Cakolli tregon se a ishte antikushtetuese thirrja e seancës së jashtëzakonshme nga Haradinaj

Politika

Cakolli tregon se a ishte antikushtetuese thirrja e seancës së jashtëzakonshme nga Haradinaj

Nga: G.B Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 14:59
Eugen Cakolli

Sot Kuvendi i Kosovës u mblodh për seancën e jashtëzakonshme të thirrur dje nga Kryeministri i Kosovës.

Edhe pse më pas kryeministri kishte kërkuar që seanca të mos mbahej, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti i hapi punimet e seancës dhe u dha fjalën deputetëve, të cilët thanë se nuk e dinin për çfarë kishin ardhur dhe se thirrja e seancës nga kryeministrit ishte antikushtetuese.

 Për të komentuar këtë dhe se a ishte antikushtetuese thirrja e seancës nga kryeministri, hulumtuesi Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se sipas rregullores së Kuvendit seancat e jashtëzakonshme mund të thirren nga Presidenti, Kryeministri apo nga së paku 40 deputetë dhe se kjo thirrje është bërë në kuadër të kompetencave të kryeministrit.

“Sipas nenit 38 të Rregullores të Kuvendit, mbledhjet e jashtëzakonshme mund të thirren nga Presidenti, Kryeministri apo nga së paku 40 deputetë. Seanca e thirrur nga kryeministri Haradinaj, lidhur me shqyrtimin e një sërë projektligjesh që ndërlidhen me liberalizimin e vizave, është krejtësisht brenda kompetencave të kryeministrit për të thirrur seanca të jashtëzakonshme. Ashtu siç edhe parashihet në Rregullore, kërkesa për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, duhet të ketë arsyeshmërinë se pse cilësohet si çështje e jashtëzakonshme, ajo çështje e cila do të shqyrtohet”, është shprehur ai.

Cakolli thotë se ka qenë për detyrë e kryesisë së Kuvendit që t’i informojë deputetët për seancën dhe temat të cilat do të diskutoheshin.

“Andaj, duke supozuar që kërkesa për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme i është përmbajtur këtyre rregullave, dhe vendimit të Kryesisë që kjo seancë të mbahet sot, ka qenë detyrë dhe përgjegjësi e Kryesisë të informojë të gjithë deputetët për seancën dhe temat të cilat do të diskutohen. Lidhur më këto tema, gjatë takimit të djeshëm në mes të Kryeministrit, Ministres së Integrimit Evropian dhe Ministrit të Drejtësisë, me anëtarët e Komisionit për Legjislacion, palët ishin pajtuar që seanca të shtyhet, dhe puna në komisione të përshpejtohet, dhe të kërkohet që këto projektligje të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar”, ka deklaruar Eugen Cakolli për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat