Zhvillimet në prapaskenë, profesori ndërkombëtar tregon mashtrimin Thaçi-Vuçiq në Bruksel

Politika

Zhvillimet në prapaskenë, profesori ndërkombëtar tregon mashtrimin Thaçi-Vuçiq në Bruksel

Nga: P.R Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 16:48
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Gjatë mbrëmjes së kaluar në Bruksel u takuan presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Të dy presidentët, këtë takim e cilësuan si shumë të “nxehtë” e me plotë tensione.

Presidenti Thaçi pas takimit deklaroi se gjuha e Vuçiqit ishte agresive dhe arrogante. Kurse homologu i tij, Vuçiq kërkoi heqjen e taksës doganore prej 10% e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe.

Por, sa janë të vërteta deklaratat e të dy presidentëve dhe çfarë po zhvillohet në prapaskenë? A janë duke luajtur një lojë Thaçi dhe Vuçiq?

Lidhur me këto, gazeta “Bota sot”, ka biseduar me profesorin ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Bytyçi, presidentin Thaçi e quan një mashtrues që vetëm vrapon që të jetë në shoqëri të presidentit serb.

“Sa herë që Hashim Thaçit do t’i duhet të takohet zyrtarisht për bisedime e Aleksandër Vuçiqin bën deklarata të tilla mashtruese. Thotë se “I duhet të bisedojë me dreqin”! Se “Serbia është agresive”! Se “nuk kam asnjë dëshirë të bisedoj me Vuçiq”! E ndërkohë nuk le rast ku thirret presidenti serb në takime ndërkombëtare pa shkuar edhe Hashim Thaçi. Ai vrapoi deri në Armeni, me qëllim që të gjendet përkrah dy miqve të tij, Vuçiq e Rama, nën shoqërinë e Macron. Pas dy ditësh do të shkojnë bashkë në Paris dhe të mos i numërojë sa e sa takime “të rastësishme”, pas të cilave rend maratonomaku ynë territorfalës, me qëllim që të jetë nën shoqërinë e presidentit serb, të cilin e quan “dreq”!”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova ka humbur çdo herë nga krizat që i ka shkaktuar presidenti Thaçi.

Image
Enver Bytyçi

“Duhet ditur se andej nga malësia shpesh herë fjalën “dreq” e përdorin me përkëdheli. P.sh. “Qe dreqi”! “He dreqi”! E tillë është dhe përkëdhelia e Thaçit ndaj Vuçiqit. E pamë këtë para dy-tre muajsh në intervistën e Alpachut në Austri, kur kryeministri slloven u vu në vështirësi nga për shfaqja e dashurisë së madhe Thaçi-Vuçiq! I përdora të gjithë këta shembuj për të argumentuar, jo thjesht për të pohuar, se Hashim Thaçi mashtron, ndërkohë që ende po e mban thikën në dorë, për t’ia heqë Kosovës së paku nja 1300 km2 territor, madje pjesën më vitale dhe më të pasur të saj! Thaçi luan dhe për kushtet e Kosovës nuk është lojtar i keq, megjithëse i lexueshëm dhe shpesh herë budalla! Fillimisht mësoi të luajë në politikat e brendshme për qëllime elektorale, me premtime e pabesi ndaj partnerëve në qeverisje. Kosova ka humbur shumë nga lojëra të tilla, si ajo e Zanzibarit! Ka humbur shumë nga krizat artificiale që i ka kurdis Thaçi, në funksion të pushtetit të tij!”, shprehet Bytyçi, duke shtuar se nuk ka humbur vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës përkundrazi, më shumë se LDK ka humbur Kosova dhe shtetësia e saj.

Më tej, Bytyçi shton se për Thaçin bisedimet me Serbinë tashmë kanë përfunduar.

“Thaçi është mashtrues klasik në raport me qytetarët e Kosovës. Hapni shtypin e do të gjeni gënjeshtra pa fund për liberalizimin e vizave, për demarkacionin me Malin e Zi, për Zajednicën, për njohjet e shtetit të Kosovës! Një rrenc i këtij klasi e kalibri nuk ka si të sillet ndryshe edhe në raportet që ka krijuar me Serbinë dhe dialogun Prishtinë-Beograd! Ai mashtron kur ankohet për bisedimet me Vuçiqin. Mashtron edhe për një arsye tjetër: Për Thaçin bisedimet me Serbinë kanë përfunduar. Vendimin tashmë ai e ka marrë, e ka shprehur dhe publikisht. Është një vendim në përputhje me vullnetin politik të presidentit të Serbisë, pra për ndarjen e Kosovës! Nuk e di cila është arsyeja pse Thaçit iu dashka të “bisedojë si me dreqin”, ose pse “Serbia paska një gjuhë agresive”! Ndërkohë gjuha e Serbisë ka qenë dhe mbetet agresive që prej vitit 1844, kur u shpall Naçertania e Ilia Grashaninit! Sot na qenka bërë ajo agresive?!”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori shton se krejt sjellja e Thaçit është një show medial.

“Por dhe diçka tjetër: Kjo që thotë Thaçi për gjoja agresivitetin serb është një show, sepse nëse do t’i ndiqni me një kamera të fshehtë drekat dhe darkat e Thaçit e Vuçiq, sidomos kur aty ndodhet edhe Rama dhe Daçiq, do të shihni se vera dhe shampanja e shtrenjtë derdhen si në Hollivud. Kënga dhe meloditë e mandolinës së Daçiq nuk kanë të ndalur! E përmenda këtë për të thënë se po, Serbia është agresive, madje shumë agresive me Kosovën, me kombin shqiptar në përgjithësi, por jo me Thaçin dhe Ramën. Harrojeni këtë! Këta të dy janë miqtë dhe partnerët më të mirë të Beogradit!”.

“Në këtë kuptim, të ashtuquajturat “tensione” në marrëdhëniet Thaçi-Vuçiq janë thjesht alibi për të fshehur të vërtetën e hidhur që sjell marrëdhënia dhe marrëveshja midis tyre. Sa herë takohen Thaçi dhe Vuçiq, veçmas sa herë këtyre të dyve iu bashkohet edhe Edi Rama, aq herë bisedohet për ta shkatërruar shtetin e Kosovës, për t’i shpërbë institucionet e saj, për ta ndarë territorin e vendit! Prandaj mos i zini besë kurrë Hashim Thaçit!”, përfundon profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat