Kryeziu: Shqetësuese kritikat ndaj BE-së, këto bëhen pas premtimeve të paqëndrueshme

Politika

Kryeziu: Shqetësuese kritikat ndaj BE-së, këto bëhen pas premtimeve të paqëndrueshme

Nga: N.A. Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 18:31
Taulant Kryeziu

Numri i shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat po hezitojnë të miratojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në vazhdimësi po shënon rritje.

Holanda, Gjermania, Franca, Belgjika, janë disa nga shtetet, që po hezitojnë të japin miratim pozitiv për heqjen e vizave për Kosovën.

Rritja e disponimit kundër heqjes së vizave te këto vende, kishte shtyrë kohët e fundit institucionet e Kosovës që të ndërmarrin aktivitete lobuese në përpjekje të sigurimit të mbështetjes për Kosovën.

Taulant Kryeziu Kryetar i Bordit te Institutit EPIK,  thotë për gazetën “Bota sot” se,  përgjegjësia për premtimet që liberalizimi i vizave do te ndodhë gjatë vitit 2018 bie mbi lidershipi politik të këtij koalicioni qeverisës, i cili ka dhënë premtime të papërgjegjshme dhe joreale duket rritur pritshmëri tek qytetaret tanë.

“Siç kemi komunikuar si Instituti EPIK, kanë mbetur edhe 6 hapat deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Pjesa kritike e këtyre hapave është votimi i plotësim ndryshimit të Rregullores 539/2001 nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian. Po ashtu, bazuar në zhvillimet e kohës, EPIK pati komunikuar që nga muaji gusht se lëvizja e lirë për qytetarët tanë nuk mund bëhet këtë vit dhe njëkohësisht është argumentuar se skenari më pozitiv është që vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave të përfundoj këtë vit, ndërsa qytetarët të lëvizin lirshëm në vitin 2019. Së fundmi ky fakt u vërtetua edhe nga z. Peter Beyer, deputet gjerman nga CDU, anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme, dhe koordinator për Marrëdhëniet Transatlantike, në kuadër të MPJ-së gjermane.” ka thënë ai.

Kryeziu ka nënvizuar se BE asnjëherë nuk ka dhënë afate lidhur me liberalizmin e vizave

“Në ditët e fundit, zyrtarët e lartë të institucioneve kanë përdorur një gjuhë fajësuese ndaj BE-së në rast mos-liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. Instituti EPIK i përcjellë me shqetësim këto deklaratat dhe rikujtojmë se asnjë përfaqësues i institucioneve të BE-së apo vendi anëtarë, asnjëherë, nuk ka dhënë afate kohore për liberalizimin e vizave. Janë vetë përfaqësuesit institucional të Kosovës të cilët kanë ofruar premtime të paqëndrueshme kohore për liberalizimin e vizave. Prandaj, tendencat e udhëheqësve institucional për të hedhur fajin nga institucionet e BE-së janë të papranueshme dhe dëmshme. Përgjegjësia për premtimet qe liberalizimin vizave do te ndodhë gjate vitit 2018 bie mbi lidershipin politik të këtij koalicioni qeverisës i cili ka dhënë premtime të papërgjegjshme dhe joreale duket rritur pritshmëri tek qytetaret tanë” ka përfunduar Taulant Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat