avokati Tomë Gashi, ka pohuar se një prej arsyeve se përse selia e Gjykatës Speciale është vendosë të jetë jashtë Kosovës ka qenë problemi i mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë.

Sipas tij, nuk ka qenë vetëm dështimi i mbrojtjes së dëshmitarëve nga drejtësia vendore, por edhe nga ajo ndërkombëtare në misionet e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, pasi misionet e huaja të sundimit të ligjit në Kosovë kanë dështuar rastësisht, në disa raste qëllimisht në mënyrë që ti mbrojnë në mënyrë efektive dëshmitarët në raste të profileve të larta penale.

”Dhe kjo na është bërë duke mos iu besuar askujt në institucionet që ne do të duam dhe do të jem në gjendje të mbrojmë dëshmitarët që do të dëshmojnë në Gjykatën Speciale. Sipas tij, numri më i madh i dëshmitarëve kryesore janë tani të dërguar jashtë Kosove. Dhe kjo sa është e mirë, është aq edhe e dëmshme, sepse ata në një farë mënyre do të jenë të detyruar që të deklarojnë atë që pret prokuroria prej tyre”, është shprehur avokati Tomë Gashi.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Dëshmitarët në rrezik

Analisti, politik Faton Mehmeti, ka thënë se derisa Kosova nuk shkëputet përfundimisht nga të gjithë njerëzit me elemente të luftës së fundit, s’do të jetë asnjëherë e qetë.

Sipas tij, njerëz të tillë nuk janë të "edukuar" për të pranuar demokracinë si mundësi të barabartë për të gjithë njësoj.

“Kosova vuan nga kjo kategori e njerëzve, të cilët shpresojnë të çlirohen Gjykata Speciale. Prandaj frika e këtyre njerëzve ka bërë që disa dëshmitarë të identifikohen dhe të vriten, e disa nga frika janë shpërngulur nga Kosova për tu strehuar në vende të panjohura. Por, megjithatë është vështirë të besosh se ndonjë dëshmitar relevant qëndron ende në Kosovë, pasi rreziku i kanoset në çdo çast nga bandat e Ramushit dhe Hashimit. Herë do kur që fillon punë Gjykata Speciale vendi do të pësojë tronditje; në veçanti nëse " krahu i luftës" në atë periudhë do jetë në pushtet. Është në të mirë të Kosovës që këta të jenë në opozitë, pasi dëmet për Kosovës do të jenë shumë më të vogla, në çdo aspekt”, është shprehur analisti politik Faton Mehmeti.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Aktakuzat në mars

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri, konsideron se nga përvoja e mëparshme kur janë vrarë e kërcënuar dëshmitarët, kësaj radhë sikur janë nxjerrë mësime të mira.

“Nga ajo që unë kam informacione Gjykata Speciale ka një program të mirë sa i përket trajtimit dhe sigurimit të dëshmitarëve dhe sigurinë e plotë se të gjithë dëshmitarët relevant që kanë dëshmuar për Gjykatën Speciale në rastet e caktuar janë të siguruar dhe janë vendosur në shtet e sigurta të BE-së. Ndërsa, sa i përket aktakuzave ato priten të ngritën në janarin e vitit 2019, apo më së largu në mars të këtij viti dhe do të jenë aktakuza të profilit të lartë”, ka thënë analisti politik Nexhat Haziri.

Ai nuk pret ndonjë destabilizim të gjendjes në Kosovë me rastin e ngritjes së këtyre aktakuzave, për arsyen se tashmë të gjithë qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm se drejtësia duhet të ndodhë në këtë vend.

“Për njerëz të tillë nuk duhet të protestohet përkundrazi do të jetë fillimi i çlirimit të vendit nga një kastë politikanësh të inkriminuar që po e mbajnë peng jo vetëm të tashmen por edhe të ardhmen e Kosovës si shtet i zhvilluar, demokratik ku sundon rendi dhe ligji dhe i mirëqenë për qytetarët e vet”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat