Profesori ndërkombëtar tregon dy arsyet pse Vuçiq kërkon heqjen e taksës dhe si duhet të veprojë Kosova

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon dy arsyet pse Vuçiq kërkon heqjen e taksës dhe si duhet të veprojë Kosova

Nga: G.B Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 14:23
Kufiri Kosovë-Serbi

Mbrëmë në Bruksel u mbajt takimi në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku nuk pati marrëveshje, por që pas takimit Vuçiq tha se nuk ka dialog nëse nuk hiqet taksa prej 10 për qind nga Qeveria e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

Se a do të jetë kjo pengesë për dialogun dhe si duhet të veprojë Kosova në këtë rast, për gazetën “Bota sot”, profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi ka thënë se taksa është normale për çdo shtet.

“Taksa që qeveria e Kosovës i ka vënë Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për mallrat që ato shesin në Kosovë është një akt normal dhe minimal për çdo shtet, sepse ka të bëjë me produkte, të cilat konkurrojnë tregun e brendshëm e për pasojë mbron prodhuesit e Kosovës. Kjo praktikë është e njohur në politikën tatimore e doganore në Evropë dhe kudo”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo taksë ka rol pozitiv, pasi e bën Serbinë dhe BH që ta pranojnë shtetësinë e Kosovës dhe kjo taksë është në kohën e duhur dhe një veprim i guximshëm.

“Por vënia e kësaj takes në këtë moment ka gjithashtu vetëm impakt pozitiv. Së pari, e bën Serbinë dhe BH, dy vende të rajonit që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, që të pranojnë realitetin e krijuar, pra shtetësinë e saj. Edhe letra e Bërnabiq drejtuar kancelarive të ndryshme si ankesë për këtë taksë, në vetvete konfirmon faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Së dyti, vendimi i qeverisë për vendosjen e taksës është një simbolikë e duhur në kohën e duhur. Haradinaj kritikoi presidentin Thaçi, se këtij të fundit agjendën ia dikton Serbia. Vënia e taksës është shembulli sesi mund të veprohet, me qëllim që Serbia të mund të imponojë agjendën e saj në Prishtinë e në territorin e Kosovës. Ishte një veprim i guximshëm dhe me shumë domethënie”, është shprehur Bytyçi.

Image
Prof. Dr. Asc. Enver Bytyçi

Profesori vlerëson se Vuçiq do të kërkojë heqjen e taksës për dy arsye, derisa shton se ai nuk do ta ndërpres dialogun, pasi ai është më i interesuar se kurrë që ta vazhdojë këtë dialog.

“Natyrisht që Vuçiq kërkon dhe do të kërkojë të hiqet kjo taksë për dy arsye:  Së pari, sepse dëshiron të imponojë vullnetin e Beogradit në Prishtinë, për të dëshmuar te serbët atë që ai e përsërit se “Kosova nuk bën pa Serbinë”. Fatkeqësisht këtë slogan po e përdor vazhdimisht Thaçi në funksion të shërbimit që i bën Serbisë për t’i falë territoret e Kosovës. Së dyti, sepse dëshiron që qeverinë e Kosovës ta etiketojë në raport me faktorin ndërkombëtar si problemin e rajonit dhe kërcënim për paqen. Jam i sigurt se Vuçiq nuk do t’i ndërpresë bisedimet. Madje për asnjë lloj arsye tjetër. Ai kurrë nuk ka qenë kaq shumë i interesuar për vazhdimin formal të dialogut, pasi që kurrë nuk ka pasur një partner kaq besnik dhe servil, sa presidentin e sotëm të Kosovës Hashim Thaçin. Thjesht është një lojë politike, një taktizim i stilit të politikës së Beogradit”, ka theksuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se nëse hiqet kjo taksë, do të jetë goditje e rëndë për autoritetin e qeverisë dhe kryeministrin dhe po ashtu do ti hapte rrugë një procesi të rrezikshëm për Kosovën.

“Nga ana tjetër presidenti i Serbisë është njoftuar nga presidenti i Kosovës se vënia e taksës nuk është punë e këtij të fundit. Është punë e qeverisë dhe kryeministrit Haradinaj. Në fakt ai u njoftua që ditën kur u vendos kjo taksë, sepse Thaçi u deklarua menjëherë kundër saj. Në këto kushte, heqja e taksës nga ana e Prishtinës do të ishte një goditje e rëndë jo thjesht për autoritetin e qeverisë dhe kryeministrit, por do t’i hapte rrugë një procesi shumë të rrezikshëm për Kosovën dhe fatin e saj. Taksa është test. Presioni ndërkombëtar do të jetë shumë i madh, sepse Serbia tashmë ka fituar terren. Por do të jetë fatale, nëse kjo taksë hiqet”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, Bytyçi thotë se Kosova duhet kuptuar se Serbia nuk do t’i falë asgjë, me apo pa heqjen e taksës..

“Nga ana tjetër, qeveria dhe kryeministri i Kosovës, politikanët në mazhorancë dhe në opozitë, duhet të kuptojnë se me ose pa taksë në Bruksel nuk kanë ndërmend t’i falin asgjë Kosovës. Dhe kjo ka ndodh e po ndodh, pikërisht për faktin se autoritetet e Prishtinës janë sjellë kundrejt BE-së, si dele! Ndërsa Serbia po fiton terren pikërisht për faktin se ajo e kërcënon vazhdimisht Brukselin! Nuk them se Hashim Thaçi und të mësojë në këtë aspekt nga Serbia, por nëse mësojnë të tjerët e para së gjithash qeveria, atëherë është mirë”, është shprehur ai.

E nëse vazhdon presioni i Vuçiqit për heqjen e taksës, profesori thotë se në Kosovë duhet bërë bashkë të gjithë dhe të bëjnë një rezolutë për BE-në me kushtin për liberalizim të vizave, nëse duan që të vazhdohet dialogu me Serbinë/

“Nëse Vuçiq bën presion me taksën për vazhdimin e dialogut, qeveria, kryeministri, parlamenti, kreu i parlamentit duhet të bëhen bashkë dhe me rezolutë e vendime të përbashkëta t’i vendosin BE-së kushtin e liberalizimit të vizave në fund të këtij viti, nëse ata duan të vazhdojnë dialogun me Serbinë. Por e përsëris kurrë jo një dialog me hartën e territoreve përpara”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat