Abazi: Thaçi është në kurth

Politika

Abazi: Thaçi është në kurth

Nga: N.A Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 22:53
Haki Abazi dhe Hashim Thaci

Me nikoqir presidentin francez Emuanel Macron, rreth 70 liderë botërorë u mblodhën në Paris, ku morën pjesë në ceremoninë e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Përpos Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit rus, Vladimir Putin, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në drekën e shtruar nga presidenti francez në Pallatin Elize, morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Lidhur me pjesëmarrjen e Thaçit dhe Vuçiqit në Paris, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se Thaçi në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që të luaj lojën e tij të rolletit rus, e që rrezikon gjithçka që është arritur në Ballkan pas luftërave të përgjakshme.

Sipas tij çfarëdo loje me kufijtë dhe me cenimin e të drejtave sipas kushtetutës dhe garantimit të integritetit dhe sigurisë së Kosovës do të thotë edhe cenim i sigurisë në Ballkan.

“Thaçi është në kurth, kjo është e qartë. Ai e ka futur vetën aty ku nuk dilet dhe tani po bën lojë fjalësh e cila i ka kushtuar deri në izolim. Tani togëfjalëshi që përfshin dialogun, marrëveshjen, korrigjimin e kufijve, Luginën e Preshevës, përkrahjen ndërkombëtare e dokrra të tjera është përballur me realitetin që Thaçi nuk ka mandat dhe pavarësisht se e ka degraduar funksionimin institucional dhe Kosova ka marrë goditje të jashtëzakonshme nga proceset e muajve të fundit e posaçërisht nga ofensiva serbe për tërheqjen e njohjeve dhe paralizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, megjithatë Thaçi e di që në Kosovë ka edhe njerëz edhe institucione të cilat nuk do të pranojnë këto veprime jokushtetuese, këtë gjë ja kanë bërë të ditur edhe Gjermanët dhe Britanikët dhe Amerikanët”.

“Natyrisht që të gjithë janë për dialog dhe marrëveshje por përkrahja është në detaje dhe këto nuk janë qëndrime arbitrare dhe qefe ditore por qëndrime politike të menduara mirë nga ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtarë që kuptojnë mirë pasojat e vendimeve dhe marrëveshjeve”, ka përfunduar Abazi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat